Albspirit

Media/News/Publishing

Armando ‘vetvritet’ me porosi, duke e nxjerrë Ramën lakuriq…

Kastriot Islami 

Sot ka ndodhur një nga ngjarjet më të rralla, Armando Prenga duke dhënë dorëheqjen e porositur është  “vetëvrarë”, duke nxjerrë ndërkohë Ramën lakuriq në sytë e të gjithëve, shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.  Armando ka shkuar në shtëpi, pa e ditur se cdo të mund të ndodhë me të në të ardhmen, ndërkohë që Rama ka marrë një “goditje” të rëndë si ideatori i futjes së individëve me rekorde të tmerrshme kriminale në kuvend, i përdorimit të tyre për fitimin dhe mbajtjen e karrikes së kryeministrit, si armiku i dekriminalizimit dhe reformës në drejtësi dhe së fundmi si kllouni prestigjator që kërkon të mashtrojë se “ai nuk di asgjë se cfarë ka bërë Armando me kokën e tij”, duke neveritur edhe shqiptarët, edhe ndërkombëtarët me këto lloj mashtrimesh e marifetesh makiavelike që ju ka dalë boja.

Armando pasi ka qëlluar me rripin e mesit dhe grushta në kuvend kolegët e tij, pasi ka nxjerrë revolen në mes të qytetit dhe ka qëlluar mbi bashkëqytetarët e tij, duke qënë më parë i dënuar në Shqipëri dhe Itali, i listuar në skedat europiane me emra të shumëfishtë, duket se së fundmi është këshilluar nga Rama të largohet nga parlamenti, në pamundësi për ta mbrojtur publikisht por duke e konservuar eventualisht për më vonë, pasi ka ndotur PS, grupin e saj parlamentar, KQZ dhe të gjithë imazhin e vendit në sytë e të gjithë parlamentit europian. Dhe e gjithë ky dëmtim i ka ardhur PS, kuvendit, KQZ dhe vëndit jo thjesht nga Armando por nga Edi Rama, i cili e ka përdorur Armandon që nga dita e parë e deri tek dorëheqja për interesin e tij personal të fitimit e mbajtjes së karrikes së kryeministrit. Madje edhe “mbrojtja” e sotme që Rama i ka bërë Prengës është thjesht dhe vetëm që Rama të mbrojë imazhin e tij duke ndotur në ekstrem atë të personazhit në fjalë që e ka përdorur si kavie. Armando është nxitur sot të “vetëvritet” duke menduar të maskojë krimet e mëparshme, duke u armatosur me një deklaratë dorëheqjeje të cilën askush nuk e beson se e ka shkruar ai vetë, pra edhe “armën” e vetëvrasjes ja ka dhënë po Rama.

Rama duke nxitur “vetëvrasjen” e Prengës është përpjekur të fshehë disa nga pisllëqet e tij.

Së pari, RAMA me këtë xhest synon të mos pranojë që është ai që i ka sjellë individët me rekorde të tmerrshme kriminale në grupin e PS për të blerë votat dhe kërcënuar votuesit, por ata kanë rastisur të tillë, dhe ai nuk ka pasur asnjë dijeni, madje ata kanë qënë të pastër por ndotja e tyre ka ndodhur për shkak të baltës së hedhur nga opozita. Këtë gënjështër se beson më askush sepse ka dalë në dritë të diellit strategjia e tij për të veshur me pushtet të gjithë individët me rekorde kriminale të cilët e ndihmuan atë të blenin vota dhe kërcënonin votuesit, sidomos në veri të vendit, ku Rama nuk kishte asnjë mundësi të fitonte me zgjedhje të lira e të ndershme.

Së dyti, RAMA me këtë akt vazhdon të mos pranojë, sulmojë apo pengojë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit duke i dhënë mesazhin e mbështetjes të gjithë individëve të tjerë me rekorde të tmerrshme kriminale, sidomos veprimeve të tyre në fushatën e ardhshme elektorale. Por harron se sa më shumë Rama fshihet pas kësaj teknologjie aq më shumë njerzit në protestë kërkojnë largimin e tij.

Së treti, RAMA ka mundur të shmangë përplasjen e rradhës me Metën e më konkretisht një shuplakë të fortë që do ti jepte anëtari i LSI në KQZ kryetarit të saj rilindas Denar Biba, i cili është diskretituar në trajtimin e “cështjes Prenga”, duke u perceptuar nga publiku e partnerët si një “mbrojtës me pagesë” i individëve me rekorde të tmerrshme kriminale. Kjo është vetëm shtyrje në kohë e përplasjes Rama-Meta.

Së katërti, RAMA me këtë akt ka synuar të shmangë një dënim të trefishtë të Prengës për dosjen e Italisë, për moskallzimin e dënimit në Shqipëri dhe cështjen e përdorimit të armës kundër bashkëqytetarëve të tij, sepse një dënim i rëndë i tij jo vetëm s’mund të mos bënte pis edhe vetë Ramën por mbi të gjitha do të hiqte cdo mundësi që Rama ta përdorte në mënyrë të maskuar Prengën në fushatën e ardhshme elektorale. I mbetet Prokurorit të Përgjithshëm të cojë deri në fund “cështjen Prenga” por edhe të thellojë luftën kundër të gjithë individëve me rekorde të tmerrshme, duke mos toleruar asnjë rast dhe zbuluar në cdo rast rolin e Ramës, largimin e të cilit do ta realizojnë shumë shpejt qytetarët në protestë.

Së pesti, RAMA do të përpiqet ta përdorë këtë akt, dhe ky është synimi më qesharak e më i turpshëm, si një argument për fituar mbështetjen/simpatinë e Donald Lu dhe/ose Romana Vlahutin, për të treguar se ai i bindet porosive të tyre përsa i përket dekriminalizimit, dhe është me ta për reformën e drejtësisë, ndërkohë që realisht Rama ka treguar dhe po tregon vecse të kundërtën, pra se është pikërisht Rama ai që “ka programuar futjen në parlament të individëeve me rekorde të tmerrshme kriminale, i ka përdorur ata sa herë i ka interesuar dhe mundet ti largojë kur ata i shkaktojnë probleme, natyrisht duke i premtuar se në rastin më të parë do ti shpërblejë…” dhe së kërkon që përmes reformës në drejtësi ti shpëtojë dënimit duke e vendosur drejtësinë nën kontroll. Shpresoj që kjo lojë e shëmtuar të jetë kuptuar nga ambasadori Lu e Vllahutin nëse s’duan që publiku shqiptar ti perceptonte të rrjeshtuar apo rezonancë me marifetet makiavelike të Ramës.

Please follow and like us: