Kryeministri maqedonas i përgjigjet Ramës: Keni ambicieve për ridefinimin e Maqedonisë, reformoni Shqipërinë
Për vendimin e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka folur kryeministri teknik Emil Dimitriev, i cili i thotë kreut të ekzekutivit shqiptar se ndërhyrja e vazhdueshme e Tiranës në punët e brendshme të Maqedonisë shkakton dëm të madh në marrëdhëniet mes fqinjëve dhe është kundër vlerave evropiane.
“Besoni, ajo nuk i ndihmon askujt. Nuk i ndihmon Shqipërisë, qytetarët e së cilës presin nga ju të angazhoheni në dobësitë e qeverisjes dhe ato ekonomike. Nuk i ndihmon BE-së sepse ato e kanë të qartë që ju kërkoni vetëm arsye për t’u zënë me fqinjët që të mos òitet për atë që e keni bërë apo nuk e keni bërë në shtëpi. Nuk i ndihmon as Maqedonisë qytetarët e së cilës duan shtet sovran dhe të pavarur në kufijtë ekzistues. Ata qytetarë e paguajnë çmimin e ambicieve tuaja për ridefinimin e Maqedonisë, në vend se ta reformoni Shqipërinë në kufijtë ekzistues. Nuk u ndihmon as partive në Maqedoni kundrejt të cilave silleni si mbrojtës në mënyrë nënçmuese”, ka thënë Dimitriev në reagimin e tij. Ai ka shtuar se është i bindur që edhe pa ndërhyrjen e Tiranës zyrtare Maqedonia do të gjejë zgjidhje për sfidat.
“Së fundmi, është shumë jokorrekte të ndizni zjarrin nacionalist. Gjuha shqipe është e përfaqësuar gjerësisht në Maqedoni. Gjuha shqipe, po ashtu edhe turke, serbe, vllehe, boshnjake dhe rome, bashkë me gjuhën maqedonase është pjesë e kulturës dhe pasurisë së Maqedonisë. Angazhojmë resurse të mëdha për promovimin e gjuhës dhe kulturës të bashkësive tona etnike. Do të ishte mirë të na ndiqni në këtë drejtim. Në Shqipëri, jo shumë kohë më parë, duhej patjetër të mbylleshin dritaret nëse nëpër shtëpi është folur gjuha amtare, që të mos dëgjojë dikush. Ne këtë përvojë nuk e kemi pasur asnjëherë. Qytetarët maqedonas, pa dallim të përkatësisë etnike dhe fetare, vetë kanë tejkaluar shumë kriza në histori, do ta tejkalojnë edhe këtë. Qëllimi ynë i përbashkët është që edhe në të ardhmen të vazhdojmë në ndërtimin e shoqërisë së fortë qytetare e cila do të jetë pjesë e familjes euroatlantike”, deklaroi Dimitriev.