Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogani, ky prishës i unitetit shqiptar

Hajro Limaj*

Para disa ditësh shkova në Spitalin Amerikan për t’u konsultuar me dy mjekë ortopedë turq: profesor Kenanin dhe doktor Ënder, të cilet prej vitesh punonin në këtë spital. Kur shkova në paradhomën e profesorit, me të cilin njihem prej kohësh, sekretarja më tha se ai është larguar dhe nuk punon më në këtë spital.

– Po mirë – i thashë, po shkoj të takoj doktor Ënderin!

– Edhe ai ka ikur – më tha dhe uli kokën. U rikthyen në Turqi apo kanë shkuar në spitalin 1 apo 3 tuajin? – e vazhdova pyetjen.

– Jo, jo! – tha. Ata i kanë shkëputur marrëdhëniet plotësisht me spitalet amerikanë në Shqipëri dhe janë interesuar për t’u punësuar në ndonjë spital tjetër në Tiranë.

– Mos ma merr për keq vazhdova interesimin, ikën me dëshirën e tyre apo i larguat ju?

Sekretarja ngriti kokën dhe qetësisht m’u përgjigj : “I largoi nga puna Erdogani, me urdhër të ambasadës turke në Tiranë“.

-Po ç’punë ka Erdogani se ku do të punojnë doktorët turq në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër? –këmbëngula.

– Ja që paska – vazhdoi sekretarja.

Zbrita poshtë tek kafja dhe duke pirë një kafe me dy mjekë shqiptarë mësova të vërtetën. Mjekëve turq që punojnë në spitalet amerikanë në Tiranë u kishte shkuar urdhëri se vazhdimi i mëtejshëm në këto spitale do t’i ndëshkonte si anëtarë të organizatës terroriste të Gylenit. Dhe ata, pa dëshirën e tyre, por nga kërcënimi u detyruan të largohen nga puna, ndryshe kur të shkonin në Turqi do të arrestoheshin në aeroportin e Stambollit, sic kanë bërë me qindra e mijëra të tjerë.

Mirë shkolla, po Spitali Amerikan ç’lidhje ka me Gylenin? – i pyeta.

– Ku ta dimë ne, – m’u përgjigjen dy doktorët tanë, por veprime të tilla në Shqipëri nuk kanë ndodhur as në kohën e Enver Hoxhës.

– Dhe jo vetëm dy ortopedët,- vazhdoi njeri prej tyre,- por edhe nje kirurg mjaft i mirë dje u largua nga kjo frikë.

Unë isha në dijeni se edhe në “AlbTelecom”, po me urdhër të ambasadës turke në Tiranë, janë bërë spastrimet e shqiptarëve që kanë mbaruar kolegjet në Shqipëri apo universitete në Turqi me mbështetjen e këtyre kolegjeve. Bile dy prej tyre ishin shumë të suksesshëm dhe ishin drejtorë të rëndësishëm. Po kështu në “KURUM”, “Eagle Mobile”, etj.. Pra institucionet turke që janë në Shqipëri spastrohen nga kuadrot apo punonjësit shqiptarë pse kanë studiuar apo janë mbështetur nga kolegjet turke, që janë hapur me vetë mbështetjen e shtetit turk.

Po, po me mbështetjen e shtetit turk. Për këtë na ndihmojnë faktet. Shiritin e hapjes së shkollës së parë, të kolegjit “Mehmet Akif” në vitin 1993 e preu presidenti i kohës në Turqi, Turgut Ozal.

Vetë Erdogani, kur ishte kryeminstër, në vitin 2013 vizitoi Kompleksin Arsimor “Turgut Ozal” nëTiranë. Ndërsa presidenti Gyl hapi punimet për ndërtimin e Universitetit “Epoka”…

Por Erdogani tani nuk lë gur pa lëvizur kundër tyre. E çuditshme! Ambasada turke në Tiranë ka urdhëruar të gjithë turqit që punojnë në Shqipëri t’i heqin femijet e tyre nga shkolla dhe universitet turke.Me dhimbje dhe jashtë dëshirave të tyre ata që punojnë në institucione shtetërore i hoqën, bile nga frika edhe shumë të tjerë që punojnë në institucione private. Shumë pak i rikthyen. Ata ishin shumë të kënaqur nga arsimimi dhe edukimi i fëmijve të tyre në këto shkolla…

Kushdo nga shqiptarët që e lexon këtë shkrim me të drejtë mund të habitet dhe të pyesë:

Ç’ është Erdogani në Shqipëri?! Sulltan? Pronar, guvernator ?! Ç’është ky president i Turqisë që fut hundët kaq hapur në punët e brendshme të shtetit shqiptar? Kolegjet dhe universitetet me menaxherë turq janë institucione arsimore shqiptare, të hapura dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe nën kontrollin e plotë saj. Janë njesoj si Universiteti i Neë Yorkut, Universiteti Zonjës së Mirë… Po keni dëgjuar ju qe në këto institucione të bëjnë spastrime presidenti i Amerikës, Greqisë apo Italisë? Kurrsesi jo. Ndërsa Erdogani, mbasi i shpërtheu skandali i arrestimit të katër fëmijve të ministrave të tij dhe i padisë ndaj të birit për pastrimin e 1 miliardë dollarëve në bankën shtetërore në Ankara, e fajësoi si “kundërshtar armik” aleatin Gylen, që jeton në Amerikë. Dhe zinxhirin e armiqësisë kërkon ta shpërndajë në të gjithë botën. Ne jemi shqiptarë dhe jetojmë në trojet tona, në shtetet tona. Problemet dhe konfliktet e tij personale Erdogani nuk ka aspak të drejtë t’i importojë në Shqipëri. Nuk ka aspak të drejtë që të luftojë që t’i ndajë shqiptarët në “gylenistë” dhe “erdoganas”.  Ne jemi vetëm shqiptarë dhe nuk mund të bëhemi pjesë e askujt. Ne duam më shumë atdheun, unitetin dhe prosperitetin tonë. Se e prishi unitetin e popullit turk Erdogani , nuk është faji ynë. Megjithatë, ndjejmë keqardhje për këtë fatkeqësi të një populli mik. A e shikoni se me kë kemi të bëjmë? “Miku i madh“ i Shqipërisë, “partneri strategjik” fut hundët dhe shkatërron unitetin dhe mirëkuptimin midis dy vendeve dhe midis dy popujve për qëllimet e tij të mbrapshta. Ai mendon se është zot edhe i Shqipërisë dhe në kundërshtim me të gjitha politikat që kanë ndjekur paraardhësit e tij, Turgut Ozal, Sulejman Demirel, etj., kërkon t’i krijojë probleme të brendshme Shqipërisë. Ai tashmë nuk është mik i vërtetë i askujt, sepse politikat e tij të brendshme dhe të jashtme shkatërruan shtetin laik, demokratik dhe ligjor të Republikës së Turqisë.

*“Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare”/Ish-atashe ushtarak i Shqipërisë në Turqi

Please follow and like us: