Albspirit

Media/News/Publishing

Vullnetarët e Enverit dhe vullnetarët e Edit

Enton Abilekaj 

Fushata e mbledhjes së 1 milion firmave është më përçarëse se ajo e Vullnetarëve të Enverit që filloi fiks 26 vjet më parë. Njësoj si Vullnetarët e Enverit që filloi si lëvizje spontane, enveristët nuk e patën kurrë mbështetjen e hapur të Kryeministrit, ndërsa këta kanë gjithë zyrtarët e lartë, përfshirë edhe Kryeministrin.

Ata kërkonin t’i përçanin shqiptarët në pro dhe kundër Enverit, me bindjen se shumica do të ishte pro dhe me këtë shumicë do të mbanin pushtetin. Këta po e bëjnë me Vettingun, të njëjtën gjë për të njëjtën arsye. Me një ndyshim, ata kërcënonin me të shkuarën, këta kërcënojnë me të ardhmen. Peticioni është më qesharak se ai i intelektualëve, që në vitin 2010, ndërsa socialistët ishin ngujuar në grevë urie për votën e lirë, u kërkonin të votonin 3 ligjet. Rastet shqiptare të “intelektualëve”që bëhen turmë në lëpirjen e pushtetit, janë të shumta, por ai që ngrihej mbi një sakrificë sublime ishte më i shëmtuari dhe më qesharaku njëkohësisht.

Ky sot ngrihet kundër një proteste po për votën e lirë, kundër një tentative për të parandaluar ecjen e vendit në errësirën e zgjedhjeve fiktive që pjellin qeveri të papërgjegjshme. Maskuar me emra shoqatash – marioneta të qeverisë, që konfirmojnë se i kanë harram paratë që marrin në emër të shqiptarëve. Në vend të kërkonin një çadër për banorët e mjerë të Zharëzës, ngritën qindra çadra për të dalë kundër pjesës opozitare të shoqërisë. Peticioni nuk është vetëm përçarës, i shëmtuar dhe qesharak. Do të ishte pak i dëmshëm nëse do të ishte vetëm kaq, sepse këto përçapje janë refuzuar në 26 vjetët e fundit nga shoqëria.

Ky Peticion këtë herë, po u jep fund zgjedhjeve duke i nënshtruar shqiptarët me shantazh dhe kërcënime të shfaqin hapur mbështetjen për Qeverinë më pak se 4 muaj nga zgjedhjet. Punonjës të administratës, nxënës shkollash, hallexhinj të të gjitha llojeve, që presin lëmoshë, punësim apo tendera nga Qeveria apo bashkitë e pushtetit, duhet të firmosin në sheshe, nën çadrat ambulante të rilindjes. Aty shfaqen të gjithë pushtetarët, të vjetrit e sprovuar si firmëtarë të Enverit dhe, fatkeqësisht edhe të rinjtë që kanë mësuar prejt tyre. Në sy të të gjithëve, në mes të sheshëve, në praninë e mediave, zhvillohet rituali i dhunimit të vullnetit politik të shqiptarëve.

Ata firmosin nën çadrat e pushtetit që opozita të lërë protestën dhe të bëjë çfarë kërkon qeveria. Të dënuar të deklarojnë një vullnet të imponuar, ata jane të listuar tashmë si votues të maxhorancës. Ndoshta do të bëhen 1 milion, aq sa është vënë objektivi nga qeveria. Objektivi është modest, hallexhinjtë janë më shumë se 1 milion. Nëse do të kishte ndonjë dyshim tek kauza e opozitës, ndonjë bezdi nga protesta, peticioni 1 milion jep përgjigje. Nuk ka pse ta kërkojë blerjen e votës dhe presionin ndaj votuesve tek zgjedhjet lolale të 2015, as në Dibër, as në Kolonjë, ajo po ndodh tani, në mes të ditës, në mes të Tiranës, pak metra larg protestës, në të gjithë vendin. Ky peticion është preludi i zgjedhjeve të 18 qershorit. Protesta ia arriti qëllimit. Një çadër e madhe e denoncon, ndërkohë që mijëra çadra të vogla po tentojnë ta blejnë.

Please follow and like us: