Zbulohen firmat fallco të çadrës së Vetting-ut
Propaganda e qeverisë për t’iu përgjigjur protestës së opozitës me ngritjen e çadrave ku njerëzit votojnë për mospengimin e vettingut ka arritur kulmin e saj. Erion Veliaj mblodhi të gjithë shoqatat e qëna dhe të paqena për të krijuar në të vetmen mënyrë që di ai një butafori pa thelb. Ai shkoi votoi i pari “pro” Vetting-ut. Pas tij si gjithmonë nxitoi Sajmir Tahiri. Dhe në fund Rama dhe Taulant Balla dhanë ndihmesën e tyre për çadrën paralele.
Por këtë të enjte në mbrëmje emisioni “Të paekspozuarit” i Ylli Rakipit ka nxjerë në pah të vërtetën e talljes së madhe me publikun. Gazetari i këtij emisioni Endri Habilaj ka nënshkruar plot 10 herë në këtë farsë ku nuk i kërkohej asnjë lloj identifikimi. Ai ka shkuar paradite në 6 pika në Tiranë dhe në 4 prej tyre është kthyer edhe pasdite.
Pra i shoqëruar me kamerën e tij ai ka treguar se e gjithë ajo që po ndodh është maskaradë e turpshme. Dhe sikur të mos mjaftonin 9 provat e para, gazetari për ta kthyer krejtësisht në qesharake këtë që po ndodh, ka firmosur një herë edhe me emrin e botuesit të gazetës “55”, Fahri Balliu.
Kaq pra është dashur për të kuptuar se sa seriozisht e kanë rilindasit reformën në drejtësi. Sa besojnë ata tek ajo dhe se sa serioze mund të jetë një reform që mbështetet nga një mashtrim i tillë flagrant.