Europa mund të të bëjë krenar
Franca ndodhet para zgjedhjeve të rëndësishme. Fitorja e populistes, Le Pen do të ishte një goditje për Europën. Duhet të përzihet qeveria gjermane në fushatë? Richard Fuchs mendon se ajo madje duhet ta bëjë këtë.
Marine Le Pen nuk u fal asgjë kundërshtarëve politikë, as Gjermanisë. Fqinji gjerman është fajtor për gjendjen mizerabël të “Grande Nation” si në ekonomi edhe në politikë. Euro është për Le Pen “arma politike” e gjermanëve. “Urdhrat gjermanë”, sipas saj, i kanë rrëmbyer Francës pavarësinë. Terrori islamist përmbyti Francën edhe për shkak të kaosit të shkaktuar nga Merkeli me politikën e saj të refugjatëve.
Shkurt, kësaj Gjermanie duhet t’i dalë dikush ballazi, bën thirrje kryetarja e Front National tek përkrahësit e saj. Katalogu i saj i kërkesave është i thjeshtë për njerëzit që nuk e vrasin shumë mendjen, i shkurtër dhe radikal: braktisje e euros, braktisje e zonës së Shengenit, braktisje e Bashkimit Europian.
E ardhmja e Gjermanisë vendoset në Francë
Në garën presidenciale në Francë, Marine Le Pen konsiderohet si një fituese e mundshme megjithë retorikën e izolimit. Të paktën ajo ka shumë gjasa të fitojë njërin nga dy raundet zgjedhore. Një e treta e votuesve e përkrah politikën e Le Pen. Nëse nga këto zgjedhje mund të dalë më shumë për populisten nuk dihet. Por që nga Brexit dhe zgjedhja e Trumpit nuk përjashtohet më asgjë. Në rast se arrihet tek një „Frexit”, atëherë kjo do të thoshte edhe fund i bashkëpunimit europian, ashtu si e njohim sot. Pa dyshen Gjermani-Francë shuhet edhe miti i krijimit të BE-së – një shpërbërje e mëtejshme do të ishte shumë e vështirë të ndalej.
Duhet ta kuptojmë së është mjaft real dështimi i idesë europiane. Ky rrezik nuk bëhet më i vogël, nëse nuk merresh me të. Kjo vlen si për qeverinë gjermane, ashtu edhe për të gjithë ata, që e kanë për zemër miqësinë gjermano-franceze. Si rrjedhojë nuk mjafton më të qëndrosh si një vëzhgues netrual dhe i pavarur nga ana tjetër e Rinit.
Duhet folur për sukseset e Europës
Brexit na tregon se është momenti të debatojmë për vlerat europiane, edhe në fushatat zgjedhore kombëtare. Shumë kanë qenë të bindur, që forcat proeruopiane do mund të bindnin shumicën e votuesve në Mbretërinë e Bashkuar për avantazhet e anëtarësisë në BE. Por ata dështuan. Kjo sigurisht kishte të bënte nga njëra anë me përhapjen e frikës absurde dhe gënjeshtrave apo gjysëm të vërtetave nga ana e përkrahësve të Brexit. Por nga ana tjetër ka luajtur rol edhe fakti që nuk u gjend askush që të përfaqësonte me besueshmëri të qartë sukseset e Europës. Pikërisht ky boshllëk nuk duhet ekzistojë për herë të dytë, në zgjedhjet në Francë.
Dora e zgjatur nga ana tjetër e Rinit
Politika gjermane mundet dhe duhet të luftojë për të ardhmen e përbashkët në shtëpinë europiane. Kjo do të thotë të mbash anën e sukseseve që ka arritur Europa, që me sa duket janë kaq prezente, saqë nuk vihen më re. Këtu bën pjesë: Qarkullimi i lirë në kufij, garancia e sigurisë ligjore edhe në vende të tjera, pa dallim, garancia e të drejtave të njeriut kudo në BE. Lista duhet të zgjatet më shumë, sepse Europa është më shumë se burokracia e saj, E pikërisht kjo Europë duhet dhe mund të na bëjë krenarë.
Nëse politikanët gjermanë dhe shoqëria civile ndërhyjnë me këtë mesazh në fushatën zgjedhore në Francë, atëherë ky është investim për të ardhmen. Kush e ka për zemër një projekt, i gjen edhe përgjigjet që kërkohen për reformat e nevojshme. Dora e zgjatur nga ana tjetër e Rinit që e bën, Robert Schuman, njërin nga baballarët themelues të BE-së të paharrueshëm, mbetet përgjigja e duhur për tonet armiqësore të Marine Le Pen.