Albspirit

Media/News/Publishing

Si ndryshuan pushimet nga periudha e mbretërisë në regjimin komunist

Turizmi vlerësohet sot si një prej potencialeve kryesore që mund të udhëheqin rritjen ekonomike të vendit. Por nuk ka qenë kështu gjithnjë. Pavarësisht potencialit të madh që vendi paraqet falë kushteve natyrore apo nismave më shumë se 1 shekullore për të ndërtuar një industri të tillë, sërish zhvillimi mbetet nën potencialin e mundshëm.

Turizmi gjatë Monarkisë 

Shqipëria ka pasur vizitorë të huaj prej shekujsh që nuk i kanë “kursyer” vlerësimet për potencialin e vendit tonë por si industri, ajo ka nisur të zhvillohet gjatë viteve 20-30. Të dhënat e kohës dëshmojnë se gjatë periudhës së Monarkisë, turizmit iu kushtua shumë vëmendje. U ngrit një klub turizmi, u lidhën  marrëveshje me agjenci turizmi e mes flotave detare, u bënë dokumentare, botime e broshura në gjuhë të huaja etj. Pra, nisi promovimi i Shqipërisë turistike ndërsa nga ana tjetër, nisën edhe të përgatiteshin kushtet për të pritur turistë të huaj. Duhet pasur parasysh se në atë periudhë turizmi nuk ishte masiv pasi edhe tendenca botërore nuk ishte e tillë.

Gjatë periudhës së mbretërisë ishin të shumta udhëzimet zyrtare, apo rregulloret që duheshin zbatuar nga vendasit kundrejt turistëve të huaj. Kishte urdhëresa për higjienën e hoteleve, veshjen e personelit, sjelljen e tyre. Urdhëresat ishin aq të detajuara sa parashikonin edhe kujdesin që duhej treguar në atë që u duhej treguar turistëve të huaja. Një nga këto urdhëresa ishte për izolimin e lypsarëve dhe të papunëve gjatë kohës që qyteti vizitohej nga turistë të huaj.

Direktiva kryesore shprehej në parullën, “T’i presim turistët si miq”. Të dhënat historike statistikore dëshmojnë se gjatë periudhës së Mbretërisë, Shqipëria numëronte 13 qendra pushimesh dhe 27 hotele, nga të cilat 3 ishin në Durrës. Nga ana tjetër, “ranishtja” e Durrësit u punua e u rregullua me një projekt urbanistik që parashikonte ndërtimin e vilave të pushimit. Përgjatë kësaj periudhe, në dy portet kryesore të vendit ankoroheshin rregullisht anije me turistë. Situata ndryshon me ardhjen në pushtet të regjimit komunist.

Turizmi gjatë komunizmit

Më ardhjen në pushtet të regjimit komunist pas vitit ’44, situata e turizmit ndryshon. Iniciativat e para private për zonat turistike shtetëzohen. Zona rrethohet nga tela me gjemba dhe për të pushuar aty nevojitej autorizim. Për udhëheqjen e lartë ndërtohen shtëpi pushimi të veçanta ndërsa për familjarët ndërtohen kampe pushimi. Jo të gjithë punëtorët apo familjarët arrinin të siguronin një fletë kampi. Për familjet shqiptare, pushimet ishin sa argëtuese, aq edhe të mundimshme pasi për 15 ditë pushime, familja duhej të merrte gjithçka me vete.

Gjatë periudhës së regjimit komunist, turizmi nuk u konsiderua thuajse asnjëherë si degë kryesore e ekonomisë. Parimi i ndjekur ishte ai që “shërbimet kanë influencë në shpërndarjen e mirëqënies por nuk kanë ndikim në konfigurimin e prodhimit të brendshëm bruto”. Gjatë periudhës së regjimit komunist nuk synohej zhvillimi i industrisë e as rritja e të ardhurave në valutë të huaj dhe qëllimet ishin të ndryshme, në varësi të marrëdhënieve ndërkombëtare që kishte vendi e në varësi të rrethanave të brendshme. Një prej qëllimeve të turizmit ishte ai ideologjik e në funksion të këtij qëllimi u ngrit edhe infrastruktura e turizmit në vend.

Turistët e huaj

Interesimi i qeverisë komuniste për turizmin fillon në epokën e fillimit të lidhjeve të Shqipërisë me vendet e tjera lindore. Dhe në funksion të marrëdhënieve me jashtë e në funksion të kërkesave të vendeve komuniste, nis të ndërtohet në Shqipëri infrastruktura përkatëse. Në këtë periudhe, Shqipëria vizitohet nga turistë gjermane, polakë, çekë, hungarezë apo rusë. Edhe nga pala shqiptare, nuk mungojnë turistët që pushojnë në vendet e rreshtuara në bllokun sovjetik. Në këtë periudhë u ndërtuan hotelet e para në Durrës ku më i njohur ishte hotel “Adriatik”, që ende sot mban të njëjtin emër. Pas tij ngrihen hotele të tjera që për nga stili arkitekturor ishin sovjetikë e kishin si qëllim t’i shërbenin kampit komunist.

