Albspirit

Media/News/Publishing

Rama mbron  Soros: Ai ka 26 vjet që paguan për ne. Kush e shan, mosmirënjohës

 

Kryeministri Edi Rama nuk ka duruar më dhe ka dalë më në fund hapur, në mbrojtje të mentorit të tij, Xhorxh Soros. Në një intervistë për mediat ai përfshihet plot nerv për herë të parë në debatin që është hapur mbi aktivitetin e fondacionit Soros dhe qëllimet e tij në Shqipëri. Rama ka pranuar më në fund, se Sorosi e ka mbështetur financiarisht Reformën në Drejtësi, duke shtuar se pagesat e tij financiare kanë filluar që nga viti 1991, ndërkohë që fondacioni është regjistruar në gjykatë vetëm në vitin 1994. Rama si një ndër të të paktët politikanë që ishte përzgjedhur për të marrë pjesë në dasmën e miliarderit, i quan ata mosmirënjohës të gjithë ata që sulmojnë Sorosin, pasi sipas tij, të gjithë kanë përfituar prej tij.  “Në dijeni time Fondacioni Soros ka kontribuar me një mbështetje financiare për mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtesi. Kjo padyshim ka qenë diçka pozitive sepse ka lehtësuar disa shpenzime jo të vogla për ekspertizë. Ndërsa sa për “dorën e Sorosit” ndjej neveri kur shoh se si e kafshojne ata që deri dje e kane puthur jo një herë atë dore, Saliu in primis! Ajo dorë ka ndihmuar Shqipërinë e dalë nga diktatura qysh në hapat e para të lirisë; ka ndihmuar intelektualët, studentët, artistët, gazetarët, shkencëtaret, nëpunësit e rinj, qeveritë e këtij vendi njëra pas tjetrës. Pse?! Thjesht e vetëm në emer të idesë së Shoqerisë së Hapur, të cilën George Soros e ka qysh në rininë e tij qëllim të jetës dhe për të cilën ka derdhur një pjesë të mirë të pasurisë së tij në gropën e ish-Perandorise Komuniste. Vë bast se nuk ka një person të vetëm publik nga ata që e mallkojnë sot, që nuk ka përfituar mbështetje financiare nga Fondacioni Soros në 25 vjetët e veprimtarisë së fondacionit në Tiranë. Eshtë e neveritshme të shohesh se si një njeri që vetëm ka investuar paratë e tij në Shqipëri, për idenë që mbron prej një jetë, dhe që nuk ka kërkuar kurrë asnjë qindarkë mbrapsht nga ky vend, të kriminalizohet si të ishte një keqbërës i rëndomtë! Po s’ke ç’i bën, mosmirënjohja e qenies pa memorie nuk ka brirë”, ka deklaruar  Rama.

Please follow and like us: