Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Helena Kadare dhe libri “Kohë e pamjaftueshme”

Panairi i sivjetëm i librit, ndoshta më i anatemuari për shkak të zënkës së disa botuesve, do të mbahet mend gjatë për një ngjarje sipërore kulturore, botimin e librit me kujtime të Helena Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme”.

Në çdo festë libri kanë peshë të gjitha, edhe organizimet sa më të kujdesshme, edhe prurjet e reja, edhe komunikimet e shkrimtarëve me lexues, edhe autorë të huaj që promovohen për herë të parë në Tiranë si rasti i Sebastiano Grassos nga Pen Klubi i Shqipërisë, madje edhe zhurmëria për memuarët e politikanëve, por nëse sjell një botim të rëndësishëm, është i mjaftë qoftë edhe për këtë.

Libri i Helenës, i botuar fillimisht në Francë, rivjen për bashkëkombasit e saj gati një vit më pas si një vepër-çelës për të kuptuar korpusin e madh krijues të Ismail Kadaresë që tashmë përbën një fenomen botëror jo aq të deshifrueshëm.

I konceptuar me një hyrje dhe nëntë kapituj “Letra nga viset e ftohta”, “Jeta në çift”, “Ngrije dhe shkrirje”, “I mundur”, “Shkëputja”, “Nibelle, Shkaba e thyer”, “Midis Tiranës dhe Parisit”, “Një tjetër stil jete”, “Një sfinks në dimër”, vepra shpalos në mënyrë shteruese jetën e një çifti që s’është si të tjerët dhe në radhë të parë hedh dritë të plotë për bashkëshortin e saj, posedues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare, mes të cilave “Princi i Asturias”, “Man Booker International”, “Çmimi Servantes” dhe kandidat i disavjetshëm i “Çmimit Nobel”.

—–

Botimet Fayard: Helena Kadare zbulon fatin e një çifti të pazakontë

Duke qenë edhe ajo vetë shkrimtare, bashkëshortja e Ismail Kadaresë, Helena, zbulon fatin e një çifti të pazakontë. Në këtë rrëfim të mbushur plot ngjarje që dalin dhe e kapërcejnë të zakonshmen e një jete të përbashkët, shpaloset aktualiteti i një gjysmë shekulli që ka parë apogjeun, dhe më pas, agoninë dhe fundin e regjimeve komuniste, në Europën Lindore.

Në rrethin e miqësive, takimeve, të fshehtave të përbashkëta, ky çift gjen energji dhe kurajë që të mposhtë ankthin që diktatura ushtroi mbi banorët e vendit më të mbyllur dhe më misterioz të Europës.

Përtej episodeve shumë të pasura dhe të një humori, që jep përvojën e tragjedisë, këto kujtime dëshmojnë drejtpërdrejt mbi kompleksin e “punës së laboratorit”, në të cilën është përpunuar vepra e Ismail Kadaresë, si dhe mbi strategjitë e përdorura për të bërë që të dështojë censura, ose për të çuar e strehuar, në Francë, tekstet më të rrezikshme. I gjithë ky aspekt gjendet i pasuruar me shumë gjëra të reja. Kjo “speleologji” në thellësitë e krijimit letrar shpjegon për mrekulli atë që është realizuar në praktikë: rreth njëzet mijë faqe të një vepre të botuar.

Krejt e pazakontë, e guximshme, me një sinqeritet të rrallë, plot lehtësi dhe emocion, kjo kronikë e gjerë dhe e pasur, lexohet si një roman aventurash dhe pasionesh të atillë, që ngjallin dhe frymëzojnë dashurinë për artin dhe për lirinë.

Helena Kadare ka lindur në Fier, në Shqipëri. Shkrimtare dhe përkthyese, ajo e ndan jetën e saj ndërmjet Francës dhe vendit të saj.

Helena Kadare: “Kohë e pamjaftueshme”, një aventurë e gjatë