Albspirit

Media/News/Publishing

Sprova brilante e Kadaresë

 

Afërsisht një muaj më parë, “shkrimtari ynë”, Ismail Kadare publikoi sprovën më të re letrare “Mosmarrëveshja, raportet e Shqipërisë me vetveten”, që si shumë librat të tjerë të tij të mëparshëm, botime, ribotime, pasribotime, ka pasur rekord shitjesh brenda dhe jashtë panairit të përvitshëm të Nëntorit. E vura në thonjëza shkrimtari ynë për shkak se ai tashmë përfaqëson një dukuri botërore dhe pikërisht nga ky dimension rreket të shpjegojë fatin tonë, të pangjashëm me fate të popujve dhe kombeve të tjerë.

Sprova më e re letrare e Kadaresë ndahet në trembëdhjetë kapituj: rreth himnit të vjetër të shtetit, enigma e vërtetë, mjegull – prolog me djallin, dialog me djallin dhe me zotin, pantomima e frikshme e bronzit, testament i gabuar, Gjergji K. kundër Arbërit, intermexo me dy vrasje në sfond, kalorës të pabesë-mbretër që qajnë (zotëriu i pabesë Xandrebech), lëngatë në gadishull, një sulltan me dy vdekje, tri gjendje të Kastriotit (gjendja e dytë dhe gjendje e tretë e Gjergj Kastriotit), epilog me zotin si dhe 85 shënime që janë si nënkapituj më vete dhe shumë të domosdoshëm për shtjellimin e veprës.

Si një mjeshtër i madh autori ka një shqetësim që e kanë pasur para tij edhe dy personalitete të larta si Fishta e Konica: çka ka ndodhur me shqiptarët përgjatë shekujve, si kanë mbijetuar, si kanë dëmtuar vetveten shpesh më shumë se treshja zymtore (perandoria turke, sllavët dhe grekët) dhe për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve dhe të tjerave si këto, nis dhe ndërton ngrehinën e esesë.

Pulla, flamuri, himni

Kapitulli i parë i librit që mund të titullohej edhe pulla, flamuri dhe himni shkon në fëmijërinë e autorit, në përfytyrimin që ai krijonte për popuj dhe vende thjesht nga katërkëndëshi i vogël postar. Më pas vjen joshja ndaj flamurit që për Kadarenë, tre deri në tetë vjeç, Shqipëria kishte tundur katër të tillë: të mbretërisë, të pushtimit italian, të atij gjerman, të periudhës komuniste dhe për të ardhur në vitet nëntëdhjetë te flamuri i kryehershëm princëror i mesjetës. Pikërisht flamuri, me shkabën dy krenore, shpendi më i fismë i njerëzimit, me hije mijëvjeçarësh, iu ishte lënë prej europianëve që ta përdorinin shqiptarët. Edhe këtu autori, vëren se ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëria ishte ndër të pakta raste që e quante ‘himni i flamurit”. Dhe sipas autorit, ndërsa “flamuri ishte shenja e parë e shtetit, himni ishte tingulli kryesor i tij”. Pastaj përmenden përpjekjet e Aleksandër Drenovës që shkroi apo përkthehu himnin si dhe të Faik Konicës që fiksoi heraldikën e flamurit.

Enigma e himnit

Në kapitulin e dytë Kadare rimer sërish temën e himnit duke e kundruar nga disa anë. Në një mënyrë tepër koncize, herë me humor dhe herë me informacion, ai shpjegon lidhjet e shqiptarëve me këtë tekst, ballfaqimin me himnebërës dhe himnembajtës të tjerë, kuptimet e larme nga njerëz dhe kohë të ndryshme deri te profecia e keqe për popujt dhe paralajmërimi i komploteve, përpjekjet për të krijuar një të ri, dyzinën e poetëve (poetët hymnorë) dhe të kompozitorëve që jepnin e merrnin mbi vargje dhe tinguj dhe ndërsa i paraqisnin në juri, gjysmën e saj e gjenin të dergjur qelive dhe kampeve të përqëndrimit. Në këtë kapitull autori risjell edhe konsideratën e Migjenit (kënga që skuptohej kishte dalë nga thellësia e kombit) si dhe shqetësimin e rilindësve që e kishin pikasur të parët sasinë e madhe të rimohuesve dhe që shprehej në strofën:

Se Zoti vetë e tha me gojë/ Se kombet shuhen përmbi dhe

Por shqipëria s’do të rrojë/ sepse atë s’e duam ne.

Sipas autorit rilindasit ishin të parët që e kishin zbërthyer këtë spikamë, qenë tmerruar dhe kishin vuajtur nën heshtje, siç vijuan të mbytnin vajin dhe klithmat: komb vetvrasës, i çmendur!

 

Kapitulli i tretë

Kapitulli i tretë i sprovës letrare ”Mjegull, prolog me djallin” kë më shumë densitet ngjarjesh, veprimesh, aktesh dhe personazhesh të hapësirës shqiptare, ballkanike dhe europiane. Autori i riktheht sërish zbërthimit të tekstit për himnin e famurit, më sakt një vargu të tij “se kombet shuhen përmbi dhe” për të zbuluar fatin e shqiptarëve në njëqind vjetët e fundit. Për shkak se në shqip fjala ‘kombe” dhe “kombet’ kanë një ndryshim të dukshëm, kjo për autorin parathotë një dyshim që në zanafillë. Dhe më poshtë ai shton: “Ç’kishte ndodhur njëqind vjetët e fundit me Shqipërinë? Thelbi përmblidhej me dy fjalë: kalvari i rikthimit ne Europë…rikthimi shkabës së arratisur”. Dhe këtu Kadare shfrytëzon legjendën ballkano-kaukaziane (përdorur edhe prej Tolstoit) që shqiponja, pas një robërimi që s’mbahet mend, rikthet në vendin e të parëve me një unazë në kthetra, më një damkë robëruesi.

Pikërisht duke marrë shkas nga kjo gjetje autori ndalet në dyzimin shqiptar më 1912 ku një pjesë luftonte e punonte për të shpallur pavarësinë e saj dhe pjesa tjetër për të mbetur me unazën në kthetra nën perandorinë otomane. Te kjo pjesa tjetër hyjnë bashkë dyshja Qamili e Biçoku, regjimi diktatorial i Hoxhës, konferenca islamike, shpura e e majtë- e djathtë në dasmën e djalit të kryeministrit turk, moskundërshtimi i Davutogllusë në Sarajevë, “Mekami” i Trebeshinës, rimohues nga Tirana e nga Prishtina, përmendorja e oficerit turk, kori i fëmijëve “o sulltan, sunduesi im”

Po aq sa Fishta, Konica, rilindasit, Kadare është më kritik për rimohuesit shqiptarë, por nuk harron të nënvizojë edhe planet e të tjerëve për zhbërjen e Shqipërisë. Si një njohës i vëmendshëm i historisë së popujve autori rrëfen edhe përpjekjen e pjesës tjëtër, kryesisht të fqinjëve për ta fshirë Shqipërinë nga harta e Ballkanit. Dhe vinë me radhë teksti paralajmërues i ministrit të Brendshëm serb Grashanin, libri i kryeministri Gjeorgjeviç që një urrjetje aq e madhe e kishte shtyrë në një njohje të përkryer të Shqipërisë gjysmë shtet, poeti Rakiq me “Sytë e Simonidës”, pakti turko-jugosllav për shpërnguljen paqësisht të kosovarëve, “Dëbimi i arnautëve” i Çubrilloviqit, projekti i akdemikëve për ndarjen më katërsh të vendit të shqiponjave, zonja franceze e afërt me Bogradin që kërkonte rishtegtimin turk, etj. Vetë kapitulli “prolog me djallin” fliste megjithatë që një komb i zgjedhur nga Zoti, me rimohues dhe kombëtarisët nuk i kishte shpëtuar yshtjes nga Djalli.

2012

 

 

Please follow and like us: