Albspirit

Media/News/Publishing

KiE: Bojkoti i Parlamentit ka pasoja negative për Shqipërinë

 

Raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly kanë publikuar përfundimet e tyre në kuadër të vizitës së tyre monitoruese në Shqipëri.Vizita e tyre përkoi edhe me protestën e Partisë Demokratike dhe bojkotin në parlament. Edhe një herë ata përsëritën mbështetjen e tyre për lirinë e shprehjes dhe të drejtën për protesta paqësore, por u bëri thirrje forcave politike që të përmbahen nga nxitja e dhunës apo të angazhohen në veprime të dhunshme.

Raportuesit shprehen se bojkoti i punës në parlament nuk mund të konsiderohet një strategji e duhur politike, pasi parlamenti është vendi ku forcat politike duhet të përfshihen në dialog dhe të përpiqen të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar.

“Gjatë reformave të ndërmarra Shqipëria ka nevojë si për shumicën por edhe për opozitën. Për me tepër çdo lloj bojkoti do të ketë pasoja negative për vendin”, shprehen diplomatët.

Raportuesit shprehen të shqetësuar në lidhje me rritjen e tensioneve politike në Shqipëri, e cila po pengon ecjen pozitive të reformave, çka u dëshmua gjatë vizitës së tyre në tetor 2016. Sipas tyre pritjet e popullit shqiptar për një reformë të plotë të gjyqësorit nuk duhen frustruar.

Kjo reformë do të kenë ndikime të thella në vend, sidomos në lidhje me pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë, lufta kundër ndërhyrjes politike në procesin gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Verifikimit gjyqësor është me rëndësi të madhe për krijimin e një gjyqësori të pavarur dhe është e domosdoshme që procesi të vijojë pa vonesa.

“Të gjitha forcat politike duhet të përmbahen dhe të mos pengojnë këtë zhvillim të rëndësishëm”, theksojnë raportuesit.

Lidhur me këtë çështje ata e konsiderojnë të domosdoshme që i ashtuquajturi ligji i dekriminalizimit të zbatohet në mënyrën e duhur. Pastrimi i zyrës publike nga çdo lidhje me elementë kriminalë është i rëndësishëm pak kohë para i zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme të qershorit.

Zgjedhjet po afrohen dhe është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të angazhohen në përgatitjen e procesit zgjedhor në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen ashtu siç është paraparë me kushtetutë.

Disa nga shqetësimet dhe mangësitë e shprehura nga opozita në lidhje me legjislacionin dhe praktikën zgjedhore janë reflektuar në raportet e mëparshme të Asamblesë dhe duhet të merren parasysh dhe të adresohen bashkërisht nga të gjitha forcat politike.

“Ne përsërisim se çështja kryesore në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri është mungesa e vullnetit politik mes aktorëve kryesorë politikë për zbatimin e Kodit Zgjedhor me qëllim të mirë dhe dëshira e tyre për të politizuar administratën zgjedhore. Ne do të mirëpresim çdo propozim i cili është në përputhje me standardet europiane, që do të rrisë besimin në zhvillimin e zgjedhjeve”, shprehen ata.

Raportuesit janë të bindur se duhet vendosur dialogu politik i cili është thelbësor për stabilitetin e vazhdueshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe për efektivitetin dhe qëndrueshmërinë e reformave. Ata shprehen të gatshëm të ndihmojnë të gjitha forcat politike për të siguruar funksionimin normal të proceseve demokratike.

Gjatë vizitës në Tiranë zoti Hunko dhe zoti O’Reilly u takuan me Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, Ministrin e Drejtësisë dhe Koordinatorin Kombëtar kundër korrupsionit. Ata u takuan edhe me Kryetarin e Partisë Demokratike, Avokatin e Popullit dhe Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Please follow and like us: