Kujtesë për zotin Bushati para vizitës në Athinë
Petrit Kasemi, ish-diplomat
Njoftohet se ministri i Jashtëm zoti Ditmir Bushati do të bëj një vizitë zyrtare në fillim të marsit në Athinë. Një vizitë që do të përqendrojë një vëmendje të madhe për fakin se ka patur dhe ka një ngrirje të marrëdhënieve në një ngërç. Ajo që është karaktëristike e marrëdhënieve të tanishme shqiptaro-greke është mungesa e besimit mbi vështrimin në problemet e së kaluarës dhe në trajtimin e një të ardhme më të shëndetshme. Për fat të mirë apo të keq detyrohemi të hedhim një vështrim të së kaluarës së afërt, ku të dyja palët janë dëshmuar të realizojnë interesat e tyre me një interes të përbashkët, atë të normalizimit të marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Si një ish-diplomat që ka mbuluar marrëdhëniet shqiptaro-greke për një nga periudhat me të vështira dhe të rëndësishme të tyre, ato të vitëve ‘92-‘96, përfitoj nga kjo vizitë që të shpreh opinionin tim rreth kësaj vizite të pritshme. Në këtë përiudhë me interes të përbashkët u punua fort për një normalizim të marrëdhënieve dypalëshe tejet të brishta dhe delikate. Theksoj se pavarësisht acarimeve, të cilat për fat të keq rëzultojnë jo dobiprurëse, herë-herë shfaqet një vullnet dypalësh për bisedime. Dëshmohet lehtë se sa herë afrohemi apo prekim ato që të dy vendet i kanë skenuar si plagë të së kaluarës në marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe atëherë kur janë hedhur hapa serioze për t’i zgjidhur me interes të dy popujve, shqiptarëve dhe grekëve, kalohet për fat të keq në ngërçe të panevojshme apo tensionime absurde. Për pasojë çështjet shtyhen vazhdimisht. Konstatohet se nuk janë këto plagë të së kaluarës që çojnë në ngërç apo tensionime artificiale, por është vullneti jo i plotë dhe i sinqertë i politikave zyrtare të dy vendeve tona që ka munguar dhe i pengon apo i zvarrit pa zgjidhje ato deri më sot. Për të ashtuquajturën gjendjen e ligjit të luftës midis dy vendeve të përfolur gjatë nuk ja vlen të shprehim më opinione, sepse nëse ka një anë më banale të marrëdhënive shqiptaro-greke, është mbajtja de jure në letra të kësaj çmendurie. Kjo ka një spjegim: pengimin e qytetarëve shqiptarë për të pretenduar e përvetësuar pasuritë e tyre të bllokuara ne territorin e shtetit grek, pasuri të cilat nuk janë pak, por kapin shifra e vlera miliardëshe.
Administrativisht apo burokratisht pengohen nga ky dekret banal mbretëror grek, i pashfuqizuar shtetërisht, qoftë dhe formalisht. Deri sa qytetarët shqiptarë posedues ligjorë të këtyre pasurive së bashku me qëndrimin zyrtar shqiptar nuk e ngrëjnë zërin në organizmat ndërkombëtarë BE, NATO e të tjera, për të denoncuar si grabtje dhe vjedhje të pasurive të tyre me mburojë një ligj absurd grek të dalë boje, ky ligj do të mbetët në fuqi de jure pa kufi dhe çdo gjë tjetër është veçse zhurmë. Nëse s’ka më ligj lufte sipas grekëve, atëherë përse nuk është publikuar amnistia e pronave dhe pronarëve të vëna në sekuestro si pasuri armike, theksoj këto pasuri milardëshe. Kjo duhet konsideruar dhe rezulton vjedheje e hapur në mënyrë flagrante zyrtarisht nga shteti i sotëm grek.
Një nga problemet apo çështjet që në të vërtetë mban peng marrëdhëniet është konsideruar me pa të drejtë Çështja Çame. Kjo çështje rëndom, madje përkufizohet si acaruese e marrëdhënive shqiptaro-greke. Çfarë nuk është thënë e thuhet për të demonizuar një tragjedi njerëzore si kjo e shqiptarëve të Çamërisë të dëbuar me dhunë nga trojet e tyre. A thua për këta çamë, të ashtuquajtur zyrtarisht nga shteti dhe qeveritë e ndryshme greke si bashkëpunëtorë me pushtuesin nazifashist nuk ka patur një gjyq ndërkombëtar apo ligje të veprojnë e të dënojnë si për gjithë popujt e tjerë, përfshirë dhe grekët në tëatrin e Luftës së Dytë Botërore, por vetëm ndëshkimi dhe dëbimi masiv dhe mohim absolut i të drejtave njerëzore?!!!
Trajtimi që shteti grek i ka bërë kesaj tragjedie të ndodhur brenda territorit të saj dhe nën përgjegjësitë e saj është një trajtim i pa precedent dhe duhet t’i jepet fund kësaj maskarade të pa precedent.
Qeveria greke dhe ajo shqiptare duhet të shpallin evidencën e shkallës së akuzës dhe ligjet që kanë dënuar çamët si bashkëpuntorë të pushtuesit, nëse Greqia ka. Le të publikojnë emrat konkretë të tyre për të ditër e provuar botërisht këtë akuzë nga pikpamja juridike e ligjorë, nëse janë reale dhe në fuqi për t’i dhënë fund dilemave të këtij qëndrimi zyrtar grek ndaj çamëve, që të dihet se kush dhe sa kanë bashkëpunuar dhe përse janë detyruar sipas shtetit grek të bashkëpunojnë me pushtuesin. Në të kundërt të hapi kufijtë e të lejojë këta njerëz të kthehen në shtëpitë e tyre. Qëndrimi grek se Çështja Çame nuk ekziston është një sajese apo përallëz greke që zor se e besojnë edhe ata që e etiketojnë si të tillë. Qeveritë greke nuk duhet të shmangin detyrimin e tyre ndërkombëtarisht që morën ndaj minoritetit shqiptar të Çamërisë, kur territori i banuar nga këta shqiptarë u dorëzua po ndërkombëtarisht për ta adminstruar nga shteti grek. Këto detyrime nuk përligjen me qëndrime diskriminuese duke u fshehur ndaj akuzave të stisura dhe të shpifura. Një ditë do të jepet llogari edhe ndërkombëtarisht se kush i ka shkelur detyrimet ndërkombëtare dhe përzënë popujt.
Çështja Çame është e pranishme në marrëdhëniet dypalëshe që nga dita e krijimit si çështje e deri më sot. Qeveritë e ndryshme greke e kanë pranuar si të tillë dhe s’ka përse vazhdojnë në mënyrë cinike e të pabazë mohimin e saj. Në bisedimet dypalëshe në nivelin politik dhe atë të ekspertëve teknikisht që shteti grek ka diskutuar me shtetin shqiptar Çështja Çame ka qenë e skeduar dhe është evidente. Në bisedimet zyrtare në kuadër të nënkomisioneve të përbashkëta shqiptaro-greke më 1995 është pranuar zyrtarisht trajtimi i kësaj çështje, madje ekspertët e Ministrisë së Jashtme Greke kanë pranuar dhe dëshmuar para dokumentave ligjorë të pakundërshtueshme se çamët janë të pafajshëm. Gjyqi fantazëm pa praninë e çamëve, ai i ashtuquajtur i kolaboracionistëve ndaj individëve të caktuar nga popullata çame është shfuqizuar ligjërisht nga ligjet greke në fuqi. Qëndrimi i mëtejshëm, qoftë edhe trajtimi që i bën Ministria e Jashtme greke dhe zoti Kocias është i pabazë dhe në shkelje flagrante të atyre çfarë është biseduar. Për mua si një nga negociatorët shqiptarë në bisedimet në nivel ekspertësh, si dhe drejtuesit e Ministrisë së Jashtme shqiptare në atë kohë konsideruam me të drëjtë si moment historik ku Çështja Çame nga të dy palët shvishet nga akuzat greke si popullësi fajtore dhe kolaboracioniste. Është dëshmuar se nuk ka më asnjë argument që fajson popullatën çame të dëbuar padrejtësisht apo të justifikojnë qëndrimin zyrtar grek në vijim për të drejtat e mohuara të çamëve dhe bllokimin që i bën shteti grek kësaj çështjeje. Një fakt është i saktë se nuk ka asnjë dënim ligjor grek ndaj çamëve, por ka një akuzë të sajuar dhe një diskriminim politik ndaj tyre. Bisedimet e ardhshme për çështjen çame duhet të vijojne nga ky start që u nis më 1995 dhe janë ndërprerë deri më sot. Çdo qëndrim tjetër është jashtë realitetit të trajtimit të Çështjes Çame dhe fshehje e qëllimshme me prapavija e qëndrime të pa pranueshme për të dy popujt.
Ka edhe një çështje që të dy palët e trajtojnë me një ngarkesë që vë në dyshim atë që thuhet një “trajtim human dhe respekt njerëzor ndaj të rënëve apo ushtarëve për çlirimin e përbashkët”. Egziston një dokument zyrtar për të dy palët se është rënë dakord dhe firmosur zyrtarisht që në finalizimin përkatës apo aprovimin zyrtar për varrezat e të rënëve në të dy vendet që luftuan në formacionet çlirimtare greke të marrin përsipër të ngrëjne një varrezë të ushtarëve grekë të rënë brenda territorit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe njëkohësisht një varrezë për ish-shtetasit grekë, shqiptarët e Çamërisë të rreshtuar në radhët e EAM-ELAS-it grek, që dhanë jetën në luftë kundra pushtuesit të përbashkët. Këto detyrime që do të evidentonin kontributet e përbashkëta e që do të forconin besimin dhe respektin e ndërsjelltë u anashkaluan në vijim. Është injoruar sikur nuk ekzistojnë këto firma detyrimesh të kërkuara zyrtarisht e me procesverbale përkatëse. Në mënyrë të dyshimtë e të pajustifikueshme janë nënshkruar dhe finalizuar dy apo tre varreza greke dhe asnjë fjalë dhe asnjë shenjë respekti dhe humanizmi për çamët e rënë në territorin grek për çlirimin e përbashkët. Për mua ky është një skandal tjetër me pasoja abuzive dhe në dëm të ndriçimit të të vërtetave për kontributin dhe rolin e popullatës çame gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ky trajtim dhe ky qëndrim i qeveritarëve shqiptarë në veçanti, përgjegjës pas bisedimeve të 1995-1996, është dramatik dhe i pa tolerueshëm. Një atentat tjetër dhe një padrejtësi që i bëhet përsëri Çështjes Çame.
Ky është sfondi i realitetit të hidhur të trajtimit të çështjeve të mbetura pezull midis Shqipërisë dhe Greqisë. Këto jane qasjet zyrtare dypalëshe në trajtimin e problemeve që ekzistojnë në marrëdhëniet dypalëshe.
Por, gjithsesi interesi ynë i përbashkët na inspiron e të shpresojmë se një ditë dhe pse jo edhe në këtë vizitë të pritshme të demonstrohet më së fundmi një qasje realiste. Më së fundmi të dëshmohet një seriozitet për të forcuar marrëdhëniet reciproke me një frymë besimi dhe mirëkuptimi atë që kërkojnë dhe dëshirojnë popujt dhe jo idetë apo rrymat e mbrapshta, qofshin dhe ato zyrtare që veç fatëkeqësi kanë sjellë deri me sot për të dy popujt.
Pritshmëria e vizitës dhe bisedimeve ne Athinë e zotiti ministër të Jashtëm, Bushati duke u mbështetur edhe në atë çfarë qeveria aktuale ka deklaruar, por dhe përpjekjet që ka bërë për një trajtim më dinjitoz të Çështjes Çame, na jep shpresë se kjo vizitë do t’i japë një kuptim më dinjitoz dhe kurajoz mosbesimeve dhe se çfarë kërkonte realisht shteti shqiptar duke e ndihmuar homologun grek zotin Kocias dhe shtetin grek që të ndryshojë qëndrimin dhe ta shohë, qoftë dhe Çështjen Çame si një problem afrimi dhe jo ndarjeje, si një detyrim grek për të afruar zgjidhjet që popujt duan.
A do të kemi një vizitë me qasje konkrete për çlirimin e ngërçit, ku janë strukur problemet?!!! Apo do të kemi një vizitë shterpë me fraza të pa dobishme e jo rentabël që kanë lodhur si shqiptarët, ashtu dhe grekët?! Kjo pritet të shihet me shumë interes gjatë dhe mbas kësaj vizite.