Irena Kita, jo vetëm e bukur
Si të jetojmë një jetë të shëndetshme e të ndiheni gjithmonë të bukura? Irena Kita, një prej personazheve më të kuruar të skenës shqiptare, aktive në jetën kulturore dhe sociale dhe ‘maniake; pas sportit, tregon sekretin.
Intervistoi: Elda Laze
Kur ka qenë momenti i parë që fillove seriozisht të mendoje që duhet të merreshe me sport?
Ka ardhur shumë natyrshëm. Që në fëmijëri kam qenë një fëmijë me shumë energji, gjë të cilën e kam trashëguar edhe tek vajza ime. Në moshën pesë vjeçare jam marrë me sport, më vonë pata fatin të bëja pjesë në klasë sportive deri në fund të gjimnazit. Rreth moshës 17 vjeçare shkova për herë të parë në palestër dhe që aty nuk jam ndalur më. Kur shkova të studioja jashtë e kuptova akoma më shumë rëndësinë e sportit dhe ndikimin që ka në jetën tonë.
Si lindi nevoja për t’u marrë me sport?
Mendoj se buron nga brenda shpirtit. Sporti është kuratori më i mirë i shpirtit dhe mendjes dhe jeton në simbiozë perfekte me trupin e njeriut. Gjithmonë e kam konsideruar ilaçin më të mirë të lumturisë dhe antistresit.
Si të ka ndryshuar trupi gjatë viteve?
Ndryshimi më i madh natyror që kam patur ka qenë shtatzënia, për t’u rikthyer menjëherë në linjat që kam pasur gjithmonë. Kur merresh me sport fiton një disiplinë që e reflekton kudo në jetë; në stilin e jetesës, në të ushqyer etj., dhe për mua ka ardhur shumë natyrshëm rikthimi në formë.
Sa orë stërvitesh në ditë?
Mesatarisht stërvitem 3-4 herë në javë rreth një orë. Gjatë verës stërvitem edhe ditë për ditë, pasi më pëlqen shumë të luaj tenis dhe të bëj vrap në natyrë. Ushtrimet fizike ndikojnë për një jetë të shëndetshme më të gjatë, më të mirë dhe më të zgjuar.
Cila është një rutinë sportive që ka rezultuar shumë e efektshme për ty?
Në sport asgjë nuk konsiderohet rutinë. Përgatitja fizike është vetëm kënaqësi për shpirtin dhe trupin. Zakonisht i alternoj sportet për të qenë më gjithëpërfshirëse në aktivitetet fizike. Sporti është një mekanizëm, që vë mrekullisht në punë trupin dhe çdo qelizë dhe në fund sjell kënaqësi dhe shëndet.
A është shumë vonë për t’u marrë me sport?
Asnjëherë nuk është vonë për t’u marrë me sport, pasi prej tij vetëm përfiton jetëgjatësi dhe shëndet të vazhdueshëm. Duhet theksuar që trupi nuk vepron njësoj kur je 20, 30, 40 vjeç e në vazhdimësi. Duhet të merret informacioni i duhur i mënyrës e të bërit sport, në mënyrë që të mos ketë efekte anësore dhe të dëmtohen pjesë të ndryshme të trupit.
Mund të fillojë një grua rreth të 50-ave për shembull të ndryshojë trupin e saj?
E përmenda edhe më parë që çdo moshë le të themi ka një protokoll në të ushtruarit e sporteve të ndryshme. Sigurisht që po, por duhet pasur parasysh që në këtë moshë duhet bërë një stërvitje e moderuar, pasi nuk mund të shkohet kundra kohës dhe natyrës. Duhet cilësuar që muskujt ndërtohen dhe dalin në pah në rini dhe sa më shumë të kalojnë vitet aq më shumë përtacë bëhen muskujt dhe çdo proces që përshpejtohet nga aktivitetit fizik.
Si e imagjinon veten tënde në moshën 50-vjeçare?
Shpresoj të jem në top formë për moshën 50 vjeçare. Jeta ka proceset e saj dhe ne na ngelet vetëm t’i përulemi dhe të bëjmë maksimumin që ta jetojmë atë në mënyrën më të mirë që ekziston. Mendoj se do bëj yoga gjithë kohës:)
Ke frikë nga plakja?
Sigurisht që kam. Do ishte çmenduri të thoja të kundërtën. Ajo që më frikëson më shumë është pamundësia fizike dhe transformimi. Për momentin dua të shijoj rininë time me gjithë bukurinë dhe freskinë që më është dhuruar.
Je pro apo kundër operacioneve plastike?
Jam pro kur ato janë të domosdoshme, brenda kufijve të natyralitetit dhe nuk të ndryshojnë pamjen në mënyrë drastike.
Je një femër shumë e bukur, e mendon që një ditë mund ta humbasësh këtë bukuri? Të frikëson kjo ide?
Shumë faleminderit ? . Mendoj se bukuria kthehet në fisnikëri pas një farë moshe dhe në gjenet e mia kjo është e vërtetuar. Shpresoj të kem fatin të kem të njëjtën fisnikëri si gjyshja e mami im.
Po nevoja për t’u bërë fashion blogger si lindi?
Lindi thjesht për pasion. Para tre vitesh e materializova në një web si te irenakita.com dhe impakti ishte shumë mbresëlënës. Që prej atëherë nuk jam ndalur më. Fashion është një tjetër pasion i imi i madh dhe çdo pasion unë e vë në jetë për ta përjetuar e të marrë kënaqësinë e tij.
Tashmë nuk besoj se mund të ekzistojë njëe shqiptar që nuk e njeh Irena Kitën. Ka qenë e vështirë për të krijuar një imazh publik?
Unë se kam kuptuar deri në momentin kur kjo gjë më përfshiu. Pa diskutim blogu, rrjetet sociale, dalja në media dhe përfshirja në një spektakël kërcimi bënë që ky imazh të krijohej dhe për këtë iu jam tepër mirënjohëse. Lajmet dhe rrjetet sociale kanë një shpejtësi marramendëse dhe gjithkush mund të bëhet i njohur për një arsye ose tjetër. Mendoj se më e vështirë është të rimbash e kurosh figurën e një personazhi publik se sa ta krijosh atë.
Fillimisht ke qenë një personazh i krijuar nga rrjetet sociale. Cili është qëllimi i të qenit një imazh publik sot? Ju vetë për çfarë e keni përdorur këtë status, të qenit personazh publik?
Të qenit imazh publik është shumë kompleks, pasi të përfshin në një botë marketingu ku ti flet me gjuhën e tij. Për sa i përket ‘imazhit publik’ ka plot sfida që dalin çdo ditë, dhe unë jam përpjekur që ky imazh mos jetë larg Irenës së zakonshme. Pa diskutim që është trampolina më e mirë për të bërë marketing dhe unë këtë e kam bërë aty ku interesat e mia janë të dukshme.
Mendon se rrjetet sociale, kanë krijuar edhe modele falso personazhesh publikë?
Rrjetet sociale janë ato që ngrenë e ulin një personazh. Media sociale ka një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e të gjithë personazheve. Për sa i përket personazheve, unë parapëlqej ato që janë me një background të formuar në mënyrë që t’i rezistojnë kohës dhe të kenë diçka për të ndarë me shikuesit apo lexuesit.
Sot Irena Kita është shndërruar në një model që ka shumë ndjekës dhe frymëzon mijëra vajza dhe femra. E ndjen peshën e përgjegjësisë së një roli të tillë?
Pa diskutim që po. Të jesh një personazh publik, të ngarkon me përgjegjësinë për të qenë e kujdesshme edhe me atë që i përcjell ndjekësve, pasi janë ata që në fund japin verdiktin final.
Cili është modeli i femrës që dëshiron të krijosh?
Kjo që jam, me pasionet, të mirat e të këqijat mia. Unë e jetoj jetën në 360 gradë. Jam shumë optimiste dhe nuk më pëlqen të ankohem. Edhe kur kam momente të vështira preferoj t’i kaloj duke u përqendruar tek gjërat e bukura që më ka dhuruar jeta.
Ju jeni edhe mamaja e Sofisë, ka ndryshuar personaliteti yt pasi u bërë nënë?
Mund të them, që më ka bërë shumë më të përgjegjshme ardhja në jetë e Sofi-së. Nuk kam vënë gjumë në sy dy vitet e para të jetës së saj. E kam ushqyer me gji për 15 muaj dhe kam shijuar dhe shijoj çdo moment e të qenit nënë. Nuk më bëjnë përshtypje sakrificat, sepse përmes tyre mëson se çfarë do të thotë të jesh nënë. Është vërtetuar se një nënë e realizuar dhe e kënaqur me punën e saj transmeton një imazh pozitiv tek fëmija dhe unë dua të jem e tillë për vajzën time.
Si i ruan ekuilibrat mes familjes dhe përkushtimeve profesionale?
Secila nga të dyja ka rëndësinë e vet. Familja dhe karriera janë dy dashuritë më të mëdha të njeriut. Të ndryshme, por tepër të rëndësishme. Sigurisht që raporti midis rëndësisë, apo kohës që i jepet karrierës dhe familjes është subjektiv . Megjithatë gjykoj se investimi kryesor i përket dhe duhet t’i përkasë familjes, natyrisht pa neglizhuar rëndësinë e karrierës. Karriera dhe profesioni janë të rëndësishme, por ato duhet të jenë gjithnjë në funksion të familjes. Sepse nga njëra anë karriera afatgjatë mund të jetë e suksesshme vetëm nëse mbështet në një familje të shëndetshme dhe nga ana tjetër një mbarëvajtje familjare përbën një themel të fortë për një karrierë të sigurt.
Duket sikur Irena ka gjithçka që dëshiron në jetë; një familje të bukur, është e famshme, bën jetë të mirë (nuk po them luks sepse e di që do të më kundërshtosh) dhe e shijon në maksimum jetën. Por a ka diçka që të mungon?
Dashuria dhe dëshira kanë qenë motori i energjive në jetën time. Mendoj se kam gjithçka dhe falënderoj Zotin për këtë. E vetmja gjë që më mungon është Bologna, qyteti ku unë kam studiuar dhe kam kaluar një pjesë të mrekullueshme të jetës time. Aty jam formuar dhe ndërgjegjësuar se në këtë jetë çdo gjë arrihet me shumë mund dhe përkushtim, se pasionet duhen vënë në jetë dhe se jeta është e mrekullueshme sido që të vijë.
Shumë njerëz jetojnë me një filozofi të tyre të jetuarit, e jotja cila është?’
Çdo gjë ndodh për një arsye dhe më e rëndësishmja, që gjithçka që ndodh këmbët ti kesh në tokë dhe sytë nga yjet.
“Harmony”