Viti 1961 dikton ndër të tjera edhe në shkëmbimet turistike. Prishja e marrëdhënieve të Shqipërisë me bllokun sovjetik sjell jo vetëm ndërprerjen e turistëve shqiptarë që shkonin drejt vendeve të bllokut lindor por edhe turistët e vendeve lindore që duhej të vinin drejt Shqipërisë. Shqipëria nis të izolohet dhe numri i turistëve bëhet gjithnjë e më i paktë. Në këtë kohë, sa ishin përfunduar edhe investimet e para të hoteleve, të ndërtuara sipas frymës sovjetike. Në këtë mënyrë, Shqipëria trashëgoi një infrastrukturë turistike të përshtatur për turistët nga blloku lindor.

Misionet e “Albturist”

Pas vitit 1961, synimi kryesor i turizmit ishte propagandimi i arritjeve të Shqipërisë komuniste. Dhe këtij qëllimi i shërbente edhe ndërmarrja shtetërore e turizmit “Albturist”, e  themeluar në vitin 1956. Duke qenë kompania e vetme ajo zotëronte një rrjet hotelesh të njohura si “Turizmi”, një rrjet autobuzësh me emërtesën “Albturist” dhe promovonte turizmin si një ideologji. Misioni i kësaj shoqërie ndryshoi pas viteve 1961.  Me ndërprerjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera, Shqipërisë ndryshon edhe politika ndaj turizmit. Turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë tashmë gjenden përmes rrugëve të tjera dhe “Albturist” fillon të “gjurmojë” ata turistë që shprehin miratim ndaj politikës zyrtare të shtetit shqiptar.

Përgjatë luftës së ftohtë dhe ndryshimit të pozicinimit të Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, shoqërisë “Albturist” i duhej të kryente disa misione të rëndësishme njëherësh. Misioni i parë ishte manaxhimi i turistëve të huaj dhe shoqërimi i tyre nëpër Shqipëri. Misioni i dytë, ishte ai i propagandimit të “Shqipërisë së Re” ndërsa misioni i tretë ishte i kontrollimit të turistëve të huaj.

Detyra parësore ishte paraqitja e një “Shqipërie ndryshe” për turistët e huaj, e përmes tyre, përballë vendeve të tjera. Duhet evidentuar se nuk ishin vetëm shqiptarët ata që pengoheshin të takoheshin me turistët e huaj, por edhe këta të fundit me shqiptarët. Për këtë qëllim, pranë kësaj agjencie ekzistonte edhe një drejtori e posaçme që varej nga Sigurimi i Shtetit.  Shoqëria “Albturist” kishte një mision të dyfishtë; të propagandonte arritjet e Shqipërisë te turistët e huaj, por njëkohësisht edhe të “mbronte”, shqiptarët nga turistët e huaj.E për të arritur këtë, rruga që ndiqej ishte ekstreme…

Turistët e huaj me flokë të gjatë qetheshin apo ata prezantoheshin me veshje që nuk i përshtateshin normave shqiptare detyroheshin të ndryshonin veshjen. Lidhur me fotografimet  e filmimet, ato ishin të mundshme por të kontrolluara. Turistët e huaj duhet të shikonin atë që dëshironte politika zyrtare e shtetit shqiptar.

Oferta turistike e Shqipërisë ishte e pasur, por destinacioni ishte i paracaktuar. Nga ana tjetër, sipas dëshmive që kanë dhënë vizitorë të huaj të asaj periudhe, jo në pak raste kishte ndryshim programesh dhe pjesë e turit bëheshin edhe vizitat në ferma apo stalla të ndryshme, simbol i “suksesit” të regjimit.

Izolimi i Shqipërisë arrin deri në atë pikë, sa banorëve të Shqipërisë nuk u lejohej aq t’u afroheshin a t’u flisnin turistëve të huaj. Madje edhe hotelet e dikurshme ishin vende të ndaluara për ta. Situata ndryshon pas vdekjes së Enver Hoxhës. Prishja e marrëdhënieve me thuajse gjithë botën, mungesa e mbështetjes financiare, izolimi ekonomik etj. sjellin nevojën për të ardhura shtesë.

Në këtë pikë, turizmi u vlerësua si një opsion për të futur në vend valute të huaj, por mënyra sesi konceptohej dhe ishte organizuar turizmi e bënte pak apo aspak të mundshme këtë. Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe numri i vizitorëve të huaj mbetet i ulët, deri në vitet ’90 kur ndryshimi i modelit politik dhe ekonomik, do të reflektohej edhe në mënyrën e të bërit turizëm në Shqipëri.

Izolimi i vendit për disa dekada ruajti të paprekur potencialin dhe burimet turistike të vendit, por nga ana tjetër, ndikoi negativisht për industrinë pasi nuk i vuri ato në funksion të mirëqënies. Pas viteve ’90 janë bërë hapa të rëndësishëm por të pamjaftueshme në zhvillimin e industrisë së turizmit. Sot jemi në pikën kur vetë komunizmi e gjurmët e tij, përbëjnë një atraksion turistik për vendin./Scan/

Please follow and like us: