Dëshmia e çiftit francez e përkthyer në një libër për seksualitetin e shqiptarëve, nën komunizëm
Çifti francez Elisabeth dhe Jean-Paul Champseix ka jetuar 6 vjet në Shqipërinë komuniste dhe sjell një dëshmi të rrallë, se si jetonin shqiptarët. Elisabeth dhe Jean-Paul Champseix në librin e tyre “Bulevardi Stalin, Nr.57”, vjen edhe në shqip përmes përkthimit të Irena Rambit. Frustrimi i shoqërisë për shkak të ndalesave seksuale është një nga momentet më interesante të librit, që u botua në frëngjisht në vitin 1990.
NGA LIBRI
Mbi seksualitetin në Shqipëri
Të rinjtë kanë ankth lidhur me seksualitetin. Në qendër të barsoletave kolektive maçiste, ky subjekt i shqetëson; shumica e ndjen veten keq dhe në angësht. Shoqëria zyrtare e shpërfill si problem, kurse “materializmi dialektik” nuk i shpjegon aspak vrullet e trupit.
Çdo botim mbi këtë çështje është i ndaluar dhe fotografia e ndonjë gjoksi gruaje konsiderohet si pornografike. Më 1983-shin, kur po kalonim kufirin në veri, një doganier kontrolloi faqe më faqe rreth dhjetë numra të revistës “Nouvel Observateur” që kishim marrë me vete nga Franca.
Aty gjeti një fotografi të një vajze me monokini në plazh dhe një foto nudoje artistike, që vinte nga një ekspozitë parisianë. I lumtur për këto gjetje, na kërkoi t’i grisnim dhe t’ia jepnim atij fletët në fjalë. I mori pra copëzat e letrës, të cilat me siguri i ka rimbledhur për të formuar fotot, por për fatin e tij të keq, në Shqipëri nuk ka shirit ngjitësi të padukshëm, s’di si ka bërë!
Një ditë më thirri në zyrë zëvendësdekani. Nuk po guxonte të më thoshte për ç’arsye ishte i shqetësuar. Më në fund më tha se në porosinë e fundit për libra të bibliotekës ishte futur edhe një vëllim, që do të ishte më mirë të anulohej. Titujt ishin zgjedhur me shumë kujdes në varësi të ideologjisë së vendit, prandaj po pyesja veten se për cilin libër bëhej vallë fjalë.
Ishin “Tregimet” e Volterit. Shkas për këtë nuk ishin tekstet e autorit, por kopertina e botimit me format xhepi, që u kishte tërhequr vëmendjen censuruesve. Aty paraqitej një vajzë e bukur, shumë tërheqëse, shtrirë lakuriq mbi një divan, duke shfaqur pa teklif vithet e saj të rrumbullakëta.
Fakti që piktura e paraqitur ishte bërë nga njëfarë Busher nuk ndryshoi gjësend. Na u desh ta mbështillnim librin me një letër të trashë për ta fshehur vajzën mendjelehtë. As fëmijëve dhe as adoleshentëve nuk u thuhen gjëra serioze.
Pedagogët e fakultetit ishin dakord se ishte budallallëk, por ata vetë i kishin ngjitur faqet e një enciklopedie për fëmijë që kishin blerë në Francë, ku tregohej trupi i njeriut. Natyrisht që fëmijët plot epsh argëtoheshin duke i shqitur ato. Edhe studentët reagonin si të ishin në fillore. Një ditë, për të përkthyer një tekst mbi zogjtë, sollëm në klasë një enciklopedi xhepi.
Një student e shfletoi dhe ra mbi një faqe që tregonte trupin e njeriut. Klasa u ndez e tëra, për disa çaste zogjtë i harruan fare. Megjithatë, u çudita nga një bisedë mes dy orëve të mësimit, kur një studente, e cila kishte dalë nga klasa sepse ishte me menstruacione, po fliste serbes me një shok të klasës me fjalët e duhura në frëngjisht.
