Çerçiz Loloçi: Mbi krimin dhe pajtimin në Ballkan
Libri më i fundit i Ismail Kadaresë për nga radha “Mbi krimin në Ballkan”, letërkëmbim i zymtë, Onufri 2011, është një përmbledhje e një eseje për një periudhë zhvillimesh 25 vjeçare, një tufë letrash drejtuar presidentit amerikan – Xhorxh Bush, kryeshtetarit francez – Fransua Miteran, kreut të shtetit çek – Vacllav Havel, shenjtërisë së tij – Papa Gjon Pali i Dytë; dy letra presidentit francez –Zhak Shirak, delegacionit shqiptar në Rambuje, ministrit të Jashtëm francez si dhe letra e Vuk Drashkoviçit.
Në pjesën e vijuese të librit është një intervistë e autorit me të përditshmen “Shqip”, ndërsa në pjesën fundit janë tri opinione: Nga ditari i Kosovës, Kapardisja shqiptare (botuar në Koha ditore dhe Courrier International) dhe Prishtina në dhjetor.
Në pjesën hyrëse të librit, që mund të konsiderohet edhe si një parathënie, autori shpjegon zhvillimet europiane, ballkanike e shqiptare dhe në veçanti çlirimin e Kosovës. Dhe ndërsa i përshëndet këto ngjarje, ndaj të cilave ka qenë edhe vetë protagonist me personalitetin e një shkrimtari të padiskutueshëm, si një mjeshtër që vëren edhe aty ku të tjerët e kanë të pamundur, ai analizon periudhën postkrim, pikërisht në ato vite ku përkundër frymës europiane ndihej kundër-rryma, kritikohej ndërhyrja euroatlantike dhe arrihej deri në kthimin mbrapsht të një procesi të mbarë, madje përmbysja e kronikës.
Ismail Kadare shton më tej se nëse denoncimi i krimit shtetëror nuk u bë nga vetë ata, ai nuk u realizua as nga të tjerët që e kishin bartur mbi shpinë, në radhë të parë nga shqiptarët e Kosovës dhe sidomos nga kronistët, akademikët, historianët, politikanët dhe publicistët nga të dy anët e kufirit.
Opinioni publik europian dhe ai botëror, thotë Kadare, pikërisht ai që i kishte nxitur qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionët për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim dëshminë shqiptare.
Në mungesë të kësaj dëshmie do të vinte kundërsulmi mediatik i Beogradit ku flitej sërish për masakra, dhunime, shkatërrime me viktima serbët dhe me xhelatë shqiptarët.
Brenda kësaj atmosfere të përmbysur autori shikon si të qëllimshme djegjen e kishave serbe në 2004-ën, sulmin kundër Nënë Terezës, provokimet e prokurores Ponte e Dik Martit dhe vrasjen e dy aviatorëve amerikanë në Gjermani “që merrte ngarkesën simbolike të hakmarrjes së vonuar serbe”.
2011
Fragment nga libri
Fraza e famshme e presidentit amerikan Clinton, të fitojmë luftën, por të mos humbim paqen, u tha pikërisht për Kosovën. Më shumë se një parandjenjë e keqe, ka qenë një paralajmërim, fatkeqësisht, i saktë.
Krimi serb mbi shqiptarët: Njëzetmijë gra u përdhunuan anembanë Kosovës, mbi 800 fëmije nën moshën 5-vjeç u therën si berrat, mijëra djem, burra, gra, pleq u masakruan, vranë, u dogjën për së gjalli. Mbi një milion vetë u përzunë me dhunë nga shtëpitë e tyre.
Mizori të papara në fytyrën e dheut iu bënë këtij populli martir.
Si një lajm i mirë, por tepër i pikëllueshëm, për t’u quajtur ashtu, midis padurimit të pritjes, një zë i ndryshëm, u ngrit për të dëshmuar atë që ngjante e padëshmueshme: dramën e grave në luftë. Nuk ishte ndonjë kor fantazmash, as zëra mistikë që kapërcenin të palejueshmen. Ishin ato vetë, u ngritën të dëshmonin, vajzat dhe gratë e Kosovës. Nëpërmjet librave dhe shkrimeve të Sanije Gashit, Flora Brovinës, Luljeta Selimit, Gordana lgricit, Veprore Shehut e të tjerave, që për shkak të mosinformimit iu kërkohet ndjesë nuk po përmenden këtu, shpaloset tabloja, që e tremb dhe e spraps, atë që rrallë herë është trembur e sprapsur në këtë planet: rrëfimin botëror. Nuk ka asnjë teprim në këtë thënie. Aq më tepër që ajo vjen nga një njeri i letrave, për të cilin nuk janë aq të panjohura raportet e tmerreve të rrokshme me ato të përfytyrimit. Është e lehtë të thuash se qysh nga hordhitë e Xhingis Hanit e gjer në mbarim të shekullit XX, në Kosovë, ndoshta u arrit një nga kulmet e mizorisë njerëzore, asaj që përdhunimin e grave e kthente në mjet lufte. Kjo mizori, e njohur prej shekujsh, pësoi një risi, ashtu si makinat e tjera të luftës, topat, karrot e blinduara, bombardimet, gazi helmues, terrori dhe propaganda e tij. Të gjitha këto, në njëfarë mënyre njiheshin, por qëllimi kryesor i përdhunimit, nuk u kthye si kryesor i një doktrine: thyerjes morale të një populli. Jo vetëm i grave, siç mund të merret në vështrim por në radhë të parë, i burrave. Jo vetëm për brezin që po e pësonte goditjen, por po aq për brezin e ardhshëm. Ishte një makinë e llogaritur për veprim të gjatë veprim të gjatë, për kalendar ferri, ashtu siç janë afatet për shuarjen e një kombi. Ndaj ishte e rrallë si makinë dhe e paparë si lemeri. Dhe për të njëjtën arsye, e parrëfyeshme me format e njohura të artit: rrethet e ferrit dantesk, aktet e teatrit antik e të tjera të ngjajshme. Gjuhët kanë cilësinë, që ngjan misterioze, të krijimit të fjalëve, jo vetëm për kohën e vet, por disa herë për të ardhmen. Shqipja e vjetër, si të parandjente një gjëmë të ardhme, për përdhunimin e femrës, krijoi fjalën dyfish të rëndë “shnjerëzim”. Me kalimin e kohës, rrjedhimisht zbehjen e tmerrit të dhunimit, fjala hijerëndë u tërhoq për t’ia lënë vendin një fjale më të re, më saktë, një kalku, siç ka ndodhur në shumë gjuhë të sotme. Askush nuk mund ta mendonte se në mbarim të mijëvjeçarit, si për trill të fatit a pezmi për mënjanimin e parakohshëm, thelbi i fjalës së vjetër, do të rikthehej më kërcënues se kurrë.
“A s’jemi të dhunuar të gjithë, me dhunimin e tyre”? thërret një tjetër humanist.
Vajzat dhe gratë e shnjerëzuara pushonin së qeni krijesa njerëzore për të dy palët: për përdhunuesit, por edhe për vetët. Qysh në ketë pikë, këto krijesa, ndaheshin nga personazhet e njohura të rrëfimit tradicional. Por ndarja do të shkonte edhe më tej. pas aktit të dhunimit, në vend të ngushëllimit e të kujdesit, ato do të përjetonin shkretëtirë tjetër, të panjohur, të palogjikshme, sikur të kishin kaluar në anën tjetër të pasqyrës, atje ku nuk ka më asgjë të kësaj bote. “Unë jetoj e vdekur dhe më marrin për të gjallë”, rrëfen njëra prej tyre. “Ne jemi morali dhe pamorali i Kosovës”, thotë një tjetër. Dhe shton se midis të gjallëve ato ndihen të vdekura. Është një ndarje që nuk ngjan me asgjë, e në radhë të parë, me vetë ndarjen. Zërat e tyre janë më të pakuptueshme se ato të fantazmave. Sipas një humanisti, kanë prekur fundin e ferrit dhe po ashtu, kulmoren e qiellit. Janë në mesin e asaj që mund të quhet njëfarë bimorti (dyvdekje) e tyre dhe s’kërkojnë gjë tjetër, veçse që, pas ikjes së shpirtit, t’i lënë të qeta, për të kryer gjysmën e dytë të ikjes, atë të trupit.
“A s’jemi të dhunuar të gjithë, me dhunimin e tyre”, thërret një tjetër humanist. Natyrisht, është përgjigja. Dhe e keqja s’mbaron me kaq. Moskuptimi ynë, në të dy anët e pasqyrës, vazhdon. Sepse, jo vetëm hapësira, por as koha s’është më si më parë. Ne do të kthehemi e do të rikthehemi te drama shumë herë, edhe atëherë, kur vullneti ynë do japë shenjat e lodhjes. Edhe atëherë kur fjala “mjaft” do të dëgjohet si lutje a si kërcënim. S’ka patur fund për atë torturë. Dhe fundet dhe fillimet kanë qenë të përziera. Dhe prologu dhe epilogu dhe pas tyre gjithçka. Dhunshëm, po të jetë nevoja, do ta çojmë përfytyrimin tonë te tryezat, sipër të cilave, vajzat dhe gratë e lidhura prisnin shnjerëzimin. Skenat ndodhnin shpesh në klasat e shkollave, ku në dërrasën e zezë ishin ende gjurmët e shkumësit, pas mësimit të fundit. Dhe përbri tyre, burrat dhe djemtë dhe adoleshentët e lidhur, që do shihnin me detyrim “përdhunimin e vajzave të tyre, të grave, të motrave, të nënave dhe prapë të motrave të shikuara prej vëllezërve, prej burrave të rinj, të vajzave prej prindërve, prapë prej adoleshentëve, të fejuarave, të kunatave, të çikave të axhës, dhe prapë vajzave, e kështu pa fund, përdhunim ushtarësh dhe midis tyre, tallja, po ti paske qenë e virgjër, bukuroshe, por unë do të marr për grua, të të çoj në Beograd, ha, ha, ha” dhe prapë përdhunim, dhe aty këtu, një krismë plumbi, që pritej si dhuratë e shtrenjtë e si shpëtim.