Joschka FISCHER: Realizëm rreth Trumpizmit
BE-ja nuk duhet të pranojë asgjë që do të vinte në rrezik 27 shtetet e tjera anëtare të unionit. Por negociatorët e të dyja palëve duhet të kujdesen që të shmangin çdo rezultat që do të kërcënonte marrëdhëniet BE-Mbretëri e Bashkuar. Siç na mëson eksperienca, jeta vazhdon, edhe pas një divorci. Interesat tona të përbashkëta mbeten dhe tani ato përfshijnë menaxhimin e rreziqeve të shkaktuara nga presidenti i ri brutal i Amerikës
Pak më shumë se një muaj pas inaugurimit të presidentit amerikan Donald Trump, është bërë e qartë se asgjë e mirë nuk do të vijë nga presidenca e tij. Fatkeqësisht, pesimistët rezultuan të ishin realistë: gjërat vërtet janë aq keq sa ata thoshin se do të ishin. Skenarët më të këqij tani janë skenarët e zakonshëm. Çdo shpresë se kërkesat e postit apo realitetet politike dhe ekonomike do ta bindin Trump të përshtatet me normat vendase dhe të jashtme të politikës tani mund të lihen mënjanë si dëshira.
Realizmi kërkon pranim të një të vërtete të hidhur. Kur presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara duhet të zgjedhë mes ruajtjes së Kushtetutës Amerikane – që e kufizon autoritetin e tij përmes ndarjes së pushteteve – apo shkatërrimit të saj, ai me gjasa do të zgjedhë këtë të fundit. Administrata Trump synon të kryejë asgjë më pak se një ndryshim regjimin në Uashington, DC.
Herët ose vonë, mosmarrëveshjet mes presidentit dhe sistemit kushtetues do të krijojnë një krizë të rëndë që do të trondisë SHBA-në në themele dhe me gjasa do ta lënë atë politikisht të shndërruar. Sulmet e vazhdueshme të Trump mbi gjyqësorin dhe shtypin – institucione të domosdoshme për të siguruar llogaridhënie të ekzekutivit – nuk lënë hapësira për interpretim të ndryshëm.
Edhe nëse sistemi kushtetues amerikan prevalon, kaosi që do të bëhet gjatë presidencës së Trump mund të shkaktojë dëm të përhershëm. Mendoni se çfarë do të ndodhte nëse kryhet një sulm terrorist i rëndë në SHBA gjatë kohës së kësaj trazire. A do të përjetonte SHBA një anim drejt autoritarizmit, ngjashëm me atë që po dëshmojmë në Turqi? Të shpresojmë që jo, por është një mundësi reale.
Në kuptimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, deri më tani na është kursyer një shkëputje e aleancave ekzistuese dhe zotimeve të lidhura me to. Por, për sa kohë që Trump ndjek strategjinë e tij të izolacionizmit dhe proteksionizmit “Amerika e para”, ato aleanca dhe zotime do të mbeten në rrezik.
Një krizë kushtetuese në SHBA, një ndryshim nga globalizimi drejt proteksionizmit dhe politika të reja izolacioniste të sigurisë lënë të kuptohet për një përçarje të rendit ndërkombëtar, pa alternativë tjetër. Nëse gjërat shkojnë mirë, do të mbizotërojë destabiliteti i vazhdueshëm; nëse jo, konfrontimi dhe madje konflikti ushtarak do të bëhen norma.
Marrëdhënia e Trump me Rusinë dhe presidentin saj, Vladimir Putin, mbetet e paqartë – në mos misterioze. Kjo pasiguri në rritje është veçanërisht e ndërlikuar për Europën Lindore, që nuk mund të përjashtojnë mundësinë që Trump dhe Putin të bashkërendojnë interesat e tyre dhe të krijojnë Jaltën 2.0, duke përçarë Europën në sfera të ndryshme influence.
Pasiguria në lidhje me Rusinë është shoqëruar nga thashetheme kureshtare – dhe të vazhdueshme – në administratën Trump. Zv.presidenti Mike Pence, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson dhe Sekretari i Mbrojtjes James Mattis të gjithë i kanë ofruar garanci NATO-s dhe Europës Lindore; dhe Këshilltari miqësor me Rusinë për Sigurinë Kombëtare i Trump, Michael Flynn, ka dhënë dorëheqjen. Megjithatë kur kaq shumë tym rrethon një çështje, me gjasa diçka po digjet.
Sidoqoftë, teksa Trump trondit rendin aktual botëror, Europa do të mbajë barrën e këtyre tronditjeve. Pas luftës së dytë botërore, Europa Perëndimore arriti të lulëzojë për shkak të dy premtimeve të mëdha amerikane: mbrojtjes ushtarake përkundrejt Bashkimit Sovjetik dhe tregtisë së lirës. SHBA gjithashtu luajti një rol simbolik jetësor si “pishtar i lirisë”. Por tani, me të gjithë Europën vazhdimisht të kërcënuar nga revanshizmi rus, ky rol mund të jetë tashmë një gjë e të shkuarës.
Ndërkohë, plagët e rënda, të vetshkaktuara të Bashkimit Europian e kanë lënë atë shumë të dobët për të krijuar një alternativë ndaj status quo-së së vet që po shpërbëhet. Nëse siguria pasluftës e Europës dhe marrëveshjet ekonomike dobësohen ose zhbëhen, siç duket tani me gjasa të ndodhë, themeli mbi të cilin ka ekzistuar një Europë e lirë do të bëhet i paqëndrueshëm.
Në atë rast, gjërat do të shihen qartazi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze më 7 maj. Një fitore nga Marine Le Pen e Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë do të shkaktonte shpërbërje të eurozonës dhe BE-së. Franca dhe vende të tjera anëtare do të vuanin dëm të rëndë ekonomik dhe me gjasa do të nisë një krizë globale. Nëse ajo humbet, vala aktuale nacionaliste do të thyhej, të paktën përkohësisht, duke i dhënë Europës një shans të dytë.
Ky shans, nëse vjen, nuk duhet të çohet dëm. BE-ja duhet urgjentisht të krijojë mjetet për të mbrojtur veten nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme, të stabilizojë eurozonën dhe të sigurojë qetësi dhe racionalitet në negociatat e ardhshme të Brexit me Mbretërinë e Bashkuar. Çfarëdo tjetër të ndryshojë, interesat gjeopolitikë dhe ato të sigurisë së Mbretërisë së Bashkuar do të mbeten të njëjta. Brexit nuk do ta ndryshojë faktin se bashkëpunimi është i nevojshëm për mbrojtje të përbashkët, luftë kundër terrorizmit dhe mbrojtje të kufijve.
Sigurisht, BE-ja nuk duhet të pranojë asgjë që do të vinte në rrezik 27 shtetet e tjera anëtare të unionit. Por negociatorët e të dyja palëve duhet të kujdesen që të shmangin çdo rezultat që do të kërcënonte marrëdhëniet BE-Mbretëri e Bashkuar. Siç na mëson eksperienca, jeta vazhdon, edhe pas një divorci. Interesat tona të përbashkëta mbeten dhe tani ato përfshijnë menaxhimin e rreziqeve të shkaktuara nga presidenti i ri brutal i Amerikës./Project Syndicate, 2017/