Albspirit

Media/News/Publishing

Christopher HILL: Demokracia liberale në venitje?

Administrata Trump do të mbahet mend si periudha më e errët e demokracisë liberale, por ndërsa kjo formë qeverisjeje merr një goditje pas tjetrës, koha do ta tregojë se ajo është më e fortë se rivalët e saj

Jemi vetëm në muajin e dytë të presidencës së Donald Trump, por shumë amerikanë janë lodhur tashmë nga drama dhe po pyesin se si do të jenë 46 muajt e tjerë në vazhdim.

Përtej krijimit të ankthit të vazhdueshëm, presidenca e çuditshme e Trump ngre një pyetje thelbësore: pasi ka qenë tashmë e sulmuar në shumë vende të botës, a është demokracia liberale tashmë në rrezik të humbjes së fortesës së saj? Nëse është e vërtetë, pasojat për politikën e jashtme amerikane dhe botën, mund të jenë të thella.

Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur një president kuptimi i të cilit për demokracinë amerikane është në dukje i kufizuar te fakti se ai ka fituar Kolegjin Elektoral. Sigurisht, kjo kërkon një lloj njohjeje me Kushtetutën Amerikane, ku përcaktohet edhe Kolegji Elektoral. Përtej kësaj, megjithatë, Trump duket se ka pak respekt për sistemin kontroll dhe balancë të Kushtetuës dhe ndarjen e pushteteve mes ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit në qeveri. Ai as nuk e respekton “pushtetin e katërt” të Amerikës, shtypin, të cilin ai ka filluar ta përshkruajë si “armik të popullit amerikan”.

Zgjedhjet, ndërsa të nevojshme, zor se mjaftojnë për të ruajtur parimet qendrore të demokracisë liberale. Në fund të fundit, presidenti rus Vladimir Putin, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe shumë despotë të tjerë kanë ardhur në pushtet me votë popullore.

Siç duhet ta dinë shumë nxënës, zgjedhjet kërkojnë që të gjithë shtetasit të tolerojnë pikëpamjet e ndryshme nga të vetat. Zgjedhjet nuk supozohet të kapërcejnë apo përmbysin institucionet demokratike apo ndarjen e pushteteve. Pavarësisht se si performon administrata e Trump, muaji i parë i dekreteve presidenciale – ose siç i njeh politika amerikane si “urdhra ekzekutivë” – zor se mund të shihen si një triumf për demokracinë liberale.

Trump do të bënte mirë të studionte Kushtetutën; dhe ndërsa i përkushtohet, duhet të gjejë kohë të lexojë disa nga dokumentet e tjera thelbësore të republikës. Ai duhet të fillojë me Marrëveshjen Mejflauer të 160, që njohu të drejtat politike dhe shoqërore të minoriteteve në një nga kolonitë më të hershme fetare të Amerikës.

Por Trump nuk është i vetmi amerikan që duhet ta përdorë këtë moment për të reflektuar mbi historinë e vendit të tij dhe rolin e vet në botë. Megjithëse slogani i administratës së tij “Amerika e Para” mund të tingëllojë frikësues për veshët e huaj, ai mund të jetë çlirim për të tjerët.

Që nga fundi i luftës së ftohtë, më shumë se çerek shekulli më parë, synimi kryesor i politikës së jashtme amerikane ka qenë përhapja e demokracisë në botë. Por në ndjekje të kësaj ambicieje fisnike, SHBA-ja e ka tepruar me raste. Megjithëse mbështetja e Amerikës për demokracinë duket se e vë atë në krahun e të mirëve, politikat shpesh janë zbatuar me një masë arrogance dhe madje zemërimi.

Amerika ndonjëherë ia ka ushqyer me zor demokracinë disa vendeve ose ia ka zgjatur nga maja e një bajonete. Ka shumë arsye përse demokracia liberale duket se është në sprapsje në botë. Por mes tyre është sigurisht ndjesia në rritje nga vendet e tjera dhe liderët e tyre, të cilët janë lodhur së dëgjuari akuzat leksionet dhe qortimet amerikane.

Marrim për shembull Irakun. Shumica e vëzhguesve perëndimorë u frymëzuan nga gishtat e njollosura nga boja të irakianëve pasi kishin votuar në zgjedhjet e parë të vendit. Por ndërsa zgjedhjet e lira shpesh janë një hap i parë në rrugën e demokracisë, pasojat nuk ishin aq të lehta në Irak. Identitetet politike u përcaktuan gjithnjë e më shumë nga përkatësia e sektit sesa nga çështjet thelbësore; dhe shpejt u bë e qartë se institucionet demokratike dhe kultura e tolerancës mbi të cilat ato mbështeten nuk futen lehtësisht në shoqëritë që nuk i kanë njohur ato më parë.

Disa vite më parë, fola me një lider ballkanik i cili kishte kaluar ditën duke dëgjuar një filantrop amerikan që i kishte dhënë atij leksion mbi mangësitë demokratike të vendit të tij të vogël e të ri. Ndërsa mendonte për telashet politike të ndjekjes së këshillës së filantropit, ai më pyeti, “Çfarë supozohet të bëj unë me këtë?” ai kishte identifikuar një mangësi thelbësore në lëvizjen për promovimin e demokracisë: t’i thuash dikujt si të zbatojë reforma demokratike nuk është njëlloj si të flasës për rreziqet dhe përgjegjësitë e bërjes së tyre realisht.

Pavarësisht skenës politike toksike aktualisht, SHBA ka ende një nga demokracitë më të suksesshme në histori. Ajo ofron një shembull të mrekullueshëm për t’u ndjekur nga të tjerët, por shembulli i saj nuk mund t’i imponohet botës. T’i thuash njerëzve që vendi i tyre duhet të jetë si Amerika nuk është një strategji e mirë.

Demokracia liberale ishte edhe jashtë ekuilibrit edhe përpara fitores së Trump; tani ajo ka humbur të gjithë qendrën e gravitetit. Katër vitet e ardhshme do të kujtohen si një periudhë e errët për këtë formë të çmuar të qeverisjes. Por demokracia liberale i ka lënë pas rivalët e vet të mëparshëm dhe me gjasa do ta bëjë sërish. Ata që kanë luftuar aq fort dhe kanë sakrifikuar aq shumë për të do të sigurohen që demokracia liberale të zgjasë./Project Syndicate, 2017/

Please follow and like us: