Lavdia e harruar e Perandorisë Bizantine themeluar dhe drejtuar nga ilirët
Origjina e një qytetërimi të madh me emrin Perandoria Bizantine nis në vitin 330 para Krishtit, kur perandori romak nga Iliria, Konstandini i Madh themelon një “Romë të re” në koloninë e Bizantit, qytet madhështor që më vonë merr emrin e tij.
Perandoria Bizantine ekzistoi për rreth 1125 vjet, dhe është një nga perandoritë më të mëdha të të gjitha kohërave. Rruga e krijimit të saj filloi me të qenit kryeqytet i pjesës Lindore të Perandorisë Romake, qyteti i Kostandinopojës – më pas Bizanti, dhe sot Stambolli – u bë kryeqendra e një shoqërie që ruajti traditat greke, romake dhe ilire, ndërkohë që pjesa më e madhe e Perëndimit kaloi në Periudhën e Errët (e konsideruar si periudha e injorancës, supersticionit dhe kaosit social). Perandoria Bizantine mbrojti trashëgiminë kulturore të Europës Perëndimore deri në zhdukjen e barbarizmit. Historia e kësaj perandorie që u themelua nga perandorët ilirë.
Dy nga arkitektët e saj më të mëdhenj ishin ilirë: Kostandini i Madh (rreth 275-rreth 337 e.s.), dhe akoma Justinianin I (483-565 e.s.)
Perandoria Bizantine
Nga Kaukazi në Atlantik, nga Krimea në Sinai, nga Danubi në Sahara, ky ishte territori i Perandorisë Bizantine në kulmin e fuqisë së saj. Shumë historianë thonë se ajo zgjati nga shekulli i 4-ët deri në shekullin e 15-të të e.s. Ajo ishte një perandori e cila, jo vetëm ruajti kulturën greko-romake, por edhe luajti një rol të madh në përhapjen e të ashtuquajturit krishtërim. Ajo themeloi dhe i përmblodhi në një sistem ligjor zakonet politike, shoqërore dhe fetare, të cilat kanë mbetur gjallë deri sot e kësaj dite.
Megjithatë, kjo perandori e fuqishme pati një fillim jashtëzakonisht modest. Nga ana historike Perandoria Bizantine ishte një vazhdim i Perandorisë Romake në Lindje. Mbetet e diskutueshme data e lindjes së saj.
Disa historianë shohin Dioklecianin (rreth 245-rreth 316 e.s.) si perandorin e parë bizantin, të tjerë Kostandinin e Madh (rreth 275-rreth 337 e.s.); dhe të tjerë akoma Justinianin I (483-565 e.s.). Sidoqoftë, shumica pranojnë që Perandoria Bizantine filloi të marrë pamjen e një entiteti më vete kur perandori Kostandin e zhvendosi kryeqytetin e perandorisë së tij nga Roma në Bizant në vitin 330 të e.s. Ai e quajti qytetin sipas emrit të tij, Kostandinopojë (Stambolli i ditëve tona).
Është interesante që, as sundimtarët, as shtetasit e perandorisë s’e quajtën ndonjëherë veten bizantinë. Ata e konsideronin veten si romakë ose Romaioi. Termi “bizantin” nuk u fut në përdorim deri pas shekullit të 14-të.
Një kryeqytet plot shkëlqim
Një historian e përshkruan Kostandinopojën e lashtë si “të pasur në famë dhe shumë më të pasur në zotërime”. E ndodhur në kryqëzimin e rrugëve midis Evropës dhe Azisë—në ngushticën e Bosforit—Kostandinopoja ngrihej si mbi një gadishull që mund t’i siguronte mbrojtje të mirë, ashtu edhe mbi një liman të sigurtë, Bririn e Artë. Në vitin 657 p.e.s. kolonët grekë e quajtën vendin Bizant sipas udhëheqësit të tyre legjendar Bizas. Më se dhjetë shekuj më vonë vendi u konsiderua si Roma e Re, duke u bërë vendbanimi i një gjysmë milioni njerëzish në kohën e lavdisë së tij, midis shekullit të 6-të dhe të 11-të të e.s.
Vizitorët nga Perëndimi mahniteshin nga ky metropol dhe qendër madhështore e rrugëve tregtare të botës. Porti i tij ishte i mbushur përplot me anije. Tregjet e tij ofronin mëndafshe, gëzofë, gurë të çmuar, drurë aromatikë, fildish të gdhendur, ar, argjend, bizhuteri të emaluara dhe erëza. Kuptohet, Kostandinopojën e kishin zili fuqitë e tjera, kështu që ato vazhdimisht përpiqeshin të thyenin muret e saj. Para pushtimit osman të 1453-it, sulmuesit ia dolën mbanë vetëm njëherë ta mposhtnin qytetin, në rastin e Kryqëzatës së Katërt nga të ashtuquajturit të krishterë. “Që nga krijimi i botës nuk ishte parë e as ishte fituar ndonjëherë një thesar kaq i madh”,—thërriti pjesëmarrësi në kryqëzatë Rober de Klari.
Një trashëgimi e qëndrueshme
Mund të duket e pabesueshme, por qeverisja bizantine, ligjet, konceptet fetare dhe madhështia e riteve vazhdojnë të ndikojnë në jetën e miliarda njerëzve sot. Për shembull, përpilimi i famshëm i Justinianit për parimet ligjore i quajtur Corpus Juris Civilis (Trupi i së Drejtës Civile) u bë themeli për të drejtën romake në Evropën e sotme kontinentale. Nëpërmjet Kodit të Napoleonit, normat ligjore bizantine u përçuan në Amerikën Latine dhe në vende të tjera, në të cilat kanë ende një ndikim të madh.
Për më tepër, arkitektët bizantinë mësuan si të vendosnin një kupolë të madhe mbi një hapësirë katërkëndëshe—stil që u përhap deri edhe në Rusi. Madje, disa u japin bizantinëve meritën e përhapjes së përdorimit të pirunjve në tavolinën e ngrënies. Në Venecie në shekullin e 11-të, kur një princeshë bizantine përdori një pirun dydhëmbësh në vend që të hante me gishtërinj, shikuesit u shtangën! Megjithatë, shekuj më vonë, piruni filloi të përdorej ndër të pasurit. Edhe papët e Romës i hapën udhë ndikimit bizantin, duke vënë një diademë të modeluar sipas asaj të perandorit bizantin. Ngjashëm, monarkët e Anglisë imituan sferën e perandorit dhe skeptrin e tij.
Ligj dhe rregull
Perandoria Bizantine, la pas edhe një përmbledhje tërheqëse të politikës qeverisëse. Për shembull, nevojtarët viheshin për të punuar në furra buke shtetërore dhe në kopshte perimesh. “Papunësia çon drejt krimit”, besonte perandori Leo III (rreth 675-741 e.s.). Meqenëse mendohej se dehja shkaktonte rrëmujë dhe rebelim, tavernat mbylleshin në orën 20.00.
National Geographic Magazine thotë se “incesti, vrasjet, prodhimi ose shitja private e pëlhurave të purpurta (të rezervuara vetëm për anëtarët e familjes mbretërore) ose t’u mësoje artin e ndërtimit të anijeve armiqve mund të shkaktonin prerje koke, vënie në shtyllë—ose mbytje në ujë brenda një thesi me një derr, një gjel, një nepërkë dhe një majmun. Shitësi që bënte hile në matje humbiste dorën. Zjarrvënësit digjeshin”.
Është interesante që Perandoria Bizantine siguronte në të njëjtën mënyrë, përkujdesje nga fëmijëria deri në vdekje, të siguruar sot nga shërbimet e mirëqenies sociale. Perandorët dhe shtetasit e pasur bënin përpjekje të mëdha për të financuar spitalet, azilet për të varfërit dhe jetimoret. Kishte shtëpi për prostitutat e penduara—disa prej të cilave u bënë “shenjtore”—e madje një qendër riedukimi për gratë e shthurura aristokrate.
Një perandori e ngritur mbi tregtinë.
Një bujari e tillë pasqyronte begatinë që gëzonte perandoria. Shteti kontrollonte çmimet, pagat dhe qiratë. Gruri vihej rezervë për të plotësuar nevojat gjatë të korrave të dobëta. Punonjësit shtetërorë mbikqyrnin dyqanet për të kontrolluar peshat dhe masat, librat e llogarive dhe cilësinë e mallit. Akaparuesit, kontrabandistët, mashtruesit, fallsifikatorët dhe shmangësit e taksave përballeshin me ndëshkime të rënda.
Vetë perandori ishte tregtari dhe fabrikanti kryesor i perandorisë, me monopole në prerjen e monedhave, në armatime dhe në sendet e famshme bizantine të luksit. Justiniani vetë themeloi industrinë e famshme të mëndafshit me vezë krimbi mëndafshi të sjella kontrabandë nga Kina.
Shërbimet e sigurimit dhe të dhënies së kredive ishin po ashtu të zhvilluara. Veprimet bankare kontrolloheshin me rreptësi. Solidusi prej ari, monedha e nxjerrë nga Kostandini, ruajti vlerën e saj për dhjetë shekuj. Ajo ishte monedha më e qëndrueshme në histori.
Oborri mbretëror bizantin
Atëherë, si u shoqërua fjala “bizantin” me intrigën, tinëzinë dhe pabesinë? Sipas historianit Uilliam Leki, pas pamjes vezulluese të oborrit mbretëror bizantin, kurdisej “një histori monotone intrigash nga priftërinj, eunukë dhe gra, si edhe histori helmimesh, komplotesh, mosmirënjohjesh të vazhdueshme vëllavrasjesh pa mbarim”.
Shkrimtari Mërël Sevëri vëren: “I rrethuar nga uzurpatorë dhe vrasës të mundshëm, asnjë perandor i paaftë nuk qëndronte si përfaqësues i Zotit në tokë për shumë kohë. Nga 88 perandorët, që nga Kostandini I tek i XI-ti, 13 u futën në manastire. Tridhjetë të tjerë vdiqën në mënyrë të dhunshme—nga uria, të helmuar, të verbuar, të qëlluar me çomangë, të mbytur, të goditur me thikë, të gjymtuar, me kokë të prerë. Kafka e Nikeforosit I u bë një kupë e larë me argjend me të cilën Krum Hani i Bullgarisë ngrinte dolli me bojarët (fisnikët) e tij.”
Edhe shenjtori Kostandini i Madh vrau djalin e tij të madh dhe gruan e mbyti në vaskë. Perandoreshës Irenë (rreth 752-803 të e.s.) i ishte kthyer kaq shumë në mani mbajtja e pushtetit, saqë verboi të birin dhe i mori atij titullin e perandorit.
Rruga drejt rënies
Por, nuk ishin intrigat politike që çuan në rënien e perandorisë. Në Perëndim, Evropa filloi të ndryshonte nëpërmjet Rilindjes, Reformës dhe Iluminizmit, si edhe përparimit të shkencës. Sidoqoftë në Bizant ndryshimet e çdo lloji jo vetëm që shiheshin si herezi, por me kalimin e kohës filluan të konsideroheshin madje, si krim kundër shtetit.
Përveç kësaj, erërat e ndryshimeve politike filluan të shkaktonin shumë mundime. Në shekullin e shtatë, vendet islamike gllabëruan Antiokinë, Jerusalemin dhe Aleksandrinë. Pushtimet sllave në Ballkan dhe mposhtja e Italisë nga lombardët çuan në përçarje midis Kostandinopojës dhe Romës. E mbetur pa mbështetjen e perandorisë, Roma u lidh me vendet gjermanike në Perëndim që sapo kishin filluar të fuqizoheshin. Perandoria e dobësuar e Kostandinopojës u bë gjithnjë e më tepër greke. Atëherë, më 1054-ën patriarku ortodoks grek dhe papa katolik i Romës shkishëruan njëri-tjetrin për shkak të mospajtimeve teologjike, duke hapur një hendek midis kishës ortodokse dhe asaj katolike që nuk është mbyllur deri më sot.
Në vitin 1204, perandoria përjetoi shkatërrime të mëtejshme. Më 12 prill, ushtritë e Kryqëzatës së Katërt gjatë rrugës drejt Jerusalemit bënë atë që historiani sër Stivën Rënsëmën e quajti “krimin më të madh në histori”,—plaçkitjen e Kostandinopojës. Duke djegur, plaçkitur dhe dhunuar në emër të Krishtit, kryqëzatësit shkatërruan qytetin dhe e çuan plaçkën e tyre në Venecie, Paris, Torino dhe në të tjera qendra perëndimore.
Kaluan më shumë se 50 vjet para se Kostandinopoja të rimerrej përfundimisht. Në atë kohë perandoria ishte thjesht një hije e asaj çka kishte qenë më parë. Venedikasit dhe gjenovezët kishin në dorë tregtinë e saj. Dhe pas pak kohësh Perandoria Bizantine e pa veten nën shtypjen e osmanëve islamë.
Kjo shtypje çoi në rënien e pashmangshme të perandorisë. Më 11 prill 1453, sulltan Mehmeti II rrethoi kryeqytetin, duke përqendruar 100.000 ushtarë dhe një flotë të fuqishme.
Të 8.000 mbrojtësit e paktë të Kostandinopojës qëndruan për shtatë javë. Pastaj, më 28 maj pushtuesit vërshuan përmes një porti të ruajtur pak në hendekun rreth qytetit.
Ditën tjetër, qyteti ra në duart e sulmuesve. Mehmeti, tashmë fitimtar, thuhet se derdhi lot dhe qau me zë: “Ç’qytet paskemi plaçkitur dhe shkatërruar!”, Perandoria Bizantine kishte rënë. Por, ndikimi i saj, vazhdon deri në këto ditë.