Fitnete Gruda: Unë “protestoj” kështu!
Protestën e 18 Shkurtit, e cila vazhdon ende deri tani, e kam ndjekur me vëmendje në largesë me anë të televizorit dhe parimisht “jam aty”, por unë “protestoj” kështu, duke e nisur nga vendi ku punoj, duke kritikuar çdo gjë të mbrapshtë që vërej, e nis duke “protestuar” për mbrojtjen e dinjitetit tim e të pjesës për të cilën unë kam përgjegjësi (fëmijët), indirekt dhe të asaj pjese që ka zgjedhur indiferencën dhe pse padrejtësinë nuk e pëlqen. “Protestoj” duke ngritur fenomene publikisht sa herë që e shoh të nevojshme dhe nuk rri të pres kur të ngrihet një “X” parti t’i bashkëngjitem sa për dukje, për të përfituar diçka. Përtej respektit që kam për çdo protestues, sakrificat për të shkuar atje, nuk mund ta fsheh një kontradiksion që vërej tek ata protestues që në vendin e punës i servilosen titullarit deri në vështirosje (psh në shkollë, një titullari që të jep më shumë orë sesa norma e përcaktuar në udhëzimin përkatës dhe këto orë nuk t’i njeh për pagesë, që do të thotë të shkel dinjitetin tënd) dhe i bashkëngjiten protestës kundra qeverisë, duke harruar se pushteti për “Ata” në punë është titullari. Ai e luan “politikën” e qeverisë në atë institucion. Ky servilizëm të çon në dy gjëra: Ose “Ata” janë trajtuar ndryshe, nga pjesa tjetër, nga titullari dhe kanë marrë pagesë, ose duan të përfitojnë në gjëra të tjera dhe pranojnë këtë mospagesë, duke harruar dinjitetin e tyre. Në të dyja rastet nuk kanë të drejtë morale të flasin për shkelje të të drejtave të tyre. Kur një person nuk tenton në zgjidhjen e problematikave të tij në vendin e punës, për çfarë shkon në protestë?! Shpesh si problematikë një pjesë, janë mësuar të quajnë vetëm nëse nuk e ka mirë me drejtuesit, duke harruar që problematikë për të gjithë në një institucion përbëjnë: papërgjegjshmëria, mungesa e seriozitetit dhe transparencës; mospagesa sipas ligjit, favorizim në pagesë të disave, mostrajtimi në mënyrë të barabartë; mbështetja e gjërave negative…Këto na bëjnë që të mos ndihemi dinjitoz. Unë “protestoj” për këto që rendita dhe për hedhjen baltë kundra atyre që mbajnë qëndrim kritik dhe masa e baltës bëhet e madhe ndaj atyre që zgjedhin të mbajnë qëndrim kritik publik; për mungesën e disiplinës në institucion; kundër mungesës së kërkesës së llogarisë për një pjesë; kundër arrogancës së ndonjë drejtuesi; kundër mohimit të së drejtës së fjalës me shprehje “ç’të duhet ty, s’je drejtor …” ; “protestoj” kur më të padisiplinuarit në punë (që kurrë nuk vijnë në punë në orar; apo dalin nga ora e mësimit sa herë duan…, bëjnë presion për kurse private tek nxënësit; sjellje jo të përshtatshme me nxënësit, nxjerrje të disa nxënësve nga mësimi për të bërë prova për aktivitete…) guxojnë dhe bëjnë presione të vazhdueshme nga më të ndryshmet, me klasën kujdestari deri në nxjerrjen jashtë nga ora e mësimit të nxënësve për harresën e librit në shtëpi apo dhe një sjellje që menaxhohet lehtë nga vetë mësuesi i orës duke harruar që kjo gjë nuk lejohet dhe që përgjegjës për orën e mësimit është vetë mësuesi, madje duke harruar dhe mënyrat e bashkëpunimit me mësuesin kujdestar apo më e keqja ndërhyrje në kompetencat e mësuesit kujdestar. Kjo vetëm se mësuesi i tyre ngre probleme. Në të vërtetë, unë “protestoj” për mënyrën e drejtimit të ndërtuar mbi bazën e manipulimeve, mashtrimeve, shantazheve, hileve, mpleksje interesash të cilat çojnë në marrëveshje kulisash, e cila ka krijuar një klimë të keqe në institucion, klimë shumë përçarëse, që shitet si klimë bashkëpunuese, kur realisht bashkëpunimi mes njëri–tjetrit për punën mungon, vetëm se rriten tendencat për bashkëpunim kundra personit që mban qëndrim kritik. Ky lloj drejtimi bie në kurriz të të gjithëve në një farë mënyre. “Protestoj” kundër një drejtimi që shkatërron punën e mësuesit kujdestar, duke mospranuar të takojë prindin dhe fëmijën e tij në prani të mësuesit kujdestar, për një ankesë ndaj një mësuesi që u soll keq me fëmijën dhe prindin, duke e zhvendosur vëmendjen nga problemi që shqetësonte prindin tek mësuesi kujdestar dhe klasa kujdestari, dhe më pas nxjerr fëmijët nga mësimi duke u bërë presion për bashkëpunimin me mësuesin kujdestar dhe “këshilla” për mos thënien e problemeve shqetësuese mësuesit; kurse prindin e telefonon dhe takon në lokal me mësues që u ka ardhur rasti të hedhin baltë për mësuesin kujdestar tek prindi, ngaqë i është prekur interesi nga ngritja e problemeve të mësuesit në fjalë. Të gjitha këto janë një tendencë e hapur për të prishur ekuilibrat në marrëdhëniet prindër-mësues, kujdestar-nxënës, përpjekje për të dëmtuar integritetin e mësuesit në vazhdimësi. I tregova këto për të thënë se çfarë bëhet mbi një mësues që flet hapur. “Protestoj” për atë mënyrë drejtimi, kur për ndokënd mbyllen dhe fenomene dhune dhe për të tjerë kërkohet gjilpëra në kashtë; kur përpiqen “të punojnë “që nxënësit disiplinën ta kuptojnë si mungesë lirie për të cënuar autoritetin e mësuesit. ”Protestoj” për ata drejtues provokatorë që luajnë me durimin e atyre që flasin hapur. Në thelb kundër këtij drejtimi që ka përgjegjësi ekskluzive për çka ndodh në institucion. “Protestoj” edhe ndaj atyre institucioneve që edhe pse janë në dijeni të këtyre problemeve, nuk ndryshuan situatën dhe mendoj sepse kam mbajtur qëndrim kritik. Të gjitha këto jo me qëllim për të ndryshuar ndokënd, askënd nuk mund të ndryshojmë, askush nga ne nuk është ëngjëll, por për të detyruar drejtuesit të ndryshojnë mënyrën e drejtimit, për të rritur përgjegjshmërinë dhe seriozitetin, për të mbrojtur dinjitetin tim. Vetëm gatishmëria për të kritikuar çdo gjë të mbrapshtë mund të japë shpresë për ndryshim. Nëse të gjithë në një farë mënyre do të reagonin ndaj fenomeneve negative, duke filluar me mbrojtjen e të drejtave të tyre në punë, edhe qeveritarët do ta ndjenin peshën e revoltës dhe do të shtonin përgjegjësinë në kryerjen e detyrës së tyre dhe nuk do të lindte nevoja për protesta kaq të gjata.