Si e zbulova dorëshkrimin e Majerit?
Prof. Xhevat Lloshi
Ndonëse trashëgimia e shkruar e albanologut Gustav Majer nuk është e plotë dhe ka qenë hulumtuar prej kohësh, përsëri mes saj ka ende ndonjë të papritur. Ai punonte shumë, shkruante pareshtur dhe prandaj del se i nevojitej ta kursente letrën. Për këtë qëllim faqen e bardhë prapa të një flete e përdorte për një punim, kur e kishte përfunduar veprën e parë. “Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe” e çoi për botim dhe ai doli më 1891. Dorëshkrimi përpara se të rishkruhej në një kopje të pastër për shtypshkronjën, ishte në fletë të shkruara nga njëra anë, madje faqja e shkruar ishte e ndarë për së gjati përgjysmë, sepse kjo i mundësonte që në kolonën e djathtë të bardhë të hidhte ndryshimet e sidomos shtojcat gjatë punës. Pas shtypjes së veprës, këto fletë për kursim do t’i shfrytëzonte nga ana tjetër për punimet e radhës.
Punonjësit e kujdesshëm në Universitetin e Gracit të Austrisë kanë bërë një punë të madhe për t’i sistemuar dorëshkrimet e mbetura prej tij. Ishte e natyrshme që ata do t’i rendisnin faqet sipas vijimësisë së përcaktuar prej titujve të punimeve. Mirëpo nuk e kishin vënë re, se disa fletë nga faqja e pasme i përkisnin një tjetre vepër. Kështu, kur punova në maj të këtij viti atje, me përkrahjen e pakursyer të dr. Erich Renhartit, përgjegjësit të Departamentit të përmbledhjeve speciale dhe të dorëshkrimeve, në një dosje fleta e titullit ishte “Shtegtimi i novelave” me kuptimin e endjes së subjekteve të tyre nëpër krijimtari të ndryshme. Vazhdohej: “I. Librat indianë me novela.” Më poshtë kishte qenë një tjetër titull: “Gramatika e baktrishtes së vjetër”, por këtë e kishte prishur me dy vija përsipër.
Nuk e kisha ditur se Majeri, për ne gjuhëtar i shquar, i cili më 1995 ka marrë “Urdhrin e N. Frashërit Kl. I”, interesohej gjerësisht edhe për letërsinë. Kishte grumbulluar bibliografi të gjera dhe trajtime për Bokaçon dhe novelistikën spanjolle, për Straparolën dhe novelat antike etj. Meqë kjo ishte një tematikë e largët për synimet e mia dhe sidomos, meqë të gjitha ishin me një shkrim të vogël e të dendur, vendosa thjesht t’i kaloja për kureshti. Kur befas vura re, se pas disa fletëve të renditura rregullisht sipas titullit të dorëshkrimeve, në faqen e pasme kishte fjalë shqipe. Me një përkushtim që meriton mirënjohje, punonjësit e Departamentit i digjitalizuan të gjitha rastet e shpërndara nëpër materiale të ndryshme. Kur u ktheva në Tiranë, e printova lëndën dhe i rendita gjithë fletët. Më doli se ishin faqe nga dorëshkrimi i punës për Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe!
Janë gjithsej 105 faqe, të cilat u përgjigjen faqeve nga 3 deri 175 të librit të botuar. Kundrejt dorëshkrimit të plotë, kemi në duar vetëm një të pestën e faqeve. Fillojnë nga fjala ‘afjon’ te shkronja A, më tej ka kapërcime, janë të plota shkronjat I dhe J, ndërsa shkronja K përfundon te fjala ‘kapele’. I bie që i gjithë dorëshkrimi të ketë pasur mbi 900 faqe. Në këto që janë rifituar ka shënime me laps në krye të faqeve dhe e fundit ka shifrën 382.
Kisha rindërtuar kështu një pjesë të këtij dorëshkrimi, i cili nuk është ai që autori e ka dërguar në shtypshkronjë, por varianti mbi të cilin është bërë redaktimi për ta hedhur në të pastër. Arsyeja përse nuk gjendet gjithçka është se pas vdekjes së Majerit, vetëm një pjesë e bibliotekës dhe e dorëshkrimeve të tij qe e mundur të grumbulloheshin në arkivin e Universitetit.
Gustav Majeri (Gustav Meyer) kishte lindur në Gross-Strehlitz të Silezisë së Sipërme më 25 nëntor 1850. Kjo krahinë nga 1816 deri më 1945 ka qenë pjesë e Silezisë prusiane, sot është në veri të Çekisë, domethënë Majeri ka lindur gjerman. Nuk e kuptoj, përse “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” dhe disa autorë vazhdojnë ta quajnë albanolog austriak, ndërkohë që ai kishte lindur në familjen e një nëpunësi prusian. Me këtë shpjegohet edhe përse ai ishte protestant, përndryshe vështirë të ishte protestant austriak. Mbaroi të mesmen në qendër të kësaj krahine, në Oppeln dhe më 1867 hyri në degën e filologjisë klasike në Universitetin e Breslaut, që sot është Vroclavi në Poloni. Aty pati ndër të tjerë si pedagog Martin Julius Hertz-in (1818-1895), filolog klasik gjerman, i cili ushtroi ndikim të madh për të ardhmen e të riut. Më 1871 mbrojti disertacionin dhe më pas ka qenë në mjaft vende pedagog e ka vijuar studimet e tij: në Gëtingen, Gota, Mala Strana të Pragës etj. Përfundimisht erdhi më 1877 në Universitetin e Gracit, domethënë më pak se gjysmën e jetës e ka kaluar në Austri.
Pa u zgjatur më tej për jetën dhe veprimtarinë e tij të frytshme shkencore, dëshiroj të shënoj se vitet e fundit të jetës ai banonte në një shtëpi afër Universitetit, në rrugën Brandhoffgasse, nr. 11. Por kishte mbetur i pamartuar, domethënë jetonte i vetmuar, mjaft larg familjarëve. Pak vite para vdekjes (vdiq më 28 gusht 1900) edhe u sëmur dhe u shtrua në spital, kështu që nuk pati as njerëz të afërt që ta varrosnin. Bashkë me mikun tim, Altin Hysin, u interesuam për më tej dhe vajtëm në zyrën përkatëse. Na dhanë fletën e varrimit, në të cilën shënohet se është varrosur në gusht në Feldhof, se kishte qenë profesor, beqar, por për besimin ka vetëm një shkarravinë dhe asnjë të dhënë për familjen. Ka një shënim të vitit 1997 se është bërë një ndërrim vendi më 20 shkurt 1992 te një ngrehinë 6, kati II dhe kështu nuk patëm mundësi të fotografonim varrin e tij. Një shekull nuk kishte pasur kush të kujdesej për të, të çonte lule e ta mirëmbante. Ky është fati i njeriut dhe në parantezë do të shtoja diçka tjetër. Tri javë më parë bashkë me studiuesit J. Quanrud dhe D. Hosaflook u interesuam në Sharrë për varrin e motrave Qiriazi: Sevastisë dhe Parashqevisë. Vetëm pas disa orëve në pikë të diellit arritëm ta gjenim me ndihmën e një punëtori të ri. Pllaka me fotografitë e dy motrave kishte rënë përmbys dhe ishte mbuluar keqas. Përgjegjësit të varreve i shpjeguam se cilat kishin qenë ato dy motra dhe ai mori përsipër, pavarësisht se zyrtarisht kjo nuk i takon atij por familjarëve, që ta rregullonte më mirë varrin. Ai e mbajti fjalën dhe meriton një falënderim publik.
Hollësitë nga Graci janë të nevojshme për të kuptuar se çfarë ndodhi me trashëgiminë e Majerit si studiues. Duke u larguar si i sëmurë prej banesës dhe pastaj me vdekjen e tij, problemi kaloi në duart e pronarëve dhe të qiramarrësve të rinj; për fat të keq ne jemi sot dëshmitarë të ngatërresave të tilla dhe i dimë pasojat. Prandaj është e vështirë të gjenden dorëshkrime dhe libra të tjerë të tij, rrjedhimisht, do të kënaqemi me ato që fatmirësisht janë ruajtur.
Ndryshimet ndërmjet dorëshkrimit dhe tekstit të botuar janë disa. Në dorëshkrim ishin si fjalë më vete: agrappa (nga De Rada prej it. agroppa), amilë (nga lat. ammelare prej nga shqip *amelonj), angishtë, angështoj, ani, nani, ni, ankosinj, argonetë (nga një këngë prej Athine: a vështoni angonetë, thikat), bors, bos (për kripore, khs. te Bardhi bogse), enë, elefthero, gërçak, fjerë, grëst, grënth, gulçonj, hilm, huti, irëbar, kallënduer, kapërdhi. Disa prej tyre në botim janë përfshirë në zërat për fjalë të tjera. Në dorëshkrim ka fshirë deri në gjashtë radhë te fjalët: agoj, amilë, birë, bisk, bishë, blenxë, bliri, botë, fllad, gjurmë, hinj, hoshaf, jakull. Në dorëshkrim ka renditje alfabetike të gabuara, të cilat janë rregulluar në botim. Në gjysmën e bardhë të faqes ka bërë shtesa të ndryshme, të cilat janë përfshirë në tekstin e botuar. Përgjithësisht mund të thuhet se ndryshimet nuk janë të thella, por nëse do ta kishim të plotë këtë dorëshkrim, do të mund të gjurmonim diçka në laboratorin e tij kërkimor.
Sidoqoftë, na pasurohen njohuritë për punën e vlefshme të këtij dijetari, që i kushtoi një pjesë të madhe të përpjekjeve të veta gjuhës sonë. Këtë e dëshmon edhe një fletore e veçantë prej 44 faqesh, me titullin “Albanesisch”, një bibliografi për autorë, që kanë shkruar për shqipen. Mes autorëve shqiptarë me veprat e tyre përkatëse përmenden: Pashko Vasa, P. Kupitori, G. Petta, Dh. Kamarda, G. Krispi, K. E. Ikonomidhi, V. Dorsa, P. Kopitari. Nga Dora D’Istria ka kopjuar edhe vjersha të tëra. Prej autorëve të huaj është interesante, se ka dhënë listën e fjalëve shqipe, që ata kanë trajtuar. Kështu nga Otto Blau, i cili është përpjekur të shpjegojë likishten përmes shqipes në një vepër të vitit 1863, ka rishkruar 60 fjalë. O. Blau, duke u nisur nga qiellzoret, e kishte përfshirë shqipen në grupin iranik, domethënë me gjuhët satem. Tezën e tij e kishte kundërshtuar Dh. Kamarda, por G. Majeri e mbështeti mendimin e tij për shqipen se anon nga gjuhët satem, dhe kështu shohim se Majeri ishte nisur nga këto fjalë në fletoren e tij. Po ashtu J. Ch. Adelungu kishte botuar lutjen shqip “Ati ynë” në veprën “Mitridati” (1806). Majeri e ka rishkruar të gjithën në gjashtë variante.
Së fundi, nga G. Majeri na kanë mbetur edhe një varg letrash, që ia kanë dërguar shumë dijetarë të kohës, mes tyre edhe mjaft autorë shqiptarë. Prej tyre janë botuar tashmë disa letra, por besoj do të jetë me interes përmbledhja e gjithë këtyre letrave të përkthyera shqip, të cilën po e përgatis për shtyp.