Shqipëri, mangësi të theksuara në sistemin e vlerësimit të gjykatësve
Këshilli i Lartë i Drejtësisë në Shqipëri nuk arriti të përmbushë detyrimin ligjor për përmbylljen e raundit të dytë të vlerësimit profesional për gjyqtarët, duke lënë një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh jashtë garës për institucionet e reja të drejtësisë. Analiza mbi sistemin e deritanishëm të vlerësimit profesional tregon se procesi u shoqërua me zvarritje dhe dështoi të garantojë promovime të bazuara në meritë brenda sistemit gjyqësor.
Materiali në kuadër të bashkëpunimit të Zërit të Amerikës me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, është përgatitur nga gazetari Elton Qyno.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk arriti të përmbyllë raudin e dytë të vlerësimit profesional për të gjithë gjyqtarët e shkallës së parë dhe Apelit në vend, duke lënë rreth 40 gjyqtarë jashtë kandidimit për institucionet e reja që do të ngrihen në kuadër të reformës në drejtësi.
Sipas ligjit “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, KLD kishte tre muaj kohë për përmbylljen e vlerësimeve për vitet 2007-2009-afat i cili ka skaduar më 22 shkurt.
Në mbledhjen e fundit të 10 shkurtit, disa anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë përcollën shqetësimin e gjyqtarëve për mungesën e vlerësimit të dytë profesional-kusht ligjor ky për të kandiduar në institucionet e reja të drejtësisë. Një tjetër problem i shkaktuar nga zvarritjet e procesit të vlerësimit, sipas debatit mes anëtarëve të KLD është pabarazia mes gjyqtarëve që do të përfshihen në procesin e vetingut.
I përcaktuar si detyrim ligjor prej vitit 2008, procesi i vlerësimit profesional të gjyqtarëve është shoqëruar vazhdimisht me bllokime dhe zvarritje në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ekspertë të kontaktuar nga BIRN kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi eficensën e deritanishme të këtij procesi, në funksion të promovimeve të gjyqtarëve brenda sistemit të drejtësisë.
Sipas ligjit të vitit 2008 për “organizimin e pushtetit gjyqësor”, çdo gjyqtar i Republikës së Shqipërisë do të duhej t’i nënshtrohej vlerësimit profesional të paktën një herë në tre vjet.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë tregojnë se ky detyrim ligjor nuk është respektuar.
Përgjatë 9 viteve, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar vetëm raundin e parë të vlerësimit për 279 gjyqtarë për vitet e punës 2005-2006 dhe është në përmbyllje të raundit të dytë për vitet 2007-2009. Kryeinspektorja Marsida Xhaferrllari tha në mbledhjen e fundit të KLD-së ka përfunduar vlerësimi i 246 gjyqtarëve nga 316 gjithsej, ndërsa dosjet e pjesës së mbetur ndodhen në faza të ndryshme vendimarrjeje.
Analiza e të dhënave të siguruara nga BIRN në Inspektoriatin e KLD-së tregon se shumica e gjyqtarëve shqiptarë janë vlerësuar me notën “ shumë mirë” për të dyja raundet e vlerësimit. Një numër më i vogël gjyqtarësh kanë marrë notën mirë dhe asnjë prej tyre nuk është vlerësuar si i paaftë nga inspektorët e KLD-së.
Vlerësimi për vitet 2005-2006
Shumë mirë 225 gjyqtarë
Mirë 51 gjyqtarë
Pranueshëm 3 gjyqtarë
I paaftë 0 gjyqtarë
Vlerësimi për vitet 2007-2009
Shumë mirë 224 gjyqtarë
Mirë 33 gjyqtarë
Pranueshëm 5 gjyqtarë
I paaftë 0 gjyqtarë
Vlerësimi profesional i gjyqtarëve për punën e kryer shumë vite më përpara është është cilësuar si një mangësi serioze e këtij procesi, sipas një analize të bërë nga ekspertë të Këshillit të Europës. Ndërsa për delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, sistemi i vlerësimit i ndjekur deri tani nga KLD nuk garanton një dallim mes gjyqtarëve të niveleve të ndryshme.
I kontaktuar nga BIRN, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë deklaroi se reforma në drejtësi ka adresuar defektetet e sistemit të vlerësimit profesional dhe tanimë parashikon 5 nota të dallueshme qartë nga njëra-tjetra për gjyqtarët.
“Një nga sfidat më të mëdha në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve është guximi institucional për të bërë ndryshimin dhe për të dalluar gjyqtarët me performancë mesatare nga të tjerët. Në fakt, vetëm një skemë vlerësimi që “bën dallime” mund të cilësohet e ndershme. Ajo inkurajon dhe stimulon performancën më të mire,” deklaroi delegacioni i BE.
Delegacioni vlerëson gjithashtu se një sistem funksional dhe në kohë i vlerësimeve profesionale është parakusht për sistemin e promovimit të gjyqtarëve dhe prokurororëve, bazuar në meritën e tyre.
“Progres-raporti i Bashkimit Europian ka shprehur vazhdimisht shqetësimin se promovimet e gjyqtarëve nuk janë të bazuara në mënyrë të mjaftueshme në meritë dhe u mungon transparenca. Delegacioni i BE është i vetëdijshëm për rastet ku kritere të ndryshme nga merita kanë qenë arsyeja e promovimit dhe ato janë raportuar në mënyrë të vazhdueshme nga media,” tha delegacioni i BE për BIRN.
Elvis Çefa, i cili ka drejtuar si zëvendëskryetar Këshillin e Lartë të Drejtësisë i tha BIRN se sistemi i vlerësimit të gjyqtarëve u konceptua drejt klasifikimit të gjyqtarëve, në mënyrë që KLD të orientohej për promovimet apo sistemin e karrierës. Megjithatë, zvarritja për disa vite e procesit solli defekte, pasi për disa gjyqtarë kishte një vlerësim dhe për disa të tjerë dy vlerësime.
“Por a ka pasur ndikime apo njerëz që kanë mbështetur persona të caktuar? Kjo sigurisht që është një element krejtësisht normal për një institucion kolegjial dhe është krejt e natyrshme dhe njihet edhe nga doktrina ligjore lobimi dhe institucioni i lobimit në këtë rast. Gjyqtarët shpeshherë për zgjedhjen si anëtarë KLD apo si kryetarë gjykatash apo për promovimin dhe transferimin e tyre sigurisht që kanë lobuar dhe kjo është krejtësisht e ligjshme dhe normale,” tha Çefa.
Juristi Sokol Hazizaj, i cili ka mbajtur më parë edhe postin e zv.ministrit të Drejtësisë i tha BIRN se ndonëse ligji e pohonte qartë, promovimi i gjyqtarëve në Shqipëri nuk është bazuar në sistemin e meritokracisë.
“Nuk di ndonjë rast që të jetë bërë, mbase informacioni im është i reduktuar, që një gjyqtar të ketë kaluar nga gjykata e faktit në shkallët e tjera nëse nuk ka pasur mundësi sociale për t’u njohur me anëtarët e KLD-së. Nëse ju më gjeni ndonjë, unë do ta pranoj. Nuk di ndonjë rast që të jesh ngritur në karrierë për shkak të aftësive. Di mjaft raste që janë ngritur në karrierë për shkak të njohjeve,” thotë Hazizaj.
Ligji për “statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” prezanton për herë të parë konceptet “e transferimit” dhe “promovimit”, i vendos ato në kushte transparence dhe të lidhura ngushtësisht me rezultatet e vlerësimit professional për gjyqtarët dhe prokurorët.