Korrupsion helmues dhe vrastar për vendin e popullin! Kjo është Mafia!…
Një lajm skandaloz e tepër tronditës! Nëse ai është i vërtetë në këto përmasa dhe detaje, siç e përshkruan media ndërkombëtare, ai është dhe tejet kriminal! Të shpresojmë që nuk është i vërtetë; sepse për ndryshe ai do të mishëronte në vetvete një korrupsion masiv helmues për sistemin dhe tejet vrastar për vendin dhe popullin! Një vrasje mjedisore me paramendim, një lloj gjenocidi mjedisor e njerëzor! Kjo është Mafia!…
Të japin llogari doganat, nga i pari tek i fundit, nëse ato paskan lejuar vetëm gjysmën e ngarkesës tranzit që të kalojë në pikën kufitare të daljes pa kërkuar llogari për pjesën e mbetur në territorin tonë! Se kur doganierët shfaqen si të devotshëm ata numërojnë një me një dhe mollët e Korçës që eksportohen për në Maqedoni apo ato të Maqedonisë të importuara tek ne. Të vihet në lëvizje policia e ndershme (jo ajo e zënë me “mbjellje e korrje” apo me detyra elektorale), inspektorati e strukturat e tjera të mjedisit, si dhe, mbi të gjitha, prokuroria të fillojë menjëherë hetimin, për t’u vënë prangat shkelësve te ligjit me uniformë, qoftë të doganës, qoftë të policisë, nëse kanë lejuar, kanë neglizhuar ose heshtur për gjysmën a më shumë të sasisë së tonelatave toksike të hyra tranzit në Portin e Durrësit dhe nuk dolën në pikën kufitare të Qafe Thanës!
Të merren masa të shpejta edhe për kontrollorët e mjedisit në këto pika kufitare apo dhe për ata, që nuk i kanë njoftuar në momentin që ka hyrë një ngarkesë e tillë toksike! Të merren masa për anti-kontrabandën, hetimin doganor apo aposteriorin, që, mesa duket, nuk paskan bërë asgjë, të paktën dhe më pas, sepse nuk flitet për një dy kilogram por për tonelata toksine të zhdukur në tranzit.
Ndërkohë që strukturat e anti-kontrabandës shoqërojnë me shërbime çdo ditë të javës edhe botet më të vegjël me naftë “virxhin”, naftë e gaz transit; përveçse kur urdhërohen ndryshe nga eprorët e majmur e grasatuar prej korrupsionit masiv! Në këtë histori, e përsëris nëse gjithmonë është e vërtetë, nuk ka rënë shteti sepse këtu shteti është kapur nga mafia e plehrave, deri duke u kthyer në shërbyese me tipare të një organizatë kriminale!
Prandaj dhe nuk duhet heshtur më, po ashtu si të harruarit e Zharrës. U desh që ata ta marrin vetë në dorë çështjen e tyre, sepse nuk u ngrit njeri në këmbë nga shoqëria civile dhe media apo zëri i tyre mbështetës ishte tejet i dobët! Tani akoma më shumë, kur rilindja mund të na helmojë të gjithëve kolektivisht, nuk mund të heshtet më. Zëri popullor duhet të buçasë deri sa gjithçka të zbulohet dhe, mbi të gjitha, të mënjanohen deri në fund pasojat e saj?!…