Kuran i lashtë, më i rëndësishmi për myslimanët
Një kopje e lashtë e Kuranit, e gjetur në Universitetin e Birminghamit mund të ketë qenë i Ebu Bekrit, njërit nga myslimanët e parë të botës.
Të dhënat radiokarbone të nxjerra në korrik të vitit të kaluar, treguan se kopja mund të jetë të paktën 1,370 vjet e vjetër, duke rritur mundësitë se kjo mund të jetë kopja më e vjetër e librit të shenjtë Islam që ekziston.
Jamal bin Huwareib, drejtor në Fondacionin për Studime Islame “Mohammed bin Rashid Al Maktoum”, sugjeron se një dokument kaq i hershëm mund të jetë autorizuar nga një numër i vogël i njerëzve – me shumë gjasa nga Ebu Bekri, transmeton Gazeta Express.
Ebu Bekri mendohet se është personi i parë që u kthye në Islam jashtë familjes së Muhamedit. Ai shërbeu si një mik dhe këshilltar besnik i profetit dhe u bë kalifi i parë mysliman më 632, duke udhëhequr për 27 muaj deri në vdekjen e tij më 634.
Mosha e Kuranit të Birminghamit do të thotë se ai mund të jetë krijuar në vitet e hershme të Islamit, kur popullsia globale e botës myslimane ishte vetëm me qindra.
“Unë besoj se ky është Kurani i Ebu Bekrit”, kishte thënë Huwareib për BBC News, duke shtuar: “Është zbulimi më i rëndësishëm ndonjëherë për botën myslimane”.
Ky Kuran ishte gjetur më 2015 në universitetin e qytetit, pasi kishte humbur për më shumë se një shekull.