Peticioni për Vetingun në Kuvend, firmat u hodhën pa asnjë verifikim
31 mijë e 700 firma thuhet se janë mbledhur në çadrat që ngriti një pjesë e shoqërisë civile, e frymëzuar nga qëndrimi i Partisë Socialiste për Vetingun. “Nisma e peticionit synon t’i japë zë qytetarëve dhe jo politikanëve”, tha një aktiviste e angazhuar në mbledhjen e firmave, ndërsa e dorëzoi peticionin në dyert e parlamentit.
Por mënyra si procedohet për firmosjen e peticionit, duket se eleminon zërin e qytetarëve dhe e kthen procesin në një mjet të politikës. Lapsi.al raportoi më herët se peticioni mund të nënshkruhej nga çdo person afrohej tek çadrat, pa paraqitur asnjë dokument që vërteton identitetin e tij. Kjo precedurë e dyshimtë lë hapësira për abuzime, pasi një person mund të firmosë disa herë me emra të ndryshëm. Firmën e hodhën edhe drejtues të Partisë Socialiste. Një nga këta ishte Erjon Veliaj që kërkoi që peticionin ta nënshkruanin 1 milion shqiptarë. Këtu nuk ka asgjë të çuditshme. Ashtu siç është organizuar puna, shifra mund të shkojë në disa milionë.