Skandali/ Manjani: Vettingun e prokurorëve po e bëjnë gratë e tyre
I ftuar në Dritare nga Rudina Xhunga, ish Ministri Manjani ka treguar se personat e selektuar nga Avokati i Popullit për të bërë Vettingun, janë persona me konflikt interesi, të motivuar nga hakmarrja:
“Në çdo skenar, Vettingu do të duhej të bëhej pas zgjedhjeve. Por ajo që do duhej të interesohemi ne sot dhe këto janë Twitter-at e mi, është që nga ajo lista me 29 persona që ka selektuar Avokati i Popullit, mua më dalin 14 të papranueshëm sepse ose janë në një konflikt interesi permanent, ose janë të nxitur për të marrë hak ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që i kanë dënuar vetë ata ose i kanë akuzuar, sepse ka persona të akuzuar aty si për shpërdorim detyre. Është e një zonje që ka qenë me çështjen e Zydi Dajtit, e akuzuar. Sigurisht që ka marrë pafajësinë, por ama e akuzuar. Çfarë motivi do ketë ajo? Do vijë aty të marrë hak ndaj prokurorit që e çoi në gjyq sepse për atë punë ka hyrë ajo atje. Tani si ta besoj unë këtë? Ose ka njerëz që qartësisht kanë probleme me CV-të e tyre, me profesionin e tyre dhe të motivuar politikisht. Janë shtyrë për të futur sa më shumë konkurrencë që dikush të mbetet në garë.”
I pyetur nga gazetarja Rudina Xhunga nëse të gjitha këto i ka bërë vetëm Rama, ish Ministri Manjani përgjigjet:
“Me thënë të drejtën shumicën i ka bërë ai. Kanë bërë edhe këta të tjerët, por ai ka bërë shumicën”.
“Ajo që është më absurdja është se lihen jashtë kësaj listës juristë me përvojë të spikatur, me formim dhe përvojë jashtë shtetit dhe vendosin këta që janë në konflikte si për shembull gra prokurorësh ose gjykatësish. Për çfarë hyn gruaja e prokurorit për të bërë Vettingun? E para për të shpëtuar burrin e vet dhe e dyta për të ndihmuar shokët e burrit.
Vettingu në vetvete kërkon njerëz shumë të pastër, kristal, jo njerëz që vijnë nga cektësirat e sistemit tonë sepse ndryshe nuk arrihet dot qëllimi. Në qoftë se ne Vettingun e shndërrojmë në një instrument hakmarrje dhe këtë kam thënë këto kohë, por edhe kur kam qenë Ministër, që ligjërimi publik që me Vetting do të zgjidhë problemin është hakmarrje sepse Vettingu nuk është instrument politik, prandaj u fut në Kushtetutë, prandaj e thirrëm edhe OMN-në. Për çfarë i thirrëm ata të OMN-së? I thirrëm pikërisht që të mos na lejonin të ndodhnin këto gjëra”.