Albspirit

Media/News/Publishing

Tragjedia çame. Si u kthyen në thertore qytete të tëra

Enver Kushi

1. Dëshmi të listave të dhimbjes

Në vitin 2007, kur merresha me projektin dhe realizimin e veprimtarive kushtuar historisë dhe kulturës së Çamërisë, z. Hilmi Saqe, më solli për të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, ca fletë të zverdhura nga koha. Ato ishin të fotokopjuara. Me duart që më dridheshin dhe me shikim të turbulluar (pse ta fsheh nga lotët), i shfletova disa herë dhe i lexova me dhimbje ato fletë. Ato nuk janë as kujtime, as kronika  të tragjedisë çame, as të dhëna për masakrat e viteve 1944-1945. Ato janë më shumë se kujtime, më shumë se kronika individësh, më shumë se raporte të shtabeve të Luftës së Dytë Botërore në Çamëri. Ato janë lista me emrat e të masakruarve. Nuk janë të plota. Janë një pjesë (vetëm 13 faqe). Duhet të kenë qenë qindra faqe, sepse diku, në fund të tyre, dallohen numrat 105, 106, të faqeve. Krahas tyre, z. Hilmi Saqe, më dha edhe një listë tjetër ku janë shënuar emrat e atyre që kanë deponuar për masakrat në Paramithi, Pargë, Filat, Spatar, Vola, Vërselë, Smarte. Ndoshta këta apo edhe të tjerë kanë dhënë edhe emrat e të masakruarve çamë nga bandat e kriminelëve të Napoleon Zervës. Çfarë përmbajnë këto lista:

  1. Fëmijë të masakruar nga forcat zerviste gjatë 1944-1945.
  2. Emrat e pleqve e grave të masakruara e të humbura gjatë 1944-1945.
  3. Emrat e të marrëve e sakatëve të masakruar gjatë 1944-1945.
  4. Familje të zhdukura dhe të masakruara gjatë 1944-1945.

Dhimbja dhe kuja është në çdo emër të këtyre listave, por më ulëritëse ato janë në listën e parë, ku përfshihen 64 emra fëmijësh të moshave nga 1 deri në 12-14 vjeç. Mes tyre është edhe fëmija me numrin 42, i quajtur Nail Gjinika nga Margëllëçi, vjeç 13. Përbri këtij emri është edhe ky shënim i veçantë: pjekur në furrë. Vetëm kaq që menjëherë të të mbahet goja, vështrimi të turbullohet dhe të ringjallet kujtesa tragjike e mijëra çamëve, për të trokitur në ndërgjegjen e trazuar të fqinjit tonë të jugut. Vetëm kaq për të sjellë ndër mend edhe gjykimet objektive të ndonjë historiani grek, siç është Niko Zhangu, i cili për tragjedinë e popullsisë çame dhe masakrat e bandave kriminale të Napoleon Zervës shkruan: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”. Duke botuar këto lista, në kuadrin e përkujtimit të 27 qershorit, shpallur më 30.06.1994 si “Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, ne rikthejmë në këtë 65-vjetor të masakrës së Paramithisë, një pjesë të kujtesës tragjike të popullsisë çame. Duke u larguar me dhunë nga trojet stërgjyshore, çamët e të gjitha moshave, fiksuan në kujtesën e tyre imazhet e tmerrshme të tragjedisë, pamjet makabre të krimeve të banditëve zervistë, të cilat janë transmetuar nga brezi në brez me një vërtetësi të habitshme. Pamjet e qiellit, retë, shirat, erërat, ngricat e dëbora apo ditët e nxehta, imazhet e shtëpive të djegura, brigjet e detit, ujërat e turbullta të lumenjve Kalama dhe Aheron, shtigjet dhe monopatet nga kanë kaluar, zërat e viktimave të pafajshëm, kokat e prera, kalldrëmet e përgjakura, gjymtyrë të flakura nëpër kanale, gra shtatzëna me barqe të çara etj., etj., përbëjnë kujtesën e dhimbjes çame. Asnjë ligj i botës, ka shkruar shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, asnjë formim kulturor nuk mund t’i bëjë njerëzit të mos kenë kujtesë e aq më pak, të mos kenë nostalgji. Është një dhembje që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj.

