Albspirit

Media/News/Publishing

Skandali: Këmbët e ‘Velierës’ brenda zbulimit arkeologjik, shfaqen plintat prej hekuri

Sa është shkalla e dëmtimit të zbulimit arkeologjik? Zbulohen edhe plintat prej hekuri e betoni në katër pika brenda strukturës së godinës!

Së bashku me të gjithë themelet e godinës së periudhës osmane , dy topat e para më shumë se 200 vjetëve, gurët me shkrime romake, gjylet etj., në dritë dolën edhe ndërhyrjet me hekur e beton që janë bërë brenda strukturës së godinës të zbuluar nga arkeologët .

Në disa pika të ndryshme është ndërhyrë në strukturën e themeleve të godinës së Periudhës Osmane, para 4 shkurtit kur u pezulluan edhe punimet si rezultat i zbulimeve të bëra në sheshin “Veliera”. Qartësisht pas daljes në dritë të të gjithë themeleve të godinës së mesjetës në dritë kanë dalë edhe plintat prej hekuri të hedhura në këtë strukturë nga punonjësit e firmës zbatuese të projektit “Veliera”. Deri tani arkeologët nuk janë shprehur se në çfarë niveli është dëmi i shkaktuar brenda themeleve të strukturës, ndërsa së bashku me themelet e zbuluara në dritë kanë dalë edhe shufrat e hekurit, brenda themeleve të godinës që u hodhën nga punonjësit e firmës (shih në foto rrathët me të kuq).

Ekipi i arkeologëve që ka ndjekur nga afër zbulimin e themeleve të godinës në sheshin “Veliera”, është treguar shumë i heshtur në lidhje me zbulimet e kryera në këtë shesh në qendër të Durrësit. Madje prej një jave, sheshi është rrethuar me një rrjetë hekuri prej 2 metrash të lartë duke penguar hyrjen e personave, të qytetarëve, apo edhe të gjithë atyre të pasionuarve pas arkeologjisë.

Nga ajo që vërehet në themelet e godinës janë ndeshur objekte të periudhës romake. Nga gërmimet, kanë dalë hapur në dritë gurë të mëdhenj të periudhës romake, ku dallohen disa iniciale të shkruara.
Megjithëse nga Bashkia e Durrësit dhe projektuesit e “Velierës” këmbëngulet se gërmimet nuk prekin zonën A të trashëgimisë, zbulimet që po dalin në dritë flasin për të kundërtën.
Në themelet e godinës duken në gurë dhe këto shkrime që duket se datojnë më shumë se 2000 vjet më parë, të cilën e konfirmojnë edhe specialistët. Sipas specialistëve, “Veliera” dëmton ansamblin e Hyrjes së Lashtë të Dyrrahut. Sipas arkeologëve, në këtë vend është “Bastioni iliro-helen dhe segmenti i murit rrethues lidhës midis tyre është monument kulture i kategorisë së lartë, si pjesë e fortifikimit të qytetit.

Please follow and like us: