Nishani pret Calaverën: Kushtetuta, e detyrueshme për zbatim edhe nga ndërkombëtarët
Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti sot në një takim Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në KE dhe Drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, znj. Genoveva Ruiz-Calavera.
Nishani falënderoi Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian, përfshirë në reformën aq jetike për vendin, atë të drejtësisë.
Duke çmuar punën e madhe që është bërë deri tani në këtë drejtim, Presidenti Nishani evidentoi se dy elementët që kanë qenë dhe mbeten thelbësorë për suksesin e reformës në drejtësi janë konsensusi dhe besueshmëria. Ai inkurajoi zonjën Calavera, dhe nëpërmjet saj institucionet e Bashkimit Evropian, që të nxisin më tej procesin në këtë trajektore, me qëllim rritjen e besimit ndërmjet palëve dhe tek qytetarët shqiptarë.
Kreu i Shtetit gjithashtu theksoi se ftesa e drejtuar ndaj partnerëve ndërkombëtarë për të ndihmuar në realizimin e reformës në drejtësi ka qenë shumë e sinqertë, ndaj përfshirja e tyre edhe në Kushtetutën e vendit, edhe pse përbën një rast unik, është gjykuar si thelbësore për zbatimin efikas të reformës.
Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës informoi se në cilësinë e Kreut të Shtetit ka kërkuar zbatimin rigoroz të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit nga të gjitha palët përfshirë dhe partnerët ndërkombëtarë, siç janë miratuar konsensualisht në Kuvendin e Shqipërisë dhe dekretuar nga Presidenti i Republikës, duke besuar në suksesin e këtij procesi të pakthim.
Në fund të takimit, Presidenti Nishani vuri në dukje edhe domosdoshmërinë e shmangies së çdo tentative për politizimin e procesit, duke inkurajuar transparencën, paanshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tij në çdo etapë.