Ahmeti pret Mogherinin: Kriza institucionale, jo krizë ndëretnike
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti u takua këtë të enjte me përfaqësuesen e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.
Pas takimit, kreu i BDI-së shkroi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” se, në këto 16 vite kanë punuar bashkë me BE-në, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, ndaj dhe çdo arritje është e përbashkët.
“Ne kemi qenë, jemi dhe do mbetemi partnerë të komunitetit ndërkombëtar. Kriza institucionale dhe ajo e sistemit nuk guxon të kthehet në krizë ndëretnike. Ne do të mbetemi të përkushtuar për të arritur një zgjidhje politike”, ka thënë Ahmeti.
Kryetari i BDI-së shtoi se prioritete mbeten sundimi i së drejtës, shteti ligjor, institucionet e besueshme, përmbyllja e “Marrëveshjes së Ohrit”, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, si dhe integrimi në NATO dhe BE.
“Mogherini shprehu vlerësim për rolin dhe qasjen tonë konstruktive në këtë krizë të rëndë, duke theksuar se Bashkimi Europian është pranë nesh në përpjekjet për ta zgjidhur krizën, ndërsa theksoi nevojën për të vijuar dialogun mes nesh”, shkroi Ahmeti në “Facebook”.