Albspirit

Media/News/Publishing

Llalla intensifikon sulmet, pas deputetëve verifikim edhe për rreth 60 këshilltarë bashkiakë, vijojnë përplasjet me KQZ mbi kompetencat

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, intensifikon lëvizjet sa i përket zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Teksa ka nisur verifikimet për 5 deputetë dhe 3 kryetarë bashkie, në sitë janë duke kaluar mbi 60 këshilltarë bashkiakë. Pak ditë më parë ka kërkuar të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndërkohë vijojnë përplasjet me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sepse sipas procedurave, institucioni i parë që heton është KQZ dhe pastaj hetimet përkatëse të bëra prej tij ia kalon për hetime më të specifikuar Prokurorisë së Përgjithshme. Por në këtë rast të dy institucionet vazhdojnë hetimet dhe verifikimet secili më vete. Nga informacione të siguruara nga gazeta SOT, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vazhdon akoma procedura e mbledhjes së informacionit për këshilltarët bashkiakë për sa i përket ligjit të dekriminalizimit, por për të arritur në përfundime do një periudhë kohore më të madhe, sepse stafi i vogël i KQZ nuk mund të bëjë verifikime dhe hetime më të shpejta.Sipas burimeve nga të dyja institucionet, nësitë janë duke kaluar këshilltarë bashkiakë, të cilët kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit se kanë pasur raste dënimesh apo procedimesh. Ndërkohë, organi i akuzës është në pritje të përgjigjes nga Interpol për 5 deputetë dhe 3 kryebashkiakët. Por me afrimin e zgjedhjeve, duket se ka nisur një luftës mes Llallës dhe KQZ. Sipas informacioneve, prokuroria ka intensifikuar hetimet ndaj KQZ sa i takona administrimit të formularëve të dekriminalizimit. Ndërkohë që vijojnë përplasjet sa i takon kompetencave. Vetë KQZ prej disa kohësh po kryen verifikime për këshilltarët bashkiakë, por puna është ende duke vijuar pasi kërkohet kohë. Por edhe organi i akuzës vijon me verifikimet e veta, duke treguar se nuk ka besim te organi i drejtuar nga Denar Biba. Pritet që klima të tensionohet gjatë ditëve në vijim, pasi rrezikojnë që 5 deputetë të lënë mandatin. Në listë janë: Artan Gaçi, Mhill Fufi, Aqif Rakipi, Omer Mamo dhe Gledion Rehovica. Largimi i njërit prej tyre nga Parlamenti prish balancat në Parlament. I pari ishte Armando Prenga, i cili bëri që PS të humbasë një votë, pasi mandati i tij mund t’i kalojë LSI.

Reagon Osmanaj

Zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmanaj, i propozuar nga Partia Demokratike, në një prononcim të dhënë për gazetën SOT, është shprehur se sipas informatave të tij Komisioni Qendror të Zgjedhjeve i ka dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme të gjithë informacionet e nevojshme për të hetuar si për 5 deputetët, por edhe 3 kryebashkiakët si dhe për këshilltarët bashkiakë. Ai deklaroi se vota e tij do të jetë pro për çdo heqje mandati si pasojë e lidhjes së personave në fjalë me krimin. “Vota ime gjithmonë do të jetë pro, për çdo zyrtarë të inkriminuar, për çdo deputet, kryebashkiak, këshilltar deri të anëtarët e këshillit të ministrave”, është shprehur Osmanaj.

Please follow and like us: