12 deputete me gjeneralitete të shumëfishta: zbardhen të dhënat e dekriminalizimit
Gjergj Errabara
Nga Sali Berisha e deri te Tërmet Peçi, 12 deputetë dhe kryebashkiakë kanë plotësuar me të dhëna shtesë formularët e vetëdeklarimit në KQZ, duke dhënë detaje mbi ndryshime gjeneralitesh dhë dënime të padeklaruara më parë.
Pesë kryebashkiakë dhe shtatë deputetë kanë kërkuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të ndryshojnë apo plotësojnë vetëdeklarimet e tyre për pastërtinë e figurës, të njohura ndryshe si “formularët e dekriminalizimit”, duke argumentuar se “nuk e kishin kuptuar ligjin” ose se kishin marrë më pas informacion për dënime të mëparshme për të cilat “nuk kanë pasur dijeni” ose “nuk kanë ditur se duhej t’i deklaronin”.
BIRN mori të 12 kërkesat për ndryshime në formularët e vetëdeklarimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një Kërkese për të Drejtë Informimi.
Në një deklaratë për shtyp në 19 Shkurt, KQZ-së u shpreh se këto kërkesa janë depozituar dhe pranuar nga Komisioni përgjatë periudhës Qershor-Korrik 2016. KQZ tha se pranimi i kërkesave për plotësim të të dhënave në formularët e vetëdeklarimit është bazuar në kodin e procedurës administrative dhe shtoi se plotësimi i të dhënave pas afatit ligjor të vendosur nga ligji i shërben transparencës.
Një prej deputetëve që ka kërkuar të plotësojë me të dhëna shtesë formularin e vetëdeklarimit është ish kryeministri Sali Berisha.
Berisha dorëzoi me 26 Maj 2016 në KQZ një kërkesë për ndryshimin e të dhënave personale, me argumentimin se “nuk e kishte kuptuar ligjin”, pavarësisht se ai ka qenë një nga deputetët që e votoi ligjin në Kuvendin e Shqipërisë dhjetorin e vitit 2015.
“Për shkak të paqartësive të shumta që ka sjellë ligji, dhe për të bërë transparencë më të madhe kërkoj të plotësoj formularin e vetëdeklarimit duke shtuar edhe informacion sipas regjistrit të gjendjes civile,” shkruan Berisha në kërkesën e tij për KQZ, duke raportuar se në rubrikën “Gjeneralitete të Mëparshme” duhet të shënohet se në lindje ka pasur emrin Salih dhe datëlindje më 1.07.1944.
Në formularin fillestar, Berisha ka deklaruar për ditë lindje 15 tetorin e vitit 1944 dhe emrin aktual të përdorur “Sali”.
Edhe deputeti Spartak Braho në kërkesën e tij për plotësim informacioni shprehet se nuk e ka kuptuar siç duhet ligjin e dekriminalizimit dhe në letrën e tij jep një arsyetim të gjatë ligjor se pse e ka kuptuar ndryshe. Braho ka bërë kërkesë për plotësimin e të dhënave duke deklaruar se në vitin 1995, është dënuar për shpifje me masën 10 mijë lekë gjobë.
Braho argumenton mes të tjerash se sipas gjykimit të tij, formularët e vetëdeklarimit duhet të mbanin vetëdeklarim vetëm për dënimet e rënda penale dhe jo si kjo për të cilën është dënuar ai vetë si dhe për faktin se për shkak se shpifja nuk është më vepër penale në Shqipëri, ajo juridikisht nuk quhet më si dënim. Braho ka votuar gjithashtu pro ligjit në fjalë.
Arben Ristani, deputet i Partisë Demokratike dhe jurist nga profesioni, ka bërë kërkesë për të deklaruar dënimin me gjobë për shpifje në gjykatën e lartë, dënim qëështë dhënë me kërkesë të kryeministrit aktual Edi Rama. Por Ristani argumenton në letrën e tij se ai kishte “bindje personale” se masa e dënimit ndaj tij qe e “natyrës civile” dhe jo e natyrës penale, siç është në fakt. Shqipëria dekriminalizoi pjesshëm fyerjen dhe shpifjen në vitin 2012, pas kërkesave shumëvjeçare të disa organizatave për mbrojtjen e lirisë së fjalës, por me kërkesë të deputetëve në atë kohë, shpifja dhe fyerja u la kundërvajtje penale e dënueshme me gjobë, siç është edhe aktualisht. Organizmat ndërkombëtare si OSBE kanë kërkuar që nga ajo kohë dekriminalizimin e plotë të fyerjes dhe shpifjes dhe klasifikimin e tyre si çështje civile.
Edhe deputeti socialist Artan Gaçi ka pasur të njëjtat paqartësi nga ligji si edhe ish-kryeministri Sali Berisha, pasi në deklaratën e parë nuk pati raportuar problemet që ka pasur me drejtësinë në qytetin e Durrësit, ku është gjykuar për veprat penale të “kontrabandës me mallra të tjerë” dhe “falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”. Sipas deklarimit të ri të Gaçit, ai është shpallur i pafajshëm në shkallën e parë, fajtor dhe i dënuar me 300 mijë lekë gjobë në apel dhe i pafajshëm në Gjykatën e Lartë.
Ylli Shehu, një deputet i ri nga Kukësi i zgjedhur në vitin 2013 nga lista shumëemërore e Partisë Republikane, por që u transferua te LSI në prill të vitit 2015, pati deklaruar të shkuarën e tij penale të pastër fillimisht, por tani deklaron se është dënuar në vitin 2007 për kontrabandë me mallra të tjerë në bazë të nenit 174 të Kodit Penal dhe ka marrë dënimin në masën 200 mijë lekë.
Shehu shkruan në letrën e tij të dërguar në KQZ se nga konsultat e bëra prej tij me “Jurist dhe Avokat të njohur”, ai duhet të konsiderohet “i padënuar” në mbështetje të nenit 69a të Kodit Penal.
Edhe deputeti Vladimir Kosta ka kërkuar të shtojë në formular dënimin me gjobë në masën 10 mijë lekë në gjykatën e Tiranës në vitin 2000, por argumenton se nuk e ka deklaruar për shkak se kjo masë dënimi është parashkruar.
Nga kërkesa e tij në KQZ nuk jepet se për çfarë vepre penale është dënuar.
Adriatik Zotkaj, kryebashkiak jetëgjatë i qytezës së Poliçanit, është ndoshta zyrtari me të shkuarën penale më të pasur nga të gjithë zyrtarët e lartë që kanë plotësuar deri tani formularët e dekriminalizimit. Në deklaratën fillestare, ai pati shënuar tre dënime me katër vjet e dhjetë muaj burg gjithsej, ndërsa ka bërë kërkesë për plotësim, duke shtuar edhe një dënim tjetër me katër muaj riedukim përmes punës dhe me gjobë në masën 200 lekë të marrë në Skrapar në vitin 1985. Ai është dënuar në atë kohë për veprën penale “Fyerje dhe Goditje për shkak të detyrës”.
Tre dënimet e tjera të tij janë “dënim me 3 vjet burg” në Korçë në vitin 1991 për “Shkelje të rregullave të Qarkullimit Rrugor”, dënim me 10 muaj burg në Skrapar për “Kundërshtim të punonjësve të policisë” si dhe një dënim tjetër me 1 vit burg në vitin 2002 për falsifikim të dokumenteve shkollore dhe kryerje të veprimeve arbitrare. Zotkaj është kryebashkiak që nga viti 2003.
Kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi, i cili i përket Partisë Socialiste, e pati deklaruar të pastër të shkuarën e tij penale në formularin e parë, por bëri kërkesë më pas për të vetëdeklaruar se është dënuar me gjobë në qytetin e tij të lindjes në prill 2004 për “përdorim të dokumenteve të falsifikuara”. Tërmet Peçi është kryebashkiak që nga viti 2011.
Ndrec Dedaj, kryebashkiak i Mirditës ish drejtues i Policisë Bashkiake të Tiranës, ka bërë kërkesë për të deklaruar dënimin e tij fillestar nga Gjykata e Tiranës për “kryerje të veprimeve arbitrare” me gjobë në masën 100 mijë lekë në vitin 2006, vendim që është rrëzuar nga gjykata e Apelit në vitin 2007.
Edhe Artur Bardhi, kryetar i Bashkisë Kurbin, i cili ka përdorur edhe emra të tjerë si Gentian Lila, Altin Tanushi dhe Gent Bushi, emra për të cilët thotë se i ka përdorur gojarisht në rastet se e ka ndaluar policia si emigrant, ka bërë kërkesë për vetëdeklarimin e një dënimi në Krujë në vitin 1990 për “tentativë arratisje”.
Problemet maqedonase të kryebashkiakut të Pustecit
Edmond Themelko është kryebashkiaku që ka fituar zgjedhjet me rezultatin më të thellë të mundshëm. Në vitin 2015, ai u rizgjodh për kryebashkiak i Pustecit me 80 për qind të votave, kur kandidoi në emër të koalicionit të majtë. Por aftësia e tij për të fituar vota duket se i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë.
Pasi plotësoi një deklaratë të pastër fillimisht në prill 2016, ai bëri kërkesë për të deklaruar arrestimin dhe telashet penale në Maqedoni, ku akuzohet se ka ndihmuar ish-kryeministrin e djathtë Nikola Gruevski për manipulimin e zgjedhjeve në vendin fqinj, si dhe një dënim penal të vitit 1995 të cilit, Themelko i referohet thjeshtë si “dënim me kusht për kundravajtje penale në bazë të ligjit për aksizë”. Themelko pretendon në letrën e tij për KQZ që presidenti i Maqedonisë ia ka amnistuar veprën penale për të cilën është akuzuar por në fakt, presidenti kontrovers i Maqedonisë, është detyruar të tërheqë vendimin e tij për aminstinë e Gruevskit dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë së tij pas presioneve të forta ndërkombëtare.
Dhe ndërsa deputetët e kryebashkiakët kanë dhënë argumente të shumta për kërkesat e tyre për ndryshim dhe plotësim formularësh vetëdeklarimi, fati i tyre është i paqartë. Ligji për dekriminalizimin, përveç ndalimit të zgjedhjes së personave që kanë kryer vepra të rënda penale, parashikon ndërprerje mandati për mosdeklarim apo deklarim të rremë të të dhënave në formularët e vetëdeklarimit. Prokuroria e Përgjithshme ndërkohë ka hapur hetime ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke e cilësuar si shkelje penale pranimin e formularëve apo kërkesave për plotësim të dhënash pas përfundimit të afatit ligjor të deklarimit fillestar, afat që qe përcaktuar në fillim të majit 2015./Reporter.al
Link: Vetëdeklarimi i dytë për Pastërtinë e Figurës Tërmet Peçi, kryetar i Bashkisë Tepelenë
Link: Vetëdeklarimi i dytë për Pastërtinë e Figurës Ndrec Dedaj, kryetar i Bashkisë Mirditë
Link: Vetëdeklarimi i dytë për Pastërtinë e Figurës Edmond Themelko, kryetar i Bashkisë Pustec
Link: Vetëdeklarimi i dytë për Pastërtinë e Figurës Artur Bardhi, kryetar i Bashkisë Kurbin
Link: Vetëdeklarimi i dytë për Pastërtinë e Figurës Xhemal Qefalia, Deputet
Link: Vetëdeklarimi i dytë për Pastërtinë e Figurës Vladimir Kosta, Deputet
Link: Vetëdeklarimi i dytë për Pastërtinë e Figurës Spartak Braho, Deputet
Link: Vetëdeklarimi i dytë për Pastërtinë e Figurës Sali Berisha, Deputet
Link: Vetëdeklarimi i dytë për Pastërtinë e Figurës Artan Gaçi, Deputet
Link: Vetëdeklarimi i dytë për Pastërtinë e Figurës Arben Ristani, Deputet
Link: Vetëdeklarimi i dytë për Pastërtinë e Figurës Adriatik Zotkaj, kryebashkiak i Poliçanit