Albspirit

Media/News/Publishing

50 vjet nga “Revolucioni Kultural” dhe pasojat në regjimin e Tiranës

 

Prof.Dr. Dine MERJA

 

Prologu

50 vjet më parë, në qershor të vitit 1966, së bashku me të ndjerët: Prof.Petrit Radovicka, Prof.Petraq Pilika dhe Doc. Ali Dedej, që të katërt pedagogë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, u nisëm për në Republikën Popullore të Kinës, në kuadrin e dy marrëveshjeve të Universitetit tonë me Akademinë e Shkencave të Kinës. Ata në lidhje me ngritjen e veprave hidroteknike dhe të Qendrës së Makinave Llogaritëse (më vonë Instituti i Informatikës dhe i Matematikës së Aplikuar), ndërsa unë në lidhje me ngritjen e Laboratorit të Rrezatimeve Bërthamore (më vonë Instituti i Fizikës Bërthamore). Pas mbërritjes në Pekin, na u rezervua një pritje e ngrohtë nga drejtues të Akademisë së Shkencave të Kinës dhe më pas në Ambasadën tonë në Pekin nga Ambasadori Vasil Nathanaili. Dy ditë më vonë, u ndava nga kolegët e mi, për t’u nisur për në qytetin e Shanghait ku do të vazhdoja studimet pasuniversitare dy vjeçare (1966-68) në fushën e Radiokimisë

në Institutin e Kërkimeve Bërthamore në rrethinat e Shanghait dhe pastaj në Institutin e Energjisë Atomike në afërsi te Pekinit.

Mbërritja ime në Kinë dhe periudha e studimeve pasuniversitare atje, përkoi me fillimin njëherazi të një lëvizjeje të madhe violente masive në të gjithë Kinën, që u quajt “Revolucioni i Madh Kultural Proletar”, i nxitur dhe udhëhequr nga Mao Ce Duni, i cili kishte humbur mbështetjen e shumicës së Partisë Komuniste të Kinës, e si pasojë lëvizja përfaqësonte në të vërtetë një përleshje ndërmjet palëve kundërshtare, të militantëve të Kryetarit të Partisë Mao Ce Dunit, për të ruajtur pushtetin e tij personal nga njëra anë dhe të pjesës më të ndriçuar të vendit në mbështetje të Presidentit të Republikës Popullore të Kinës dhe zv.Kryetarit të kësaj partie, Liu Shao Çisë nga ana tjetër. Popullit dhe veçanërisht rinisë ju bë thirrje nga Mao Ce Duni për të përmbysur me forcë pushtetin partiak të Liu Shao Çisë dhe mbështetësve të tij, që sipas Mao Ce Dunit, kishin hyrë në rrugën borgjezo-kapitaliste. Kjo përplasje e nxitur dhe e bazuar në konflikte interesash të grupeve të ndryshme politiko-shoqërore, u shtri në të gjithë Kinën dhe shpuri në dhunë masive, kaos, përçarje dhe amulli ekonomike shkatërrimtare 10 vjeçare për të gjithë vendin.

 

Dy platformat ideologjike

Në të vërtetë, në themel të kësaj lëvizjeje të dhunshme shtriheshin divergjencat dhe përplasjet e hershme në udhëheqjen e PKK, në kristalizimin e dy platformave ideologjike dhe politike për zhvillimin perspektiv të Kinës. Sipas platformës radikale të Mao Ce Dunit, strategjia e zhvillimit të Kinës duhej të ishte revolucioni permanent, politizimi ekstrem i të gjithë jetës qytetare, mbrojtja dhe zbatimi praktik i veprave të Maos, shtrirja e tyre edhe në vendet e tjera deri në ndërgjegjësimin e popujve të tjerë për përmbysjen e kapitalizmit dhe triumfin e revolucionit komunist botëror, krijimin e një Internacionaleje të Re Komuniste, nën udhëheqjen e PKK me Mao Ce Dunin në krye. Me këtë strategji dhe me dështimin e “Hapit të Madh” të

ideuar dhe drejtuar prej tij, me nivelin e ulët jetik të vendit, prestigji dhe autoriteti i Maos në PKK dhe në popull kishte rënë shumë. Ndërsa platforma e mbështetur nga shumica e Komitetit të Përhershëm të Partisë Komuniste të Kinës dhe e përpunuar nga Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë i kryesuar nga Ten Hsiao Pini, si një platformë jo radikale, elastike dhe e moderuar, strategjinë e shpëtimit të Kinës e bazonte në zhvillimin e një socializmi specifik kinez, në të gjitha degët e ekonomisë së Kinës,në zhvillimin e teknologjisë, angazhimin e të gjithë popullatës në kualifikimin tekniko-shkencor dhe në prodhimin bujqësor dhe industrial, hapjen e Kinës në bashkëpunimin dhe tregun ndërkombëtar. Kjo platformë është pak a shumë ajo që u zbatua në Kinë pas vdekjes së Mao Ce Dunit dhe rehabilitimit të Ten Hsiao Pinit.

Pavarësisht diferencave të dy platformave, ato ishin që të dyja komuniste, njëra e linjës së ashpër staliniste ndërsa tjetra e moderuar dhe elastike. Shtypja e demonstratës së studentëve në Pekin me tanke nga ushtria (1989) e urdhëruar nga Teni, që kishte marrë frenat e pushtetit në Kinë, provuan më së miri se pas revolucionit kultural shkatërrimtar, ideologjia komuniste kineze në thelb nuk kishte ndryshuar.

 

Hai Zhuija dhe Vu Hani

Revolucioni Kultural Kinez, filloi praktikisht në Maj-Qershor 1966, por tentativat dhe përpjekjet për organizimin e tij, kishin filluar qysh gjatë vitit 1965. Në median e shkruar dhe atë elektronike të Kinës flitej dhe shkruhej shpesh në mënyrë alegorike për dështimet e Maos dhe kultin perandorak të tij. Madje mbështetësit e Maos, çdo shkrim publicistik ose vepër letraro-artistike e shikonin me djallëzi për të zbuluar ndonjë atakim alegorik ndaj Kryetarit Mao. E tillë u konsiderua edhe drama historike “Shkarkimi i Hai Zhuisë nga posti” e historianit dhe personalitetit të shquar Kinez Vu Han, e vënë me sukses në skenë në Operën e Pekinit. Ajo u shkrua në vitin 1959 dhe pati jehonë të madhe në të gjithë Kinën. Kjo vepër me karakter social, produkt i studimeve të gjithanshme historike të Vu Han-it për dinastinë perandorake kineze Ming (1368-1644), u bë gjithashtu shkëndija e shpërthimit të flakës së Revolucionit Kultural dhe simbol i fatit të intelektualëve kinezë që përfunduan më keq se vetë Hai Zhui 400 vjet më parë. Si pretekst i Revolucionit Kultural Proletar, drama që fliste shkoqur për shkarkimin e një funksionari të ndershëm nga një perandor bastard i shekullit të 16-të, u konsiderua nga maoistët një vepër artistike metaforike që në formë alegorike nënkuptonte shkarkimin e ish-Ministrit të Mbrojtjes të Kinës Pin Den Hua nga Mao Ce Duni, për shkak të

qëndrimit kritik të Pin De Huait në Konferencën e Lushanit (1959), ndaj disfatës së “Hapit të Madh” të ideuar nga Mao Ce Duni dhe që i solli dëme ekonomike të pallogaritshme vendit. Cian Cini (bashkëshortja e katërt e Maos), aktivizohet për demaskimin e fushatës anti-Mao. Më 10 nëntor të 1965, me nxitjen dhe mbështetjen e saj, një gazetar provincial Jao Ven Juani publikon shkrimin e parë në një gazetë të Shanghait ku demaskohet autori i dramës, Vu Hani dhe synimet “ogurzeza të tij”. Ai e konsideroi atë si një vepër alegorike, duke nënkuptuar Hai Zhuinë me Pin De Huain dhe perandorin e korruptuar me Mao Ce Dunin. Ky shkrim, shërbeu si pretekst dhe përbënte sipas Maos, fillimin e “Revolucionit të Madh Kultural Proletar” në

Kinë. Kjo shkëndijë, u pasua me nxitje studentësh dhe pedagogësh të rinj edhe në Universitetin e Pekinit kundër udhëheqjes së partisë në këtë universitet si dhe kundër Komitetit të Partisë të Pekinit. Ato u mbështetën nga vet Mao Ce Duni, i cili me 5 Gusht të 1966 afishoi Dacëbaon (Fletë Rrufenë) e tij të parë në Selinë e Komitetit Qëndror të PKK, me thirrjen “Të bombardohet Shtabi borgjez”, domethënë Komiteti i Përhershëm, Sekretariati dhe Komiteti Qëndror i PKK.

Por çfarë përfaqësonte në të vërtetë Hai Zhui dhe drama historike e Vu Hanit për të, që shërbyen si pretekst i shpërthimit të një çmendurie për pushtet në historinë e RP të Kinës? Hai Zhui (1514–1587) ish-funksionar në kohën e Dinastisë Ming, përfaqëson historikisht modelin e një funksionari të ndershëm me integritet zyrtar, i pakompromentueshëm, i kundërt me moralin e sistemit të korruptuar burokratik për kohën që ai jetoi. Fama e moralit dhe karakterit të Hai Zhuisë ka hyrë në historinë e personaliteteve të shquara kineze dhe ka arritur deri në kohët aktuale moderne. Ai si funksionar arriti deri në paraqitjen e një letre ish-perandorit Jiajing në vitin 1565, në të cilin e akuzonte direkt për sistemin burokratik të korruptuar, gjë për të cilën u dënua me vdekje prej tij, por i burgosur dhe i torturuar, nuk u ekzekutua për shkak të vdekjes së vetë perandorit në fillim të vitit 1567. Pasi lirohet, riemërohet në detyrë duke shërbyer me përkushtim deri në vdekjen e tij në vitin 1587.

Gjatë Revolucionit Kultural, varri i Hai Zhuisë në qytetin e tij të lindjes (Haikou), për shkak të dramës së Vu Hanit,u shkatërrua nga gardistët e kuq, por më pas u rindërtua. Sot në Haikou, qyteti më i madh i ishullit Hainan, në jug të Kinës, në shtëpinë muze të Hai Zhuisë, është ndërtuar një memorial dhe varri i tij është kthyer në një tempull admirimi.

Historiani i famshëm Vu Han, intelektual i shquar kinez i shekullit të 20-të dhe me kontribute të rëndësishme në Lidhjen Demokratike Kineze dhe në themelimin e Republikës Popullore të Kinës (1949), ish-zv.Kryetar i Komitetit të Pekinit, për dramën dhe interpretimet e mësipërme u akuzua nga gardistët e kuq, u burgos, u torturua dhe vdiq në burg (1969). Këtë fat e pësuan miliona intelektualë të tjerë të cilët u akuzuan dhe u torturuan në një formë a në një tjetër dhe shumë prej tyre vdiqën nga torturat dhe burgosjet duke përfshirë këtu edhe kundërshtarin kryesor të Mao Ce Dunit, Liu Shao Çinë. Vu Hani, e pësoi më keq se heroi i tij Hai Zhui. Ai së bashku me Hai Zhuinë të cilit i prishën edhe varrin 380 vjet pas vdekjes, u rehabilituan pas Revolucionit Kultural.

 

Fshati të rrethojë qytetin

Synimi kryesor afatshkurtër i Revolucionit Kultural ishte padyshim përmbysja me forcë e pushtetit të Partisë Komuniste të Kinës në të gjithë vendin,që kontrollohej nga Liu Shao Çi dhe përkrahësit e tij, që përbënin shumicën e Partisë nga qendra në bazë dhe vendosja e pushtetit personal të Maos. Ndërsa synimi afatgjatë ishte mënjanimi i platformës dhe reformave ekonomike të kundërshtarëve të tij në ekonominë kineze dhe futja e platformës politike dhe ideologjike të Mao Ce Dunit.

Nga pikëpamja taktike, në fillim revolucioni u propagandua si një lëvizje masive popullore “vetë-pastruese”, autokritike, nga gabimet dhe konceptet borgjeze për të gjithë anëtarët e partisë dhe qytetarët kinezë, nëpërmjet diskutimeve kolektive dhe gazetave të murit me shkronja të mëdha ose “Dacëbaove” (Fletë rrufeve), në të cilat duhej të përfshihej edhe vetë udhëheqja kineze. Por në të vërtetë shigjetat drejtoheshin ndaj udhëheqësve kryesorë të Partisë, kundërshtarë të Maos, si: Liu Shao Çi, Ten Hsiao Pin, Pen Çen, Llo Zhi Cin, Lu Di Ni, Jan Shan Kunit etj. që konsideroheshin agjentë të kapitalizmit. Kjo periudhë

karakterizohej nga një politizim ekstrem deri në absurd i të gjithë jetës qytetare të popullatës, nga shkrehja e aktivitetit ekonomik në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore, nga kaosi dhe amullia, mbyllja e shkollave dhe nxitja nga lart e bandave të të rinjve kundër udhëheqjes partiake e shtetërore dhe institucioneve legjitime të vendit, lëvizjet të lira pa pagesë në të gjithë vendin, me të gjitha mjetet e transportit, për dërgimin e huen pinëve (gardistëve të kuq) nga një rajon në tjetrin, nga fshatrat në qytetet, për të rrëmbyer me forcë pushtetin lokal legjitim. Në këtë drejtim testimi i parë u përqëndrua në qytetin e Shanghait, qyteti më i madh i Kinës, ku përqëndrohej baza e industrisë dhe e zhvillimit ekonomik të vendit. Taktika e përdorur edhe në këtë lëvizje ishte taktika e njohur e Maos, që fshati të rrethojë qytetin.

 

Notari i Jancesë

Qysh para Revolucionit Kultural, në opinionin publik flitej për një rënie shëndetësore dhe mendore të Mao Ce Dunit për shkak të pleqërisë, dhe këtë e provonin më së miri vetë daljet e tij në publik, shpesh me konfuzione në ecje apo në fjalime, i kapur për dore si fëmijë nga një shoqëruese që e drejtonte deri në uljen me vështirësi në karrike, që fiksoheshin në mediat televizive dhe i transmetoheshin drejt përsëdrejti publikut duke shkaktuar të qeshura dhe ilaritet prej tij. Në këto rrethana, mbështetësit e Maos, për të provuar publikisht se ai ishte shëndosh e mirë dhe i aftë për të udhëhequr Revolucionin Kultural dhe popullin

Kinez, organizuan më 16 korrik të 1966 hedhjen e tij në lumin më të madh të Kinës, në Jance pranë qytetit të Vuhanit në jug të Kinës, për të demonstruar vitalitetin dhe fuqitë fizike të tij nëpërmjet një notimi publik. Kjo shfaqje teatrale politike u realizua në prani të qindra mijëra gardistëve të kuq, të ushtrisë dhe sigurimit publik kinez, me fjalime ceremoniale, me ovacione, brohoritje, himne dhe këngë për Kryetarin Mao, nën tinguj e tambureve, të gongeve dhe të muzikës revolucionare, dhe nën breshërinë e topave. Kryetari Mao, i veshur me një rrobdëshan të bardhë banje, përshëndeste publikun me dorë i hipur në një barkë nga e cila hidhet në lumë i shoqëruar nga shumë notarë për sigurinë e tij. Ai notoi për rreth një orë në lumë, duke demonstruar stile të ndryshme noti në drejtim të rrjedhës së lumit. Ngjarja u trumbetua në të gjithë Kinën, dhe u ndoq me urdhër dhe mbikqyrje të gardistëve të kuq, në të gjitha kolektivat punonjëse të Kinës, nëpërmjet shfaqjeve televizive, të mbledhur në sallat e qendrave të punës, duke hedhur parrulla të shumta, me thirrje dhe brohoritje masive për shëndetin e mirë dhe jetëgjatësinë e Kryetarit Mao.

Masmedia e shkruar dhe ajo televizive në ditët dhe javët në vazhdim, trumbetonte vazhdimisht dhe pareshtur shëndetin e shkëlqyer të Kryetarit, stilin e lartë të notimit dhe rezultatin rekord të

notit prej 15 km në 65 minuta. Në këto rrethana, nuk vonuan edhe përgjigjet humoristike të kundërshtarëve të brendshëm dhe masmedias së huaj, duke e ftuar Maon në kampionatin botëror të notit ose duke e qesëndisur atë se edhe një arkivol në drejtim të rrjedhës së lumit do te ecte me të njëjtën shpejtësi. Madje kishte edhe versione se gjatë notimit në lumë, Mao mbahej nga polumbarët e zhytur poshtë tij. Ironia e këtij spektakli qesharak ishte se ai kryhej në kushtet e varfërisë ekstreme të popullit kinez dhe në shkatërrimin drastik të ekonomisë së vendit.

Pas “suksesit të notit”, mbështetësit e Kryetarit Mao, gardistët e kuq morën zemër dhe u lëshuan me dhunë mbi organet e Partisë dhe të Pushtetit në të gjithë Kinën. Industria e lehtë filloi të prodhojë vetëm një portret, atë të Mao Ce Dunit, vetëm një libër, veprat dhe citatet e Mao Ce Dunit në të gjitha gjuhët e botës, vetëm disqe me këngë për Mao Ce Dunin. Altoparlantet e vendosura në çdo rrugë, shkollë, spital, institucion, fshat apo komunë buçisnin vetëm himne, lavde dhe muzikë për Kryetarin Mao, lexim citatesh nga librushkat e tij gjatë gjithë ditës dhe me një ton në kupë të qiellit.

 

Atomist dhe Konsull

Vitet e studimeve të mia në Kinë u karakterizuan nga një aktivitet i gjerë jo vetëm shkencor, por edhe politiko-shoqëror, për shkak të angazhimit tim në cilësinë e Konsullit Shqiptar (pa portofol) për Shanghain, nga ana e ambasadës tonë në Pekin. Në këto rrethana, angazhohem në një veprimtari të gjerë të komunikimit dhe njohjes së zhvillimit historik, ekonomiko-shoqëror e politik të Kinës, të shkencës, arsimit, shëndetësisë, industrisë, bujqësisë etj. Marr pjesë në shumë veprimtari shkencore, pedagogjike e shoqërore. I ftuar për të dhënë një cikël leksionesh mbi Kiminë Bërthamore në Fakultetin e Energjisë Atomike të Universitetit të Shanghait, si dhe në disa takime dhe biseda për probleme të ndryshme politiko-shoqërore të zhvillimit të Kinës. Në takime të veçanta me drejtues dhe personalitete të PKK dhe të Revolucionit Kultural, si me Van Hun Vën, Çan Çun Çiao dhe Jao Ven Juan, të cilët sensibilizuan, organizuan dhe udhëhoqën

Revolucionin Kultural në Shanghai, si një “Projekt Pilot” i Mao Ce Dunit për shtrirjen e revolucionit në të gjithë Kinën dhe rrëmbimin e pushtetit me dhunë në të gjitha provincat e Kinës. Të nxitur nga Cian Cini (bashkëshortja e Maos), pas përmbysjeve në Shanghai, ata u shpërblyen duke u bërë ndër udhëheqësit kryesorë të Kinës (1967-75). Van Hun Vëni u emërua zëvëndës i parë i Kryetarit Mao Ce Dun, ndërsa Çan Çun Çiao dhe Jao Ven Juani në postet më të larta të Partisë dhe Qeverisë Kineze. Ata të tre së bashku me Cian Cinin udhëhoqën praktikisht Kinën gjatë dhjetë vjetëve (1966-1976),ndërsa pas vdekjes së Maos, u arrestuan, u burgosën dhe u cilësuan “Banda e të katërtëve”, u shpallën kundër-revolucionarë dhe tradhtarë të Kinës.

Në Shanghai si në të gjithë Kinën, u krijuan me dhjetëra Parti dhe Organizata Politike të Pavarura si të Revoltuar Revolucionarë, me platforma dhe pikësynime të ndryshme, me flamurin e Maos por dhe kundër tij. Ato deklaroheshin të pavarura por realisht drejtoheshin ose nga Komiteti i PKK të Shanghait në pushtet, ose nga Komiteti Revolucionar i Shanghait që udhëhiqte përmbysjen e pushtetit. Të parët me Liu Shao Çinë, të dytët me Mao Ce Dunin. Mua më kishin ftuar dhe zgjedhur si anëtar nderi “Gardist i Kuq” 36 Parti dhe Organizata të tilla në rajonin e Shanghait me mbi 12 milion banorë (sot 24 milion banorë). Në këtë rast unë isha njëherazi i ftuar edhe nga Maoistët edhe nga Liuçistët, duke disponuar 36 shiritat e kuq dhe

logot e tyre. Për çdo takim, më duhej të mbaja në krahun e majtë shiritin e kuq me logon e

Partisë përkatëse dhe duke ruajtur ekuilibrin e pa-anësisë time politike.

Please follow and like us: