E vërteta e ligjit të Luftës me Greqinë
Shefi i diplomacisë greke Nikos Kotzias ka deklaruar te merkuren në një konferencë shtypi në Tiranë se Ligji i luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë faktikisht nuk ekziston. Duke bërë thirrje që aq sa duhet të mësojmë nga historia po aq dhe duhet të mos mbetemi peng i saj ai ka përsëritur mesazhin e ish parardhësit të tij të PASOK, Venizellos po në Tiranë. Por në fakt nuk është kështu. Një dokument zyrtar i Ministrisë së Jashtme greke, dërguar ambasadës së Shqipërisë në Athinë në 28 qershor të vitit 1999, tregon qartë dyzimin e qëndrimit grek mbi ligjin e luftës.
Shkresa e ministrisë me datë 28 qershor 1999: “Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, në përgjigje të shqetësimit të ambasadës shqiptare, deklaron se ligji numër 2636 i vitit 1940 dhe ligji me numër 4560 i vitit 1966 mbeten ende në fuqi.” Historiku i kësaj shkrese nis pas gushtit të vitit 1987, kur qeveria greke e Papandreut e hoqi me dekret qeveritar ligjin e luftës me Shqipërinë. Por, kundërshtarë të tij e quajtën të pamjaftueshëm këtë akt duke thënë se një njohje e tille duhet të vinte vetëm me vendim parlamenti ose dekret të Presidentit.
12 vjet me vonë, qeveria shqiptare i kërkoi zyrtarisht palës greke që të kthente përgjigje nëse ishte hequr ose jo ligji në fjalë. Kjo kërkesë vjen tre vjet pasi ish-Presidenti, Sali Berisha, kishte firmosur në vitin 1996 Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Por ky dokument që është në arkivat e Ministrisë tonë të Jashtme i vitit 1999 tregon se, miqësia dhe bashkëpunimi janë ende nën hijen e ligjit të luftës.
Artikulimi me zë të lartë i diplomacisë shqiptare për ta hequr këtë ligj është bërë sot për herë të tretë. Fillimisht një kërkese të tillë, jo para medieve, i është bërë Greqisë dhe nga ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti. Ndërsa Ditmir Bushati ja kërkoi atë publikisht po në Tiranë homologut të tij Evangjelos Venizellos në një konferencë të tensionuar shtypi.Por kërkesa e qeverise shqiptare kërkon ta zhbëje edhe juridikisht këtë ligj, pra qe ta heqë parlamenti grek.
Historia e Ligjit të Luftës fillon më 10 nëntor 1940 kur u shpall dekreti mbretëror grek-ligji 2636 mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë. Pas pushtimit nga Gjermania, qeveria kuislinge e Greqisë e kryeministrit Jorgos Xolagoklus e hoqi Ligjin e Luftës. Por pas përfundimit të luftës qeveria e sapo formuar në vitin 1945 e riktheu atë duke i rishpallur luftë përsëri Shqipërisë me një dekret të ri numër 13.