Menstruacionet ndoshta luanin një rol fantazmatik në këtë shoqëri, ku seksualiteti nuk ndahet dot nga ana gjenitale. Megjithatë, shoqëria shqiptare është e fiksuar pas seksit dhe frustrimi është shumë i madh. Marrëdhëniet seksuale pas martesës thuajse nuk ekzistojnë. Vajzat martohen të reja, mes 18 dhe 23 vjeç, kurse djemtë rreth moshës 28-30 vjeç.
Zakonisht, diferenca e moshës mes burrit dhe gruas është rreth 10 vjet. Abstinenca është intensive dhe e dhimbshme. Edhe nëpër rrugët e kryeqytetit mbretëron një tension seksual fort i prekshëm. Djemtë, ulur në bordurat e parqeve, shohin vajzat që u kalojnë përpara me vështrime plot epsh.
Prostitucioni ndalohet me ligj dhe në vitin 1985, disa vajza të konsideruara si të lehta, u degdisën nëpër fshatra të humbura për riedukim. Për çfarë akuzoheshin vallë: A thua shisnin trupin apo thjesht kishin pasur ndonjë të dashur? Turpi i shtirur fsheh fiksimin mbi temën seksuale.
Kështu, për shembull, një pedagoge, e cila kishte jetuar në Perëndim, e kritikonte shthurjen, por fliste vetëm për seks. Për shembull, kur po kërcenim në një nga mbrëmjet e rralla në shoqëri të kolegëve tanë, kjo deklaroi se një gjë e tillë ishte absolutisht e pamundur në Francë, ku sipas saj, francezët kërcejnë vetëm për ta joshur dhe futur në krevat partneren pas darkës.
Elizabeta e kundërshtoi, duke i thënë se disa valle shqiptare, si “Napoloni”, janë shumë më të seksualizuara sesa kërcimet nëpër diskoteka! Madje, edhe prapamendimet janë në kokë, përderisa burri i kërkon leje një burri tjetër kur do të kërcejë me gruan e tij. Studentët na thonë “Tek ne, seksualiteti ishte më i çliruar në Mesjetë!”.
Disa djem pranojnë se kanë kryer marrëdhënie me një femër më të madhe në moshë ose me ndonjë grua rome. Zakonisht e kujtojnë si përvojë jo të mirë. Na thoshin se nuk dinin çfarë të bënin dhe do t’u pëlqente të lexonin Frojdin. E dinin se ati i psikanalizës ka shkruar për problemet e seksualitetit, por dukej se e ngatërronin atë me Kama-Sutrën.
Nuk e përmbanin dot veten dhe pyesnin haptas edhe në klasë: “Zotëri, cili është dallimi mes erotizmit dhe dashurisë?”. Si i nxënë, mundohem t’i zgjedh fjalët sa më me kujdes. Pastaj një pyetje tjetër “Ç’do të thotë personazh transvestite?”. I pyes të di nëse duan të dinë për personazhin e Sganarelit, kur ky vishet si grua. Jo, më thonë. Atëherë mundohem t’u shpjegoj, duke u kujdesur të mos i frikësoj. Disa, të lemerisur, hidhen: “Vërtet ekziston kjo, thua?!”.
Në rrafshin gjuhësor, sa më e frustruar të jetë një shoqëri, aq më shumë fjalë ekzistojnë për të shënuar organet seksuale dhe marrëdhëniet dashurore. Në shqip, ky fjalor është mjaft i pasur. Për shembull, kur një çift bën dashuri, thuhet se gruaja “ha llokmën” dhe burri “largon lesh”. Këto shprehje ndryshojnë sipas modës dhe brezave. Aktualisht, disa grupe me vajza e djem kanë nisur të shfaqen si çifte, të zënë për dore.
U çuditëm shumë kur takuam në park, në 1988-n, një çift të dashuruarish 16 – 17-vjeçarë të kapur për qafe. Çfarë mendojnë prindërit e tyre vallë? Pleqtë e rretheve dhe ata të Kosovës e quajnë Tiranën të shthurur. Një student na tha, për shembull, se gjyshi i tij nga fshati ishte tmerruar kur kishte parë Dartanjanin të puthte shërbyesen në filmin “Tre muskëtierët”.
Madje, gjyshi kujtonte se filmin po e transmetonte televizioni italian. Kur i thanë se ishte televizioni shqiptar, nuk u besonte veshëve! Jeta e çiftit nuk ekziston në kuptimin që kemi ne në Francë aktualisht. Gruaja nuk është shoqe jete, por shërbëtore dhe mama. Përveç mjedisit studentor, martesat “ujdisen” nga familjet dhe në vendimin që merret, interesi material dhe simpatitë mes fiseve janë elemente thelbësore. Po ashtu, edhe ish-përkatësia fetare luan rol me peshë.
Kurse lidhja me një familje të kompromentuar politikisht gjatë luftës, qoftë pas luftës, nuk pranohet. Na ka ndodhur të jemi të pranishëm në një kafene të Shkodrës, gjatë një takimi ku po pritej fjala për një martesë. Burrat e të dy familjeve ishin ulur ballë për ballë në tavolinë, me të moshuarit në mes, më të rinjtë në cepa. Pinin raki dhe hanin ëmbëlsira. Nuk ishte e pranishme asnjë grua.
***
Kur gratë kthehen nga puna, për to fillon një ditë e dytë pune në shtëpi dhe mungesa e rehatisë i bën punët e shtëpisë të jenë tepër të mundimshme. U duhet të presin dru për sobën ose të gatuajnë me furnelë vajguri. Gatimi do të thotë të kesh bërë ndonjë radhë rrugës dhe të kesh psonisur diçka.
Nuk ekzistojnë as gjellët e gatshme, as supa e gatshme dhe as ndonjë produkt që bën mrekullira. Vetëm pas katastrofës së Çernobilit, u shfaqën në treg zarfe me pure pluhur. Natyrisht që aspiratori është krejt i panjohur, po ashtu edhe detergjentët, sfungjerët dhe copat e posaçme për larje. Kemi parë me sytë tanë zënka për të blerë ndonjë qese me pluhur larës.
Uji për larjen e rrobave duhet ngrohur në kazan. Nuk ka as pampers për fëmijët dhe as peceta higjienike për gratë. Rrobat lahen me dorë. Elizabeta u bë njëherë e ngurtë si statujë e komandantit, kur një ish- ambasador i Shqipërisë në Francë po i shpjegonte se këto nuk kishin fort rëndësi, meqë Shqipëria kishte “ideologjinë e drejtë”.
Me siguri ia ka lexuar në sy kurrizin e dalë të grave të Veriut, kur mbanin enët tepër të rënda me ujë, ose të një gruaje që po lante rrobat në një kanal ujitës me gjunjët në borë. A thua linja e Partisë do të ishte më pak e drejtë, sikur uji të sillje më pranë banorëve? Ai u tërhoq disi duke thënë: “Natyrisht, ngelet ende shumë për të bërë”.
Mes burrave, seksi ishte subjekt bisede dhe shakash të pashtershme. Mirëpo seksualiteti i jetuar është krejt ndryshe nga ai për të cilin flitet. Për burrin konsiderohet si një nevojë që duhet përmbushur, si një tension që duhet qetësuar, kurse për kënaqësinë e gruas nuk bëhet kurrë fjalë. Gratë shqiptare ua kanë shprehur hapur teknikëve francezë se “burrat shqiptarë nuk dinë të bëjnë dashuri”.
Të shumta janë gratë që u binden rregullisht “kërkesave” të burrit. Në moshën 40- vjeçare ato ndihen të qeta, sepse shpesh burrat i neglizhojnë përfundimisht. Në qytet, ngushtësia e apartamenteve dhe bashkëjetesa e disa brezave shkakton probleme të mëdha. Parku i madh i Tiranës, i pasur me shkurre, bën të mundura marrëdhëniet pa elegancë, çka e detyron atë që bën shëtitje të mos largohet nga udha se mos shqetësojë pa dashje çiftet. Ditët kur ka ndeshje futbolli, për shembull, të dashuruarit përfitojnë, se parku është bosh.
Nëpër shkurre bëhet dashuri “alla shqiptarçe”: burri shtrirë në tokë, kurse gruaja ulur mbi të, që mund edhe të përgjojë rrotull. Pati periudha kur policia mundohej t’i largonte dashnorët baritorë, duke organizuar patrulla të rregullta, por shpejt hoqi dorë.