Albspirit

Media/News/Publishing

Pse duhet të hiqni dorë nga konsumi i lajmeve?

Në një artikull intrigues të pak kohëve më parë, The Guardian argumenton përse nuk ia vlen që të lexohen lajmet. Në fakt, jepen një sërë arsyesh përse është ide e keqe.

Lajmet janë të dëmshëm për shëndetin

Shumica prej nesh ende nuk e kuptojnë, se lajmet janë për mendjen, ajo çfarë sheqeri është për trupin. Lajmet treten kollaj. Mediat na ushqejnë me kafshata të vogla gjërash të parëndësishme, që nuk kanë lidhje me jetët tona dhe nuk kërkojnë të mendojmë. Kjo është arsyeja pse ne nuk jemi pothuaj asnjëherë “të ngopur”. Ndryshe nga sa ndodh kur lexojmë libra dhe artikuj të gjatë revistash (gjë e cila kërkon të mendojmë), ne mund të gëlltisim sasi të pafundme me copëza lajmesh, të cilat janë karamele me ngjyra për mendjen. Me informacionin, sot ne kemi arritur në të njëjtën pikë që kishim arritur 20 vjet më parë, në lidhje me ushqimin. Kemi filluar të kuptojmë se si lajmet mund të jenë toksike.

Lajmet janë të pavend

Nga afro 10 mijë lajme që keni lexuar në 12 muajt e fundit, a mund të përmendni një të tillë – për shkak se e keni konsumuar – që ju ka lejuar të merrni një vendim më të mirë, për një çështje serioze që prek jetën tuaj, karrierën apo biznesin? Jo. Sepse konsumi i lajmeve është i pa lidhur me ju. E rëndësishmja përballë të resë është beteja themelore e pokës së sotme. Mediat duan që të besoni se lajmet ju ofrojnë një farë avantazhi konkurrues. Shumëkush e beson. Ndihemi në ankth kur shkëputemi prej burimeve të lajmeve. Në të vërtetë, konsumi i lajmeve është një disavantazh konkurrues. Sa më pak lajme që konsumoni, aq më shumë avantazh do të keni.

Lajmet janë toksike për trupin tuaj

Ata prekin menjëherë sistemin limbik. Lajmet që ndjellin panik, vënë në lëvizje kaskadat e kortizolit. Kjo gjë çrregullon sistemin tuaj imunitar dhe pengon çlirimin e hormoneve të rritjes. Me fjalë të tjera, trupi juaj e gjen veten në një gjendje stresi kronik. Nivelet e larta të kortizolit shkaktojnë dëmtim të tretjes, mungesë rritjeje (qelizash, flokësh, kockash), nervozizëm dhe prirje për infeksione. Të tjerë efekte anësore të mundshme përfshijnë frikën e agresionin.

Lajmet rrisin gabimet konjitive

Lajmet shkaktojnë mëmën e gjithë gabimeve konjitive: konfirmimi i paragjykimit. Uarren Buffet ka thënë: “Gjëja që qeniet njerëzore bëjnë më mirë, është që të interpretojnë të gjithë informacionet që marrin, me qëllim që konkluzionet e tyre paraprake të mbeten të paprekura”. Lajmet e përshkallëzojnë këtë të metë. Ne bëhemi të prirur për vetëbesim të tepruar, marrim risqe idiote ose gjykojmë keq shanse që na paraqiten. Por përkeqësojnë dhe një tjetër gabim konjitiv: mendjet tona kërkojnë lajme që “kanë kuptim” – edhe pse nuk i korrespondojnë realitetit. Cilido gazetar që shkruan: “Tregu lëvizi për shkak të X”, apo që “kompania falimentoi për shkak të Y”, është një idiot. Kjo është një mënyrë shumë “e lirë” e të shpjeguarit të botës.

Lajmet pengojnë të menduarit

Të menduarit kërkon përqëndrim. Përqëndirmi kërkon kohë të pandërprerë. Lajmet janë hartuar specifikisht për t’ju ndërprerë. Ata janë si viruse që grabisin vëmendjen për qëllimet e tyre. Lajmet na bëjnë mendimtarë të cekët. Por është edhe më keq. Lajmet ndikojnë keq tek kujtesa. Ne kemi dy lloje kujtese. Kapaciteti afatgjatë i kujtesës është pothuaj i pafundëm, por kujtesa funksionale është e kufizuar në një sasi të caktuar të dhënash që vijnë e ikin. Shtegu nga kujtesa afatshkurtër tek kujtesa afatgjatë është një “valvul” në trurin tonë, por çdo gjë që duhet të kuptoni duhet që të kalojë përmes saj. Nëse kjo rrugë ndërpritet, asgjë nuk kalon. Për shkak se lajmet ndërpresin përqëndrimin, ato dobësojnë të kuptuarit tek ne. Lajmet online kanë impakt edhe më të keq. Në një studim të vitit 2001, dy studiues në Kanada treguan se të kuptuarit pëson rënie, teksa numri i link-eve në një dokument rritet. Përse? Sepse sa herë që shfaqet një link, truri juaj duhet të bëjë të paktën zgjedhjen për të mos klikuar, që në vetvete është shpërqëndruese. Lajmet janë një sistem i qëllimshëm ndërprerjeje.

Lajmet funksionojnë si drogë

Teksa historitë zhvillohen, ne duam të dimë se si kanë vazhduar. Me qindra linja historie arbitrare në trurin tonë, kjo dëshirë për më shumë është gjithmonë e më e vështirë të injorohet. Shkencëtarët dikur mendonin se lidhjet e dendura që krijoheshin mes 100 miliardë neuroneve brenda kafkave tona do të ndreqeshin, në kohën kur të arrinim moshën e rritur. Sot e dimë që nuk është kështu. Qelizat nervore vazhdimisht shkëpusin lidhjet e vjetra dhe krijojnë të reja. Sa më shumë lajme që konsumojmë, aq më shumë ushtrojmë qarqet nervore që janë të dedikuar për detyrat e shumëfishta (multitasking), ndërkohë që injorojmë ato që angazhohen tek leximi i thellë me një fokus të lartë. Shumica e konsumatorëve të lajmeve – edhe nëse dikur kanë qenë lexuesh librash të paepur – kanë humbur aftësinë për të përthithur artikuj të gjatë apo libra. Pas 4 apo 5 faqesh ata lodhen, përqëndrimi i tyre bie, nuk durojnë më. Nuk ndodh për shkak se janë plakur apo rënduar. Ndodh sepse struktura fizike në trurin e tyre ka ndryshuar.

Lajmet na bëjnë pasivë

Lajmet janë gjithnjë e më shumë për gjëra që nuk i influenconi dot. Përsëritja e përditshme e lajmeve për gjëra që nuk kemi ç’u bëjmë na bën pasivë. Na gërryen deri sa zhvillojmë një këndvështrim për botën, që është pesimist, pa ndjenjë, sarkastik dhe fatalist. Termi shkencor është “mungesa e mësuar e shpresës”. Mund të mos e teprojmë po të themi se konsumi i lajmeve është pjesërisht përgjegjës deri edhe për depresionin.

Lajmet vrasin krijueshmërinë

Gjërat që i dimë tashmë e kufizojnë krijueshmërinë tonë. Kjo është një arsye pse matematicienët, shkrimtarët, kompozitorët dhe sipërmarrësit shpesh herë i prodhojnë veprat më krijuese në moshë të re. Truri i tyre ka një hapësirë të gjerë e të papërdorur që i fuqizon për të nxjerrë ide dhe vepra të reja. E vështirë të gjesh një mendje vërtetë krijuese që është e dhënë pas lajmeve – asnjë shkrimtar, kompozitor, matematicien, fizikan, shkencëtar, muzikant, arkitekt apo piktor. Nga ana tjetër, do të gjeni shumë mendje jokrijuese që konsumojnë lajmet si të jenë drogë. Nëse doni zgjidhje të vjetra, lexoni lajmet. nëse doni zgjidhje të reja, mos e bëni. /www.bota.al

Please follow and like us: