Propaganda e partisë vs mediat sociale
Luljeta Progni
Për ata që kanë ndjekur që nga viti 1992 zhvillimin e proceve zgjedhore dhe përgatitjet e forcave politike muajt e fundit para zgjedhjeve, shpesh herë rezultati është parashikuar saktë, pa ndonjë surprizë. E kam fjalën jo vetëm për gazetarët, politikanët apo drejtuesit e stafeve për organizimin e fushatave politike, por edhe për shumë prej qytetarëve shqiptarë që në vitin 1992 ishin mbi 18 vjeç dhe sot janë mbi 43 vjeç. Shumë prej të rinjve të vitit 1992, zgjedhjet e ardhshme, më 18 qershor 2017, do të votojnë bashkë me fëmijët e tyre.
Pra, në zgjedhjet e këtij viti do të kandidojë dhe votojë edhe një brez tjetër, për të cilin mund të dukej me vend diskutimi nëse do të ndryshonte diçka nga vendimmarrja e brezit të mëparshëm. Ndryshimet mes dy brezave duken herë të mëdha dhe herë të papërfillshme, sipas rolit që luajnë në shoqëri dhe peshës që kanë në vendimmarrje. Ndonjëherë të dy brezat gjejnë pika takimi në mënyrën e të menduarit dhe të veprimit, por shpesh nuk takohen, sepse e zhvillojnë aktivitetin e tyre në mjedise, mënyra, madje edhe kohë të ndryshme.
Le të bëjmë një krahasim të sjelljes dhe kulturës që përfaqësojnë këta dy breza përballë procesit zgjedhor dhe se si janë përshtatur forcat politike me këtë ndryshim. Çfarë pritet të ndodhë me rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme me alternimin e qasjeve të ndryshme të dy brezave lidhur me shprehjen e mendimit, perdorimin e infrastrukturës dhe organizimin politik?
Në vitet ‘90 ishte normale që një forcë politike të mbështetej maksimalisht tek simpatizantët e bazës në çdo shtëpi, fshat, qytet apo rreth. Përhapja e fjalës dhe ideve politike bëhej shpesh në tavolinat e vjetëruara të bareve, në tubimet e organizuara në fushat sportive, në autobus, në punë, madje edhe në institucione. Të pamësuar me pluralizmin e mendimeve, ose me respektin për idenë e tjetrit, zakonisht debati ekstremizohej dhe shpesh ai që ngrinte fjalën më tepër apo ju ndërpriste fjalën të tjerëve shpallej fitimtar. Debatet ishin aq të ashpra, saqë shpesh kishte raste, kur edhe familjarë, të afërm u ndanë e nuk flisnin më me njëri-tjetrin. Anëtarët e partisë shfaqeshin herë pas here pranë këtyre zënkave duke imituar rolin e ish-sekretarit të partisë që ose e shuante sherrin, ose e ndizte më keq. Në këto ambjente ishte e zakonshme që të dëgjoje shpesh tallje e të shara për kundërshtarin politik, ose shfaqje të stigmatizimit për më “të dobëtit” e “të urtët”. Ndërsa media e vetme ishin gazetat e televizioni i vetëm TVSH. Informacioni përcillej me vonesë dhe partitë politike nuk kishin asnjë strategji të përcaktuar. Çdo reagim vinte i menjëhershëm, kryesisht për të hedhur baltë mbi kundërshtarin, i cili të nesërmen bënte të njëjtën gjë, e kështu vazhdonte deri në ditën e zgjedhjeve.
Në vitin 2017, diçka ka ndryshuar. Debati i ashpër i tryezave të vjetra të bareve është transferuar në studiot e televizioneve moderne, me kolltukë të mëdhenj, karrige rrotulluese dhe spote me drita verbuese, megjithëse nuk ka ndryshuar përmbajtja boshe dhe sharjet pa etikë. Për disa analistë sherri falas i viteve ’90 është kthyer sot në profesion me kohë të plotë, madje i paguar shumë mirë. Debatet vazhdojnë përsëri me gjuhën e ashpër, por njerëzit duken më indiferentë, ose nuk tregojnë më interesin e dikurshëm. Për shumë votues nga brezi i ri, ka shumë më tepër një ndeshje futbolli në stadium Tirana – Partizani (ose Kukësi – Partizani), sesa ndeshjet Rama – Basha në bulevardin para kryeministrisë. Ajo që nuk kanë kuptuar mirë forcat politike, është se duke e tepëruar me politizimin e çdo ngjarje që ndodh në Shqipëri, u kthyen në qesharakë e të pabesueshëm. Kordinatorët partiakë vazhdojnë t’u afrohen mjediseve mospërfillëse të atyre që ata i quajnë “elektorat gri”, por ky brezi i ri duket më i pabindur ndaj tyre, më i lirë. Në fakt ata nuk janë elektorati gri.
Janë pjesëtarë të një brezi të zhgënjyer që ndryshe nga të tjerët nuk zgjedh të dëgjojë propagandë nga mediat e shitura të politikës, por preferon mediat sociale, aty ku informojnë njëri-tjetrin më saktë dhe më shpejt.
Rasti i para pak ditëve, kur gazetarja e një televizioni i kërkonte me insistim filmimet një pjesëtari të grevistëve të Zharrëzës, tregon se media tradicionale ka vdekur. Komentet tallëse që pasuan pas kësaj skene të transmetuar “live” në mediat sociale, dëshmonin se brezi i ri e ka humbur besueshmërinë tek mediat e kontrolluara.
Një strategji parazgjedhore e mbështetur vetëm tek mediat tradicionale, tashmë shihet si e rrezikshme edhe nga vetë forcat politike. Kështu që me të drejtë përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të kufizuar në gjithfarë mënyre qindra portalet e ndryshme që informojnë për hapësirat boshe të lëna qëllimisht nga mediat tradicionale, janë të justifikuara.
Përfshirja e brezit të ri në mënyrat e reja të komunikimit dhe interaktivitetin me informacionin, as që mund të krahasohet me ato të mediave tradicionale, megjithëse këto të fundit kanë në dispozicion mjete të shumta financiare.
Fakti është se nuk ka njeri që nuk e dëshiron mënyrën demokratike të organizmit të një grupi shoqëror, qoftë kjo një faqe në rrjetet sociale apo një shoqatë tifozësh. Askush nuk pranon të ndjehet i mënjanuar, i përbuzur dhe gojëkyçur. Çdo njeri do të preferonte të dëgjohej mendimi i tij, të dëgjohej e vërteta dhe të pasqyrohej realiteti para mendimit të politikanëve, gënjeshtrave të formuluara aq keq, sa të fyejnë inteligjencën dhe krijimin e një bote virtuale të paqenë. Punonjësit me tre turne që moderojnë rrjetet sociale të qeverisë e partive politike, e kanë pothuajse të pamundur të përballojnë fshirjen e komenteve dhe dëshpërimisht e pranojnë humbjen.
Para disa ditësh për disa prej faqeve më të mëdha sociale janë bërë oferta marramendëse për t’u shitur. Edhe nëse ndodh që ndonjë prej tyre të shitet, anëtarët e tyre do ta kuptonin që prej postimit të radhës se çfarë ka ndodhur dhe shitja do të rezultonte e kotë, edhe pse do të fitohej koha e nevojshme për të ringritur një faqe të re nga zero, kohë që mund ta tejkalojë ditën e zgjedhjeve. Gjithsesi në çdo skenar të mundshëm, duket se kjo pjesë e elektoratit është shumë vështirë të fitohet nga partitë politike shqiptare, jo më shumë për faktin se ky brez ka një sjellje, kulturë dhe komunikim ndryshe, sesa për faktin se mungojnë alternativat e një force politike që mendon për qytetarët në rradhë të parë, për fatin e Shqipërisë dhe që ka qëllim ndarjen nga bota e krimit dhe ecjen përpara drejt zhvillimit.
Për fat të mirë, radhët e atyre votuesve të bindur që shkojnë votojnë sa herë i thërret kryetari i partisë po zëvendësohen me radhët e atyre që i shohin problemet vetë, i transmetojnë vetë dhe duan t’i zgjidhin vetë. Dhe nuk janë pak. Janë shumë më tepër se forumet partiake, shumë më tepër se elektorati tradicional “gri”. Ndoshta në zgjedhjet e 18 qershorit, pjesëtarët e këtij brezi nuk do ta gjejnë veten e përfaqësuar dhe mund të mos e tregojnë se sa të rëndësishëm janë për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve, por koha po ec në favor të tyre.