Albspirit

Media/News/Publishing

Rama: Jam gati për dialog me Bashën. Pse Metës nuk i bëj ftesë për koalicion me PS

“Dialogu është i nevojshëm, por siç e shihni, Lulzim Basha preferon të flasë me vete e për veten”. Kështu i përgjigjet Edi Rama pyetjes nëse do të ishte i volitshëm një dialog apo takim jashtëparlamentar mes tij dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha. Në intervistën për GSH.al, kreu i qeverisë flet edhe për ligjin e dekriminalizimit dhe rolin e Soros në Shqipëri. Kryeministri komentoi edhe koalicionin elektoral të 18 qershorit.

Rama, prej më shumë se një jave, opozita është në një protestë të vazhdueshme para godinës së kryeministrisë me një grup kërkesash e cila kulmon me atë të një qeverie teknike. Kjo protestë shoqërohet me bojkotin e Kuvendit. A mendoni se do të ishte i volitshëm dialogu (p.sh një takim) ekstraparlamentar i Juaji me z. Basha, gjë që mund të rikthente PD në Kuvend e t’i hapte rrugën ‘vetting’-ut?

Dialogu është gjithnjë i nevojshëm dhe i mirëseardhur për sa më takon mua. Kur drejtoja opozitën e kam kërkuar shpesh, madje edhe me letra “lutëse” drejtuar kryeministrit të kohës, por pa sukses. Po natyrisht, dialogu kërkon dy palë që duan të flasin me njëra-tjetrën për rrugëzgjidhje të dakordësuara dhe siç e shihni Partia Demokratike e Lulzim Basha prej kohësh, me zë gjithnjë e më të lartë, preferojnë të flasin me vete e për veten.

Ligji i dekriminalizimit u miratua me konsensus në Kuvend. 1 vit e ca më pas, a jeni të kënaqur me rezultatet? Ai i ka goditur ligji të inkriminuarit, a mund të bëhej më shumë apo është bërë më shumë se ç’duhet?

Nuk më takon mua, as qeverisë e as popullit të zbatojë ligjin e dekriminalizimit. Kjo është një çështje e institucioneve që Kushtetuta dhe ligji ngarkojnë me mbikqyrjen e ligjshmërisë e me zbatimin e këtij ligji rast pas rasti. Shumica parlamentare e ka mbështetur dhe votuar ligjin, megjithë rezervat për kushtetueshmërinë e një ligji të tillë që nuk e ka asnjë vend i botes. I kemi kapërcyer këto rezerva me vetëdijen se në këtë fazë të zhvillimit politik e demokratik të vendit, ka ardhur si domosdoshmëri vendosja e një kufiri të qartë për kandidueshmërinë e individëve në proceset politike apo në proceset e konkurimit për shërbimin civil. Të tjerat jane propagandë politike dhe mediatike e zanatçinjve të baltës.

Si do t’i përgjigjeshit opozitës që thotë se Edi Rama po liron kriminelët nga burgu dhe nuk ka veting me Frrokun e me Prengën?!

Kjo është një tallje e madhe me njerëzit dhe jam i bindur se njerëzit e kuptojnë e do ta ndëshkojnë rëndë Partinë Demokratike, nëse Vetingu nuk do të zhbllokohet me kësi justifikimesh tallëse! Unë as nuk dënoj as nuk liroj njeri nga burgu, sepse nuk jam as prokuror as gjykatës. Nëse ka lirime abuzive nga burgu të individëve të caktuar, Vetingu është ilaçi edhe për këtë, sepse përmes vetingut gjykatësit do të filtrohen në sitën e pakalueshme të kontrollit të pasurisë, vendimmarrjeve dhe aftesisë së tyre profesionale. Të thuash s’ka veting me këtë e me atë, zëre se ke thënë: S’ka veting se kam hallin tim!

Eshtë ende herët, por jo dhe aq e largët, dita kur Partia Socialiste do të regjistrohet me koalicionin e saj në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit. Besoni se në këtë koalicion do të jetë edhe LSI? A mund të themi që ka një ftesë publike nga ju, pra PS, për të konfirmuar aleancën edhe për 4 vite të tjera?

Ne nuk shohim asnjë arsye për ta bërë një ftesë të tillë për partnerët tanë në koalicion, sepse koalicioni është i tyre sa ç’është edhe i yni dhe për ne, nuk shtrohet fare si pyetje vazhdimësia e këtij koalicioni. Jo thjesht taktikisht, po strategjikisht. Jo thjesht për pushtetin, po për reformat për të bërë shtet. As për ne as për ta, po për Shqiperinë e Gjeneratës Tjetër! Por natyrisht respektojmë lirinë dhe të drejtën e partnerëve tanë për ta zgjedhur vetë momentin e afirmimit publik të vullnetit të tyre për të vazhduar rrugën e përbashkët.

Ky Kuvend, do të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. A do t’i përkasë ky post Partisë Socialiste apo do të mirëprisni propozime nga partitë aleate, konkretisht LSI? A do të negocioni me PD për të patur një president konsensual apo e quani të tejkaluar këtë formulë?

Koalicioni do bëjë më të mirën për të zgjedhur një President që t’i rikthejë kuptimin kushtetues, dinjitetin qytetar, paanshmerinë politike, figurës së kreut të shtetit. Patjetër që do të mirëpresim çdo kontribut të opozitës në këtë proces të rëndësishëm, ku përpara aritmetikës së votave duhet të jetë përcaktuese fryma e Kushtetutës së Shqipërisë.

Ambasadori i SHBA ka përmendur “peshq të mëdhenj”, kur ka folur për luftën kundër drogës në Shqipëri. Në fakt, nuk është sekret që ‘peshq të mëdhenj’ në rrjetën e drejtësisë nuk kanë rënë në 26 vite, as në fushën e drogës, as në atë të korrupsionit në nivele të larta.

Ambasadori Lu është një mik dhe mbështetës i zjarrtë i Shqipërisë, që e përfaqëson më së miri Presidentin e Shteteve te Bashkuara si një vend partner kryesor i vendit tonë, e i shqiptarëve në tërësi. Por ambasadori Lu është po ashtu një njeri si të gjithë ne, të cilin pasioni për një kauze të drejtë e çon ndonjëherë në eksese retorike, duke i futur peshqit e peshkatarët në një trastë! Padyshim që këto eksese nuk e bëjnë më pak të vyer kontributin e tij për të çuar përpara reformat, në veçanti Reformën në Drejtësi. Sidoqoftë ka vetëm një rrjetë që kap “peshq” në një vend demokratik dhe kjo është rrjeta e drejtësisë, të cilën në Shqipëri, prej 25 vjetësh, peshqit janë mësuar ta hanë sa herë ndeshen me të.

Please follow and like us: