Albspirit

Media/News/Publishing

Myqerem Tafaj: Rama në panik nga protesta po shëtit nëpër universitete

Rama në panik nga protesta po shëtit nëpër universitete

Profesorë dhe studentë të universiteteve të vendit vijnë cdo ditë tek Cadra e Lirisë dhe komunikojnë me qytetarët për zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themeli i Republikës së Re; për narkotrafikun që po kërcënon sot jo vetëm zgjedhjet, rrezikon të vë krimin e organizuar në krye të sistemit tonë politik, shumëfishon krimin, viktimizon të rinjtë, rrezikon seriozisht sigurinë tonë kombëtare; për lirinë e fjalës dhe lirinë e medias; për keqqeverisjen e gjithë shtresave të shoqërisë; për humbjen e shpresës që nxit eksodin dhe largimin masiv të të rinjve nga vendi, dhe shumë probleme të tjera që hasin sot të gjitha grupet dhe shtresat e shoqërisë shqiptare.

Por cfarë ndodh me Ramën dhe qeverinë e tij de fakto të rënë. Rama bën një raund gjoja leksionesh me studentët dhe pedagogët në universitetet e Vlorës, Elbasanit, Shkodrës. Megjithë terrorin policor dhe të MAS që po ushtrohet mbi universitetet, pedagogët dhe studentët që të dalin dhe të presin liderin global, grupe studentësh dalin para universiteteve dhe e presin duke protestuar.
Rama u tregon përralla për 2 orë pedagogëve dhe studentëve, por nuk u thotë dot atyre:
-përse ka shkatërruar votën e lirë?
-përse ka zgjedhur njërëz me rekorde kriminale për deputetë, dhe jo intelektualë të shquar?
-përse rreth 10 mijë studentë që diplomohen cdo vit në shkencat teknike, shkencat bujqësore, shkencat natyrore, ekonomi, turizëm nuk gjejnë dot punë në Shqipëri? Sot Rama fliste për Turizmin por nuk i ka thenë njeri që të paktën 500 të rinj përfundojnë studimet Bachelor ose Master për ekonominë dhe manaxhimin e turizmit; ndërkohë që rreth 300 -400 nxënës përfundojnë cdo vit degët e hoteleri turizmit në 11 shkolla të mesme profesionale që i kanë këto degë.
-përse emërohen drejtorë dhe specialist në agjencitë qendrore dhe ato të rretheve individë jo vetëm të pakualifikuar por edhe me rekorde kriminale, dhe jo studentë të shkëlqyer?
-përse buxheti i tij për universitetet publike ulen nga viti në vit?
-përse po i dëbon të rinjtë nga vendi?
-përse nuk ka ndërtuar një godinë të re universitare në 4 vite të keqqeverisjes së tij, ndërkohë që u mori godina tre universiteteve (UPT, U. Gjirokastrës, U. Korcës) dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike?
-përse studentët nuk i përballojnë tarifat e studimeve, sidomos në nivelin Master?

Ka plot pyetje të tjera që Rama u shmanget në takimet propagandistike nëpër universitete. Por cili pedagog guxon ta pyesë? Nuk guxon njeri sepse kërcënohet me vendin e punës. Cili student guxon ta pyesë Ramën? Shumë e vështirë sepse salla janë të kontrolluara mirë dhe studentët janë nën tutelë, më keq se në kohën e Ramiz Alisë.

Universitetet janë qendra të gjenerimit të lirisë dhe demokracisë në shoqëritë e lira. Profesorati dhe studentët janë pjesë e elitës së shoqërisë. Kryeministri i një vendi ka të drejtë të vizitoj universitetet. Por profesorati dhe studentët duhet të clirohen nga frika dhe presioni i këtij shteti policor dhe ta pyesin Kryeministrin, më së pari, për zgjedhjet e lira dhe të ndershme që garantojnë votën e lirë si themeli i lirisë dhe demokracinë. Ata nuk duhet ta lënë Kryeministri të tallet dy orë duke u treguar atyre përralla se sa degë do kenë të drejtë maturantët të zgjedhin në formularin e maturës! Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe vota e lirë janë kauza më e madhe e sotme e shoqërisë shqiptare. Për këtë kauzë po protestojnë sot shqiptarët.

Please follow and like us: