Eli Fara rrëfen pengun e jetës: Kështu ishte e shkruar, kam kaluar shumë furtuna
E kemi parë gjithnjë të qeshur në sytë e publikut, por edhe Eli Fara ka kaluar shumë momente jo të mira në jetë.
Momente këto për të cilat ka folur në një intervistë në emisionin “Tek unë me Arjola Shehun”.
Këngëtarja ka folur edhe për marrëdhënien me të bijën, së cilës thotë se ia ka plotësuar të gjitha duke qenë se ka qëndruar larg saj për shkak të punës.
“Në jetë kam kaluar shumë furtuna, por e mira është kur ti ia del. Nuk më tremb ideja nëse Marina martohet, më duket gjëja e duhur sepse çdo njeri duhet të krijojë familjen. Ndoshta sepse e kam pasur të munguar atë jetën familjare dhe çdo gjëje i kam dalë ballë vetë, unë e di ç’do të thotë të jesh vetëm. Shpesh thoja pse duhet t’i bëj të gjitha gjërat në jetë vetë? Po një mbështetje, kur shikon të tjerët. Sidomos rastet e festave ndihesh edhe më vetëm se në ditët e zakonshme, kështu që unë dua ta shoh Marinën të plotësuar në jetë, të ketë një mbështetje”, ka thënë Eli Fara.