Historia e makinës së Enver Hoxhës që arrinte 120 km në orë
Në vitet e shkëlqimit historik do ishte ëndërr t’i qëndronim pranë këtij prototipi të “Skodës”, ndërsa sot ajo gjendet mes makinash të viteve të fundit në një autoservis të Lezhës, si dëshmi kohës së pakthyeshme…
Modeli unik, për të cilin thuhet se ka vetëm 100 ekzemplarë në botë, ka rënë në duar të dy vëllezërve që kanë patur një lidhje nga gjyshi i tyre me ish-diktatorin Hoxha.
Xhamat e trashë janë me shenja plumbash, si për të testuar sa mund të përballonte. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, motori është ende në gjendje pune, ndërsa shpejtësia maksimale që mund të arrinte ka qenë 120 km.
Modeli që mban numrin e serisë 5337 është prodhuar në Çekosllovaki në vitet ‘50-52…ka një gjatësi rreth 6 metra, me peshë të konsiderueshme dhe ishte e personalizuar deri në detajet më të imta.
Pronari i makinës me të cilën lëvizte ish-diktatori në vitet ’50-të ka pohuar se është interesuar dhe e ka gjetur atë, pasi gjyshi i tij ka qenë shok me Enver Hoxhën, madje në disa foto kanë dalë së bashku.
“Së pari, makinën do ta rregulloj dhe do ta bëj funksionale, siç ka qenë më parë. Pastaj do mendoj nëse do e çoj në muze apo do e shes. Ajo i ka të gjitha të rregullta, dhe sediljet ku është ulur Enveri. ‘Skoda’ ndodhet në ofiçinë dhe ka shumë plumba në xhamat e blinduar të saj. Gomat i ka prej mishi, pra të mbushura dhe jo tubolare, të cilat akoma qëndrojnë, por janë të shfryra. Në xhamin e shoferit është bërë një vrimë e madhe nga breshëritë e fishekëve dhe goditje me sende të forta për të provuar nëse mjeti është i blinduar. Timoni është origjinal dhe sediljet po ashtu”, ka thënë para disa kohësh në një intervistë, Bledari nga Lezha që tani në pronësi makinën.
I pyetur se sa i ka kushtuar për ta blerë, Bledari (pronari i makinës) ka pohuar: “Më ka kushtuar shumë, por vlerën nuk do e them”.
Mësohet se Enver Hoxha e ka mbajtur për 9 vite këtë makinë, për ta zëvendësuar më pas me një tjetër, tip “Zim” dhe më pas me “Mercedes”.