Rama: Ambasadori Lu mik, por pasioni e çon ndonjëherë në eksese retorike
Ambasadori i SHBA ka përmendur “peshq të mëdhenj”, kur ka folur për luftën kundër drogës në Shqipëri. Në fakt, nuk është sekret që ‘peshq të mëdhenj’ në rrjetën e drejtësisë nuk kanë rënë në 26 vite, as në fushën e drogës, as në atë të korrupsionit në nivele të larta.
“Ambasadori Lu është një mik dhe mbështetës i zjarrtë i Shqipërisë, që e përfaqëson më së miri Presidentin e Shteteve te Bashkuara si një vend partner kryesor i vendit tonë, e i shqiptarëve në tërësi. Por ambasadori Lu është po ashtu një njeri si të gjithë ne, të cilin pasioni për një kauze të drejtë e çon ndonjëherë në eksese retorike, duke i futur peshqit e peshkatarët në një trastë! Padyshim që këto eksese nuk e bëjnë më pak të vyer kontributin e tij për të çuar përpara reformat, në veçanti Reformën në Drejtësi. Sidoqoftë ka vetëm një rrjetë që kap “peshq” në një vend demokratik dhe kjo është rrjeta e drejtësisë, të cilën në Shqipëri, prej 25 vjetësh, peshqit janë mësuar ta hanë sa herë ndeshen me të.”
Kështu është shprehur kryeministri Rama në jë intervistë për GSH.al, ku ka treguar se edhe ambasadori Lu ka ekseset e veta retorike.
Jo të gjitha qëndrimet e ambasadorit Lu janë të pëlqyeshme nga Rama, sidomos ato që i barazojnë të dyja kahet politike në Shqipëri.