Albspirit

Media/News/Publishing

Si po e teston demokracinë Donald Trump?

KOICHI HAMADA

Presidenti i ri amerikan, Donald Trump, paraqet një kthesë të madhe në historinë e presidentëve amerikanë, duke ofruar kështu një test të vështirë për kushtetutën dhe themelet e demokracisë në vend dhe mbarë botën

Liderët botërorë duket se janë konfuzë rreth qasjes në lidhje me marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump, duke marrë parasysh qëndrimet e tij shqetësuese dhe sjelljen shpesh të pazakontë kundrejt politikanëve dhe medias, aleatëve dhe armiqve. Trump jo vetëm që po sfidon “të trazojë” traditën politike; ai po teston themelet e demokracisë amerikane. Ky test ka mundësinë të transformojë supozimet ekzistuese rreth Shteteve të Bashkuara dhe rolit të tyre global.

Trump u votua kryesisht për një arsye: një pjesë e madhe e votuesve amerikanë ishin të lodhur me gjendjen e ekonomisë dhe politikanët që e kishin kontrolluar atë. Globalizimi – përhapja e valëve të punës, mallrave, shërbimeve, parave, informacionit dhe teknologjisë në mbarë botën – dukej se po i sillte përfitime të gjithëve përveç atyre.

Këta votues kishin një të drejtë. Ndërsa globalizmi dhe hapja tregtare që e shoqëron atë, ka potencialin të pasurojë të gjithë ekonominë globale, deri më tani më të pasurit kanë marrë një pjesë dispropocionale të përfitimeve. Në SHBA, pagat e 1% që fiton më shumë u rritën me 138% nga 1980 deri në 2013, ndërsa pagat e 90% të fundit të ekonomisë me vetëm 15%.

Tani ekziston një përçarje e thellë mes punëtorëve në vështirësi dhe miliarderëve në Luginën Silicon dhe në Uoll Strit. Të vetmit njerëz që dolën të palagur nga kriza ekonomike globale e 2008, dukej se janë ata që e shkaktuan atë.

Trump e kapi këtë mundësi gjatë fushatës së tij. Ai përdori frikën dhe zemërimin e këtij grupi të veçantë të klasës punëtorëve, duke u siguruar që zemërimi i tyre të mos ishte vetëm ndaj të pasurve (si vetë Trump), por ndaj “establishmentit” – politikanëve të zakonshëm që supozohet se janë të lidhur me Uoll Stritin. Për një person jashtë politikës sfidimi i establishmentit tipik politik (Hillary Clinton e Demokratëve), ishte një taktikë efektive.

Por zgjedhjet tani përfunduan dhe është koha që Trump të ndihmojë njerëzit që e zgjodhën atë. Nuk është ende e qartë si – apo nëse – ai planifikon ta bëjë këtë. Në fakt, nëse Trump ndjek retorikën e tij të fushatës, do të përfundojë duke e dëmtuar këtë grup – dhe shumë të tjerë – edhe më keq.

Gjatë fushatës, Trump shpesh përdori kurbanë – veçanërisht imigrantët dhe eksportues të mëdhenj të botës në zhvillim si Kina dhe Meksika – për të tërhequr mbështetje. Problemi është se kryesisht automatizimi, jo dalja e vendeve të punës jashtë shtetit apo imigracioni, ai që po shpërngul punëtorët e prodhimit në SHBA.

Kjo nënkupton se nëse Trump përmbush premtimet e tij elektorale – le të themi, duke imponuar disa kufizime imigracioni dhe tarifa të larta eksporti – ai nuk do të zgjidhë problemi. Ai do të nxiste hakmarrje nga të tillë partnerë tregtarë të mëdhenj, si Kina, duke shkaktuar dëm të rëndë për të gjithë ekonominë globale – duke filluar me SHBA-në.

Një qasje më e mirë do të ishte përqendrimi në përmirësimin e menaxhimit të globalizimit, në vend të përpjekjes për ta përmbysur atë. Si fillim, administrata Trump mund të ofrojë stimuj më të fortë për investimet e huaja në sektorë madhorë si automobilët dhe infrastruktura.

Menaxhimi efektiv i forcave të globalizimit është mënyra se si Japonia mbrojti sektorët e vet vulnerabël. Hapja e tregtisë në bujqësi përmirësoi ndjeshëm standardet e jetesës për japonezët e zakonshëm, por mund të kishte dëmtuar lehtësisht fermerët e vendit. Fatmirësisht, qeveria e kryeministrit japonez Shinzo Abe e njohu këtë problem dhe mori hapa për të mbrojtur fermerët vendas, përfshirë negocimi e marrëveshjes tregtare Partneriteti Trans-Paqësor (të cilën Trump tani e ka refuzuar).

Në këtë sfond, takimet e Trump me Abe ofruan një lloj shprese që autoritetet e SHBA-së do ta ndjekin këtë qasje. Problemi është se edhe nëse Trump ia kupton vlerën kësaj, ai mund të dojë ta bëjë sipas mënyrës së tij. Ai ka treguar një preferencë të qartë për marrëdhëniet personale, bilaterale, si ato që bën në bizneset e tij, në vend që të angazhohet në diplomaci formale.

Në një demokraci, marrëveshje të tilla personale nuk punojnë domosdoshmërisht. Për të zgjidhur çështjet komplekse që ngrihen, nevojitet marrëveshje e gjerë dhe sigurimi i saj kërkon rregulla të qarta. Fatmirësisht, siç do ta mësojë së shpejti Trump, Kushtetuta e SHBA është e hartuar mirë për të ofruar të tilla rregulla.

Në demokracitë perëndimore, kushtetuta është ligji suprem, që mbizotëron mbi çdo legjislacion tjetër. E njëjta gjë është e vërtetë edhe në SHBA. Por siç ka shpjeguar Michael K. Young, president Universitetit A&M të Teksasit, për shkak se Kushtetuta Amerikane u hartua kur shtete të ndryshme, të cilat kishin tashmë ligjet e veta, ranë dakord të krijojnë një bashkim politik, ajo funksionon si një grup rregullash të përbashkëta për negociatat mes shteteve, si dhe mes  degëve të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit.

Duke u përqendruar te kontrollet dhe balancat, hartuesit e Kushtetutës Amerikane krijuan një lloj membrane të sigurt për sistemin politik, që do ta mbronte atë nga tronditjet e papritura që mund të vijnë nga shumë pjesë të ndryshueshme. Me Trump që mund të konsiderohet një tronditje e papritur, kjo membranë sigurie – vetë Kushtetuta e SHBA-së – po testohet.

Deri më tani, sistemi ka rezistuar. Të drejtat kushtetuese për liri të shprehjes dhe tubim paqësor vazhdojnë të mbahen – dhe të ushtrohen në shkallë masive. Gjykatat nuk i janë përkulur Trump, përfshirë këtu edhe kundërshtimin e urdhrit të tij ekzekutiv për të ndaluar hyrjen në SHBA të njerëzve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Por testi nuk ka mbaruar ende. Njerëzit dhe liderët e tyre duhet të vazhdojnë të mbrojnë demokracinë dhe gjykatat duhet të ruajnë pavarësinë e vet. E gjithë bota i ka sytë nga kjo.

/Project Syndicate, 2017

Please follow and like us: