FJALIMI OPTIMIST I PRESIDENTIT TRUMP
Frank Shkreli
Të marten mbrëma, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald trump mbajti fjalimin e tij të parë, në një sesion të përbashkët të dy dhomave të Kongresit amerikan. Me një ton të ri optimizmi, ai e quajti fjalimin e vet, një mesazh të fuqishëm uniteti dhe një mesazh nga zemëra. “Ne mund të jemi një vend i përçarë në lidhje me politikat që duhet të ndjekim, por jemi një vend i bashkuar kundër urrejtjes dhe të keqës, në të gjitha format e tyre”.
Ai i tha Kongresit dhe nepërmjet tij popullit amerikan dhe botës se, “Tani ka filluar një kapitull i ri i Madhërishëm i Amerikës” dhe se “Një krenari e re kombëtare po përhapet anë e mbanë vendit”. Presidenti Trump deklaroi se, “Një hov i ri optimizmi po i bën të arritshme ëndërrat që deri tani dukeshin të parealizueshme.” Ai vazhdoi duke thënë se “Jemi dëshmitarë”, të asaj që ai cilësoi si, “Një ringjallje e një fryme dhe entuziazmi të ri amerikan”, duke u premtuar njëkohsisht edhe aleatëve të Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës se, “Amerika është prap e gatëshme të udhëheq”, duke theksuar se, “Të gjitha kombet e botës – miq ose armiq – do të shohin se Amerika është e fortë, Amerika është krenare dhe se Amerika është e lirë.”
Në fjalimin e tij, Presidenti Trump iu referua 250-vjetorit të ardhëshëm të themelimit të Shteteve të Bashkuara dhe shpalljes së pavarësisë amerikane – që do festohet në vitin 2026 – e të cilën ai e quajti si një moment të rëndësishëm në historinë botërore –duke pyetur, “Si do të duket Amerika ndërkohë që i afrohemi 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara? Çfarë vendi do u lëmë pas fëmijve tanë”, duke premtuar se, “Unë nuk do të lejojë që gabimet e dekadave të kaluara të përcaktojnë të ardhmen tonë.”
Por, përveç optimizmit që përçonte, fjalimi i presidentit Trump para Kongresit ishte gjithashtu edhe një fjalim programesh dhe propozimesh në fushën e politikës së mbrendshme dhe të jashtme, pasi këto politika janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën dhe përqendrimi i tepëruar mbi njërën prej këtyre, zakonisht bëhet në kurriz të tjetrës. Ne, tha presidenti Trump, për një kohë të gjatë kemi parë se si klasa e mesme në Amerikë ka vazhduar të pakësohet në numër, ndërkohë që firmat amerikane kanë ekportuar operacionet dhe pasurinë jashtë Amerikës. Ne, theksoi Z. Trump, kemi financuar dhe ndërtuar shumë projekte anë e mbanë botës, por kemi lënë pas dore fatin dhe mirëqenjen e fëmijve tanë, përfshirë të atyre në qytetet siç janë Çikago, Baltimore dhe Detroit. Ne kemi mbrojtur gjithashtu, nënvijoi ai në fjalimin e tij, kufijt e vendeve të tjera, ndërkohë që kemi lënë hapur kufijt tanë për këdo që dëshiron të vijë këtu, ndërsa po futen gjithashtu edhe sasi të mëdha droge, me një ritëm të paparë. Kemi shpenzuar triliona dollarë për të ndihmuar vendet përtej detit, ndërkohë që po shkatërrohet infrastruktura jonë, tha udhëheqsi amerikan në fjalimin e tij para Kongresit. Ai u bëri thirrje anëtarave republikanë dhe demokratë të Kongresit amerikan që të bashkohen në mbështetje të agjendës së tij të politikës së jashtëme dhe të mbrendshme, pasi kjo është dëshira e miliona amerikanëve të cilët në zgjedhjet e nëntorit të kaluar ishin të bashkuar, “Për një kërkesë të thjeshtë, që Amerika t’u kushtojë vëmëndjen kryesore shtetasve të vet më së pari, sepse vetëm atëherë mund t’a bëjmë përsëri Amerikën të Madhërishme”.
Ndër të tjera,ai premtoi, rritjen e buxhetit të mbrojtjes duke thënë se forcat e armatosura të Amerikës do të kenë burimet financiare dhe njerëzore për të cilat kanë nevojë, duke bërë thirrje për një rritje ndër më të mëdhat të buxhetit të mbrojtjes në historinë e Amerikës.Ndërkohë, propozoi që “Infrastruktura në shkatërrim e sipër të zëvëndësohet me rrugë, ura, tunele, aeroporte dhe hekurudha të reja anë e mbanë këtij vendi të mrekullueshëm”, u zotua Z. Trump. Në lidhje me këtë, Presidenti u solli ndër mend të pranishëmve se “Amerika ka shpenzuar afërsisht gjashtë trilionë dollarë në Lindjen e Mesme, ndërsa në vendin tone po shkatërrohet infrastruktura.” Me gjashtë trilionë dollarë”, shtoi ai, “do ta kishim rindërtuar vendin tonë, jo njëherë por dy herë e ndoshta edhe më shumë.Mbi të gjitha, Presidenti Trump u angazhua se do të realizohen të gjitha premtimet e bëra popullit amerikan gjatë fushatës së tij, përfshirë ndër të tjera, kufizimin e imigracionit, krijimin e vendeve të reja të punës për amerikanët, për përmirsimin e arsimit kombëtar, luftën kundër terrorizmit e ashtu me rradhë, ndërkohë që numëroi disa prej këtyre premtimeve të cilat ai tanimë i ka vënë në zbatim me anë të urdhërave ekzekutivë të Zyrës së Presidentit.Duke iu drejtuar aleatëve të Amerikës dhe botës, Presidenti Trump bëri thirrje për një politikë të jashtme të një angazhimi të drejtë për drejtë me botën. Poltika jonë e jashtme, tha ai, “Është një politikë e rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara, bazuar në interesat jetike të sigurimit kombëtar, interesa të cilat ne i ndajmë me aleatët tanë anë e mbanë globit”. Presidenti Trump deklaroi para Kongresit se Shtetet e Bashkuara, “Mbështesin fuqimisht NATO-n, një aleancë kjo e farkëtuar nepërmjet lidhjeve gjatë dy Luftërave Botërore që rrëzuan fashizmin dhe Luftës së Ftohtë që shëmbi komunizmin”. Ai përsëri u bëri thirje vendeve anëtare të NATO-s të pëmbushin obligimet e tyre financiare ndaj aleancës perëndimore, gjë që shtoi ai, “pas bisedimeve të sinqerta, aleatët kanë filluar tanimë të bëjnë pikërisht këtë”, është shprehur udhëheqsi amerikan. “Ne do të respektojmë institucionet historike, por do të respektojmë gjithashtu edhe të drejtat sovrane të kombeve”, ka theksuar presidenti Trump. Amerika, nënvijoi ai, është gati të bëjë miq të rinjë dhe të lidhë marrëdhënie të reja parneriteti, ku dhe kur përputhen interesat e përbashkëta. Por, ai paralajmëroi gjithashtu se përgjegjësia e tij e parë është të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara dhe jo botën, duke shtuar se nën udhëheqjen e tij, Shtetet e Bashkuara do të respektojnë të drejtat sovrane të popujve anë e mbanë botës, duke thënë se, “Vendet e lira janë mjeti më i mirë për të shprehur vullnetin e popujve dhe se Amerika respekton të drejtën e të gjitha vendeve të hartojnë vetë rrugën e tyre.”
Ai përfundoi fjalimin e tij me shpresën se në 250-vjetorin e Pavarësisë së Shtetet Bashkuara më 2026, do të kemi një botë më paqësore, një botë më me drejtësi dhe një botë më të lirë.Nëqoftse realizohen të gjitha premtimet e bëra prej tij, Presidenti Trump u zotua, se më fund do të kemi një Amerikë më të madhërishme se kurdoherë më parë për të gjithë amerikanëtpa dallim, duke deklaruar se, “Ky është vizioni ynë, ky është misioni ynë. Por ne mund t’i realizojmë këto vetëm duke punuar së bashku, pasi jemi një popull me të njëjtin fat dhe të një gjaku. Të gjithë ne nderojmë dhe përshëndesim të njëjtin flamur dhe të gjithë ne na ka krijuar e njëjta Perëndi”, u shpreh Donald Trump.Me këto fjalë, Presidenti Trump përfundoi fjalimin e parë, para Kongresit të Shteteve të Bashkuara, një fjalim i cili u karakterizua nga shumë eskpertë, madje edhe nga disa që nuk janë përkrahës të tij sidomos në qarqet mediatike këtu në Amerikë, si fjalimi ndoshta më i miri që ka mbajtur Z. Trump gjatë karirerës së tij. Chris Wallace, analist i entit televiziv Fox, komentoi se, “Mendoj që fjalimi ishte padyshim, fjalimi më i mirë që kam dëgjuar nga Donald Trump. Në të vërtetë”, shtoi ai “Ishte fjalimi më i mirë që kam dëgjuar nga cilido qoftë president në të njëjtat rrethana.” Ndërsa nga ana tjetër e spektrit politik edhe Kirsten Powers, stratege e Partisë Demokrate dhe komentatore në entin televiziv CNN e cilësoi fjalimin e Presidentit Trump para Kongresit, si “Më të mirin që kisha dëgjuar ndonjëherë.” Ndërsa Gayle King e rrjetit televiziv CBS u shpreh se “Presidenti Trump tha prej fillimit se do të fliste nga zemra dhe besoj se ai e bëri një gjë të tillë”. Ndërsa komentatorja liberale dhe kritike e ashpër e Donald Trump, Rachel Madow e rrjetit televiziv amerikan MSNBC u shpreh se mendon se ishte “një fjalim që do të pritet mirë nga amerikanët”. Ndërsa në qarqet politike, në përgjithësi, fjalimi i president Trump u lavdërua nga republikanët dhe u kritikua nga demokratët, natyrisht bazuar në pikëpamjet e tyre politike dhe partiake ndaj propozimeve dhe programit të Presidenti Trump, qoftë në fushën e politikës së mbrendshme ashtu edhe atë të jashtme. Por tashti mbetet për tu parë se cilat do të jenë rezultatet e zbatimit të agjendës politike dhe ekonomike të Presidentit Trump dhe cila do të jetë mbështetja ndaj kësaj agjende në Kongresin amerikan, jo vetëm nga demokratët që janë shpallur tanimë kundër saj, por edhe nga ana e republikanëve, disa prej të cilëve nuk janë plotësisht dakort me disa elementë të agjendës së tij.
Pasi fjalimi i Presidentit Trump të martën mbrëma para Kongresit amerikan u vlerësua ndryshe nga fjalimet e mëparshme të fushatës së Z. Trump — për nga optimizmi dhe tonet pozitive por edhe për nga thirrja e tij për unitet e bashkpunim të përçuara në atë fjalim – mbetet për tu parë nëse kemi të bëjmë me një Donald Trump si president në Shtëpinë e Bardhë, ndryshe nga Donald Trump i fushatës për president. Sfida pra dhe prova e vërtetë, përballë të cilës gjëndet Presidenti Trump dhe kombi amerikan, është nëse kjo agjendë politiko-ekonomike që ai shpalosi të martën mund të bëhet realitet në muajt dhe vitet e ardhshme.