2. Dëshmi e dhimbjes në vargje

Këto ditë, duke kërkuar në dosjet e arkivit tim modest për Çamërinë, gjeta të fotokopjuar vjershën “Sanije Bollati”, shkruar nga Gjergj Komnino dhe botuar në gazetën “Zëri i Çamërisë”. Gazeta në fjalë ishte organ i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamëri, në Shqipëri dhe u botua vetëm në disa muaj duke nisur nga gjysma e dytë e vitit 1945. Në faqet e kësaj gazete, Gjergj Komnino ka publikuar disa nga krijimet poetike më të dhimbshme kushtuar tragjedisë çame si “Paramithi, Paramithi”, “Rruga e kthimit”, “Sanije Bollati”. Do të duhej një studim i veçantë kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Komninos, që siç shkruan shkrimtari durrsak, Shpend Topallaj, ishte “diplomuar jashtë shtetit, ku kishte mbrojtur shkëlqyeshëm diplomën me një studim për Luixhi Pirandelon”. Këtë intelektual, në damarët e të cilit “rridhte gjak princash e deri perandorësh”, këtë antifashist të orëve të para, regjimi komunist do ta burgoste. Agim Musta, në librin “Mandelët e Shqipërisë”, mes të tjerash kujton edhe fjalët e Komninos: “Më dënuan me vdekje më 1956–n. Gjashtë muaj duke ngrënë si qeni, në koritë, gjashtë muaj me duar e këmbë të lidhura me hekura, gjashtë muaj duke urinuar në tesha, gjashtë muaj ….”.

Le të rikthehemi te poezitë e Gjergj Komninos kushtuar tragjedisë çame. E përbashkëta e tyre është dhimbja e skajshme dhe tragjizmi deri në ulërimë. Poeti duket se është njohur nga afër me plagën çame dhe trupin e sfilitur të Çamërisë. Ai është bërë pjesë e kësaj tragjedie dhe duket sikur edhe trupi i tij është me plagë që ende rrjedhin gjak. Mendoj se poezia “Sanije Bollati” është më tragjikja. Atmosfera është danteske. Duket se ajo flet në boshllëk diku mes tokës e qiellit. Ka 37 vargje dhe në fund një sqarim për lexuesin: “Sanije Bollati është një viktimë e monarko-fashistëve grekë, të cilët e dogjën pak nga pak dhe e masakruan tmerrisht”.

Kush është Sanije Bollati? Ka lindur në qytetin e Paramithisë, bijë e një prej fiseve të hershme të këtij qyteti (ku ndodhjet ende në këmbë kulla e Bollatatëve) dhe martuar po në këtë qytet në familjen Nuri. Është me interes për lexuesin t’i bëj të njohur deklaratën noteriale të Fadil Nurit, që mban datën 26 janar 2005, lindur në Paramithi në vitin 1935 dhe është biri i Sanije Bollatit. Po citoj një pjesë të dëshmisë së tij, marrë nga Z. Ilmi Saqe dhe vërtetuar nga noterja Ruko Soko: “Nëna kishte në djep motrën 6-muajshe, Dilenë, dhe shkon në banjë për të marrë ndërresat e motrës, por kriminelët e djegin. Nëna del nga banja duke u djegur gjithë flakë. Unë fillova të qaja me të madhe, duke parë nënën që i digjej gjithë trupi flakë. Një zervist më qëllon dhe më shtyn nga kati i dytë dhe më rrëzon nëpër shkallë, duke u vrarë dhe coptuar. U mbusha tërë gjak nga plagët që mora. Kjo shenjë që kam në ballë është nga këta kriminelë. Nëna vazhdonte të digjej, deri sa humbi ndjenjat. Ajo është përcëlluar komplet, mishrat e trupit ishin nxirë dhe vende-vende kullonin gjak. … Buzët ishin djegur dhëmbët ishin përjashta. Nga djegia trupi ishte rrudhosur dhe tkurrur. Ishte një pamje lemeritëse. Ajo pamje më ka shoqëruar dhe do të më shoqërojë derisa të rroj…. Kriminelët vranë në djep edhe motrën, Dilenë 6-muajshe…..”

Dëshmia e lartpërmendur, e pashembullt në kanibalizmin e bandave zerviste ndaj popullsisë të pafajshme çame, më sjell ndërmend, mes të tjerave, thënien e historianit objektiv grek: Niko Zhangu “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë, (në Thesproti), sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”. Të njëjtën mendim ka edhe historiani bashkëkohor grek, Jorgos Margaritis, i cili në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, shkruan për Paramithinë që më 27 qershor 1944 qyteti u kthye në thertore…. Rreth pesëqind persona u vranë me mënyrat më çnjerëzore. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurisë, e plotësonin këtë kuadër”. Poezia e Gjergj Komninos ribotohet në faqet e shtypit shqiptar pas 67 vjetësh, në kuadrin e 27 qershorit, Ditës së Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë. Me këtë rast i bëjmë një thirrje opinionit të shëndoshë grek: Etërit tuaj të mëdhenj të lashtësisë, ata që i dhanë një dimension tjetër më pas kulturës botërore, në tragjeditë e jashtëzakonshme që shkruan trokitën fort në ndërgjegjen e bashkëkohësve dhe brezave, duke bërë katarsis. Hiri i trupit të vdekur të Sanije Bollatit në Paramithinë martire është akoma jashtë, pakallur në dhe. Të pakallur në dhe janë edhe eshtrat e pleqve, burrave e grave apo fëmijëve masakruar barbarisht nga bandat famëkeqe të Napoleon Zervës. Në emër të tyre, shpirtërave që nuk gjejnë qetësi, të paktën lejonani t’u vëmë nga një trëndafil atje ku janë, në viset tragjike të Çamërisë tonë. Kjo poezi u flet! Zëri që del nga shkrumbi i trupit të zhuritur të Sanije Bollatit, ju flet. Dëgjojeni këtë zë dhe atë të poetit Gjergj Komnino.

 

3. Dëshmi të një historiani grek

Më 26 qershor, sektorë të Divizionit X të Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke, duke shfrytëzuar tërheqjen e grupeve ushtarake gjermane nga zona, sulmuan Paramithinë dhe e pushtuan atë, pas një rezistence shumë të shkurtër të milicisë çame. Me gjithë premtimet, brenda pak ditëve, më 27 qershor, ditën e parë të “çlirimit”, qyteti u kthye në thertore. Të gjitha dëshmitë, nga çfarëdo palë që të vijnë, bien dakord në shtrirjen dhe dhunën e vrasjeve e të keqtrajtimeve në kurriz të banorëve myslimanë. Me qindra e qindra vetë – numri është i panjohur, por ndoshta afrohet rreth pesëqind personave – u vranë me mënyrat më çnjerëzore, brenda dhe përreth qytetit. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurive, e plotësonin këtë kuadër. Pasditen e së njëjtës ditë, mbërriti në qytet major Kranias, komandant  i Regjimentit të 16- të të Lidhjes Demokratike Kombëtare Greke. Ai mori vendimin për dënimin e shkaktarëve kryesorë, domethënë ekzekutimin e 34 çamëve, të cilët i kishin shpëtuar masakrës. Ky vendim gjeti zbatim të menjëhershëm.

(Jorgos Margaritis: “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, fq. 141.)

 

4. Dëshmi të shtypit amerikan

Gjendja pikëlluese në të cilën gjenden çamët që banojnë në Shqipëri, është e përshkruar në një listë të zonjushës Lovely, anëtare e familjes të Manchester dhe që shërben si sekretare pranë misionit të UNRRA në Shqipëri. Zonjusha Lovely shpjegon gjendjen e çamëve. Sipas saj kjo gjendje do të shkaktojë një farë jehone në mes të çamëve të Hartfordit që është konsideruar si qendra e çamëve në Shtetet e Bashkuara. Tani Shqipëria strehon më shumë se 25000 çamër, pjesa më e madhe e së cilës përbëhet nga gratë dhe fëmijët të instaluar nëpër kanune të ndryshme (bashkësi) gjatë luftës në Greqi, fshatrat e tyre u shkatërruan dhe ata shpëtuan duke u strehuar në Shqipëri.

Muajin e kaluar, UNRRA në marrëveshje me qeverinë shqiptare, u dha si ndihmë këtyre të fundit dhe në hapësirën e 5 ditëve, 329 tonë artikuj të ndryshëm. Në dy kampet që kam vizituar në Elbasan, shkruan zonjusha Lovely, çamët jetonin në një mjerim të vërtetë. Çdo dhomë ishte e ndarë më dysh dhe strehoheshin dy familje, numri i të cilave ndryshonte nga 11 deri 12 vetë, fut këtu edhe pleqtë dhe të sëmurët. Mobiliet e vetme ishin hasrat e shtrira në tokë duke lënë në mes të dhomës vijën ndarëse ndërmjet dy familjeve. Kishte gjithashtu edhe orenditë e nevojshme për të përgatitur ushqimin e tyre. Ushqimi për shumë javë përbëhej nga një bukë e thatë për kokë dhe kjo qe e një cilësie të keqe. Një grup tjetër që kishte më shumë shans kishte vënë një tenxhere për të zier supën. Kjo supë përbëhej nga mielli dhe disa perime me qëllim që të jepnin pak aromë. Një fëmijë 5 muajsh qe ushqyer me një lloj mielli të përzier me ujë. Në fund të dhomës gjendeshin dy burra dhe dy djem të rinj. Pleqtë me tu afruar ne, donin të ngriheshin, por nuk mundën ta bënin këtë, për shkak të gjendjes së dobët ku ata ndodheshin. Pas këtyre fakteve dhe këtyre dëshmive, çfarë konkluzioni mund të nxjerrim nga deklarata e famshme e M. Pangalos e bërë më 1926 në kohën kur ai ishte ministër i Parë i Greqisë? Në Epir ne kemi disa mijëra çamë të njohur nga ne dhe që formojnë në shtetin tonë pakicën shqiptare. Në qoftë se në të kaluarën ka pasur disa veprime të pahijshme nga ana e organeve të pushtetit në dëm të çamëve, kjo nuk përbën në asnjë mënyrë një trajtim kundrejt tyre. Në të kundërt, qeveria është e frymëzuar nga dëshirat më të mira dhe është e vendosur, të dënojë pa mëshirë çdo veprim të keq kundër pakicave, që rrjedh nga ana e disa personave të papërgjegjshëm dhe të rrëmbyer, dhe të zbatojë plotësisht zotimet të cilat rrjedhin nga traktatet ndërkombëtare ndaj pakicave në Maqedoni dhe në Epir. Përfundimi që rezulton, është një akuzë e pamëshirshme kundër qeverisë greke. Në fakt, tragjedia e pakicës shqiptare çame në Greqi nuk është vetëm një krim i shëmtuar në vetvete që revolton çdo njeri të ndershëm, por ajo tregon për një etje të pashuar ndaj krimit të personave që qeverisin sot Greqinë. Mund të krahasosh vetëm me ushtarët hitlerianë, me Gestapon dhe me S.S gjermane, sepse, si ata dhe këta dogjën, përdhunuan dhe vranë një popullsi të tërë. Por Napolon Zerva që udhëhoqi masakrat në masë, sot është ministër i Sigurimit Publik në Greqi, dhe shokët e tij qeverisin Greqinë dhe bëjnë ligjin në këtë vend. Gjithë varret, gërmadhat e Çamërisë, gratë dhe vajzat e përdhunuara, vuajtjet e refugjatëve në Shqipëri, si dhe deklaratat e personaliteteve të huaja janë aktakuza kundër qeverisë monarko-fashiste greke. Ato janë provat e politikës gjakësore dhe agresive të qeverisë greke ndaj popullit shqiptar, ato janë provat e një krimi ndaj ndjenjave njerëzore.

(Marrë nga gazeta “The Hartford Times”, Connecticut, Etats –Units, e datës 9 nëntor 1945.

Please follow and like us: