Albspirit

Media/News/Publishing

2001, rruga deri te Marrëveshja e Ohrit

 

James Pettifer dhe Miranda Vickers

 

Në 2001 Maqedonia kishte spazma dhune ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve sllavë që përbëjnë shumicën, u zhvillua madje dhe një lloj lufte, e cila u mbyll me bisedime gjatë korrikut e gushtit 2001 dhe me firmosjen e Marrëveshjes së Ohrit që përcaktoi një program reformash institucionale. Në thelb kjo marrëveshje kishte si qëllim lehtësimin e shkeljeve të të drejtave njerëzore dhe kulturore të pakicës shqiptare, por ishte edhe shenjë e daljes së çështjes kombëtare shqiptare si problemi kryesor politik i jugut të Ballkanit.

Beteja demokratike shqiptare ka patur përherë si synim garantimin e të drejtave të  njeriut dhe atyre kulturore në këto zona, në përpjesëtim të drejtë me numrin e tyre. Gjatë komunizmit kishte disa dispozita për të drejtat e pakicave, të cilat praktikoheshin deri në njëfarë mase, por shumë syresh humbën për të gjitha pakicat nën kushtetutën postkomuniste të 1991-shit, e cila mishëronte kryeneçësinë e nacionalizmit të ri maqedonas. Një varg krizash të vogla, si për shembull dhuna e Bit-Pazarit më 1992, komploti i armëve më 1993 dhe trazirat e përgjakshme në Gostivar më 1997, përcaktuan vitet në vijim, kurse tëhuajsimi i përgjithshëm i shqiptarëve nga shteti krijoi një atmosferë shumë të favorshme për veprimtari politike nacionaliste në periudhën pas vitit 2000. SHBA dhe NATO-ja ishin tepër të vetëdijshëm për nevojën për të ruajtur qëndrueshmërinë e Maqedonisë, duke parë rrezikun e konfliktit mes dy anëtarëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, nëse kjo do të shpërbëhej.

Kur mbaroi lufta në Kosovë, një numër i vogël por i shquar figurash të UÇK-së të cilët vinin nga Maqedonia u përballën me një dilemë serioze: UÇK-ja ishte duke u çmobilizuar dhe ata tanimë kishin shumë pak rol në të ardhmen e Kosovës.

***

Kryengritja e Maqedonisë ndodhi në fillim të pranverës 2001, si një reagim i llogaritur ndaj frenimit të përparimeve në Kosovë në vitin 2000 dhe kërcënimit që sillnin përpjekjet e ekstremistëve proserbë në aparatet diplomatike dhe të sigurimit britanik dhe të vendeve të tjera për të kthyer mbrapsht rezultatet e fushatës së NATO-s më 1999. Hallka kryesore, në kuptimin e udhëheqjes zyrtare ushtarake, ndërmjet kryengritjes së re dhe UÇK-së ishte figura e Gjeneral Gëzim Ostrenit, një ish-oficer me peshë dhe me përvojë i ushtrisë jugosllave nga Dibra në Maqedoninë perëndimore, i cili ishte një komandant i rangut të lartë i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK), pas një periudhe në UÇK gjatë luftës. Ai ishte gjithashtu një historian ushtarak, dhe kishte bërë një studim të kujdesshëm të luftës partizane në Maqedoni gjatë Luftës së Dytë Botërore, që ‘rastësisht’ u botua në prag të fushatës maqedonase.

Nëse 1999-a kishte qenë një annus mirabilis, pra një vit i mrekullueshëm në kontekstin e ndërhyrjes së NATO-s në anën e shqiptarëve, 2000-shi vuri në dukje forcat proserbe brenda bashkësisë ndërkombëtare që punonin për të kthyer mbrapsht atë çfarë ishte arritur, dhe për të ruajtur dominimin përherë e më të brishtë, por tradicional, të Beogradit si pikë lidhëse e politikave rajonale. Kjo ishte një fantazmë, por që ndiqej nga elita tradicionalisht filoserbe në disa kancelari europiane. Zemra e komplotit kundër Kosovës ishte në Londër, në orbitën e zyrtarëve të lartë serbofilë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme dhe Komonuelthit, të cilët duket se nuk kishin nxjerrë asnjë mësim nga disfatat në Bosnjë.

Dhe Londra ishte hallka kryesore e lidhjes me SHBA.

***

…Nga fundi i janarit të vitit 2001 disa ish-luftëtarë, kryesisht të UÇPMB-së, u shpërndanë në terren me qëllim përhapjen e situatës luftarake të Preshevës në Maqedoni, gjë që ishte tepër e lehtë nga pikëpamja ushtarake. Fshatra shqiptare shumë militante si Haraçini ishin në mesin e rrugës ndërmjet Preshevës dhe Shkupit dhe pasi kishin qenë pré e konflikteve të fundit me autoritetet, si për shembull dhuna në Haraçin në janar 2000, garantonin një mjedis të fortë mbështetës për forcën e re. Në të njëjtën kohë, policia maqedonase filloi një bastisje kundër fshatrave militante në kërkim të armëve dhe municioneve, gjë që e tensionoi situatën në mënyrë të konsiderueshme. Është pranuar përgjithësisht që sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kundër një objektivi të shtetit maqedonas ishte një sulm mbi një komisariat policie në fshatin Tearce në rrugën Tetovë-Kosovë më 23 janar 2001, si përgjigje ndaj dhunës policore maqedonase në atë zonë. Komunikata e lëshuar më pas nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare deklaronte si parim të parë që ‘Ushtria Çlirimtare Kombëtare është zotuar për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Maqedonisë’, një parim i rëndësishëm për të fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Ndërkohë vëmendja e konfliktit lëvizi nga Tearce në malet e veriut.

Lart, në kufirin Kosovë-Maqedoni, fshati i vogël Tanushë që ndahet në mes nga kufiri, u bë pré e dhunës dhe presionit të policisë maqedonase. Tokat e fshatit shtrihen si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni, dhe kufiri i ri shtetëror pas vitit 1990 (ku më përpara nuk kishte patur kurrëfarë kufiri) kishte shkaktuar probleme të rënda ekonomike  për fshatin. Ai banohet nga shumë fshatarë nacionalistë dhe një konflikt i vogël për tokën u shndërrua shpejt në dhunë. Brenda pak ditëve rreth dyqind anëtarë të forcës së re kryengritëse, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, dolën në shesh.

Disa kishin luftuar më parë me UÇK-në në luftën e Kosovës, por do të ishte gabim të shihje Ushtrinë e re Çlirimtare Kombëtare si thjesht UÇK-në me uniformë të ndryshuar. Kishte shumë pak përputhje në anëtarësinë aktive. Udhëheqja e LPK-së i kishte marrë mirë në konsideratë mësimet ushtarake të luftës së Kosovës, dhe nuk kishin aspak dëshirë të luftonin me një ushtri tejet të madhe dhe të organizuar keq. Ushtria Çlirimtare Kombëtare ishte e planifikuar të ishte një ushtri elitare e lëvizshme, e aftë të ndërmerrte nisma të shpejta ushtarake për qëllime politike të përcaktuara mirë, duke përdorur taktika klasike guerrilase që mund të përdoreshin me saktësi kundër ushtrisë maqedonase. UÇK-ja kishte filluar të lëkundej që kur luftoi si një ushtri tradicionale, si për shembull në maj 1998 në Rahovec. Kryengritësit shqiptarë të Maqedonisë nuk kishin ndër mend të bënin të njëjtin gabim. Për vëzhguesit e jashtëm, qofshin dhe të mirinformuar, Ushtria Çlirimtare Kombëtare ishte, siç u shpreh një vëzhgues ushtarak europian në fillim të luftës, “127 djelmosha në një pyll për të cilët nuk di njeri gjë”, por në të vërtetë ata ishin gjithçka nevojitej për të hapur me dhunë kapakun e strukturës së kalbur dhe të paqëndrueshme të shtetit të pareformuar maqedonas.

Gjatë javës së fundit të shkurtit dhe javës së parë të marsit 2001 konflikti ishte përhapur shpejt nga Tanusha përgjatë malësisë së Malit të Zi në Maqedoni në të dyja drejtimet, ndërsa kryengritësit e kufizuan praninë e tyre në rrafshnaltë dhe në fshatrat që i simpatizonin me epërsi popullsie etnikisht shqiptare. Ushtria maqedonase u mobilizua kundër kryengritësve, me një përpjekje të vrazhdë për të bombarduar pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në fshatrat përmbi Tetovë. Ushtarët gjermanë të NATO-s në Tetovë qenë të paaftë të ndikonin mbi ngjarjet, pasi nuk kishte urdhër për të ndërhyrë, edhe pse qeveria maqedonase ishte e mendimit që ata duhej të përpiqeshin të ndërhynin. Njësitë Speciale të ushtrisë maqedonase nën komandën e drejtpërdrejtë të Ministrit të Mbrojtjes Boshkovski, me nofkat ‘Luanët’ dhe ‘Tigrat’, shpejt u bënë me nam për sulmet e egra dhe të rastësishme kundër fshatrave etnikisht shqiptare, gjë që bëri të rritej më tepër mbështetja ndaj kryengritësve. Një vend kyç ishte Shipkovica e vogël përmbi fortesën e vjetër osmane në Selcë, ku udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, kishte vendosur shtabin e tij. Mënyra e përgjigjes nga ushtria maqedonase nuk ishte e papritur, por si vëzhguesit ashtu dhe kryengritësit shqiptarë ishin të habitur nga shkalla e lartë e paaftësisë ushtarake, që me zjarrin e tërbuar dhe të rastësishëm nuk linte thuajse asnjë pasojë mbi kryengritësit, por u vinte zjarrin shumë shtëpive dhe ndërtesave bujqësore duke e shtyrë popullsinë lokale që të bëhej një me kryengritësit.

Një vëzhgues ushtarak gjerman, duke parë betejat, komentoi se ai mendonte që ushtria maqedonase ishte e vetmja ushtri në histori ku ishte më e rrezikshme t’i qëndroje mbrapa sesa përballë, duke iu referuar llojit arbitrar të zjarrit të artilerisë të tyre. Deri më 10 mars, dy javë pas fillimit të luftimeve, ishte fare e qartë se ushtria maqedonase nuk do të ishte në gjendje të thyente kryengritësit dhe të siguronte ndonjë ‘zgjidhje’ ushtarake, ndaj u pa se do të duheshin bisedimet.

***

Gjatë kësaj periudhe Tirana ishte vëzhguese e thjeshtë e ngjarjeve dhe qeveritarë të saj si ministri i Jashtëm, Ilir Meta dhe Ministri për Europën, Paskal Milo, ishin të pazotë të ushtronin ndonjë ndikim mbi to. Kalimi i armëve të lehta vazhdoi pa ndonjë pengesë serioze nëpër trekëndëshin kufitar verior Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, edhe pse kjo udhë furnizimesh ishte më pak e rëndësishme sesa gjatë luftës së Kosovës. Maqedonia kishte qenë për vite me radhë qendër e tregtisë së armëve, ku vendet prodhuese si Serbia dhe Bullgaria mund të tregtonin lirshëm. Bashkësia ndërkombëtare këtu u bë viktimë e politikave të saj, në kuptimin e energjive të harxhuara për të futur politikanë elastikë me pikëpamje proeuropiane dhe jonacionaliste në udhëheqjen e Partisë Socialiste. Kjo do të thoshte që ndërsa Tirana mund të detyrohej të përshtatej me modelin e tyre politik, por këta politikanë ishin fare pak në dijeni apo nuk kishin lidhje me ngjarjet në pjesën tjetër të botës shqiptare. Ishte ironike të shihje që duke pranuar si të mirëqenë ideologjinë kërcënuese të serbëve në lidhje me të ashtuquajturën ‘Shqipëri e Madhe’, në të vërtetë praktika politike që u ndoq për të mos i lejuar politikanët e Tiranës të krijonin lidhje të natyrshme me politikanët e tjerë vëllezër shqiptarë të përtej kufirit, i hoqi bashkësisë ndërkombëtare një levë kyçe politike gjatë kësaj periudhe krize.

Të vetmet marrëdhënie politike që kishin rëndësi për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ishin ato me udhëheqjen e Kosovës, SHBA dhe Diasporën, veçanërisht në Zvicër dhe Gjermani. I vetmi udhëheqës politik i Tetovës me lidhje domethënëse me Tiranën ishte Arbër Xhaferi, por meqë partia e tij ishte pjesë e koalicionit qeverisës maqedonas, ai doli në plan të dytë sapo filluan luftimet, dhe tërë vëmendja diplomatike apo ushtarake u përqendrua mbi Ali Ahmetin, Gjeneral Ostrenin dhe komandën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Udhëheqja e Partisë Demokratike kishte pak lidhje me udhëheqësit shqiptarë në Shkup apo Tetovë dhe luajti një rol të vogël në krizë. Sali Berisha nuk ishte parë asnjëherë në Tetovë si një udhëheqës politik i vërtetë dhe popullor siç ishte në Kosovë, dhe nuk kishte lidhje personale të rëndësishme me udhëheqjen e atjeshme.

Përkundrazi, udhëheqësit e Kosovës luajtën një rol shumë më të madh. Edhe pse drejtuesit kryesorë të ish-UÇK-së si Hashim Thaçi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po i ndiqnin me vëmendje ngjarjet, ishte jetësore për ata që t’i qëndronin larg çdo përfshirjeje aktive, lëre më të mbështesnin kryengritësit, pasi çdo veprim vetëm se do t’i hidhte benzinë zjarrit të deklaratave nga Beogradi dhe Shkupi që Ushtria Çlirimtare Kombëtare ishte në të vërtetë thjesht një ‘eksport’ kosovar. Haradinaj në prill 2001 madje u hoq nga detyra që mbante si zëvendëskomandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, organizmi i ligjshëm pasues i UÇK-së. Komandanti i TMK-së, Gjeneral Agim Çeku u vu nën një trysni të madhe për të përdorur ndikimin e tij për të vënë nën kontroll kryengritjen, por ai nuk qe aspak në gjendje ta bënte këtë dhe as nuk e dinte që vartësi i tij, Ostreni, ishte në Maqedoni kur filloi konflikti, dinte vetëm që ai kishte ndërmend të kalonte pushimet atje.

Është gjithashtu e pamohueshme që, duke analizuar shkaqet e konfliktit të 2001-shit, të vësh re se kryengritja mjaft e rrezikshme dhe e vështirë politikisht, solli vetëm një fitore të pjesshme për shqiptarët, duke filluar nga mbështetja e madhe popullore që kishte lufta e Kosovës në çdo nivel politik, nga ish-drejtuesit politikë të UÇK-së që, nga të harruar në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, papritmas u shndërruan në ndërmjetës të domosdoshëm, deri te populli i thjeshtë që e mbylli njërin sy mbi furnizimet me armë dhe aktivitetet logjistike në Kosovë, te djemtë e vajzat e reja që hidheshin vullnetarë për të luftuar në Maqedoni. Në fakt Ushtria Çlirimtare Kombëtare ishte një organizatë ku ishte e vështirë të futeshe, ndaj dhe shumë pak nga vullnetarët kosovarë u pranuan, përveç nëse ata kishin lidhje familjare në Maqedoni dhe aftësi të mira ushtarake. Marrëveshja e Ohrit që i dha fund konfliktit u firmos në gusht 2001, ku u premtuan reforma, të hapej Universiteti i Tetovës dhe të korrigjohej diskriminimi kulturor dhe arsimor i shqiptarëve. Kjo solli keqardhje tek disa militantë që ndienin që në kushte lufte Ushtria Çlirimtare Kombëtare mund të pushtonte Shkupin nëse nuk do të kishte ndërhyrë NATO-ja në maj 2001 dhe të shpëtonte ushtrinë maqedonase nga belaja. Ata e ndienin gjithashtu që pasi të ishte çmobilizuar, Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk do të ngrihej dot sërish lehtë. Këto ishin shqetësime të pranueshme ushtarake, por sipas arsyetimit të udhëheqësve me shumë përvojë dhe të zgjuar të LPK-së, si Ahmeti dhe Veliu, lufta arrriti gjithçka që mund të pritej të arrinte. Udhëheqja shqiptare nuk e donte kantonizimin e vendit, apo një ndarje të plotë të tij, gjë që ishte thelbësore për të mbajtur të paktën një nivel mbështetjeje për kërkesat e tyre për të drejtat e njeriut brenda bashkësisë ndërkombëtare. Vazhdimi i luftimeve mund të çonte lehtësisht në federalizimin e Maqedonisë, më së shumti me kushte pa leverdi për shqiptarët. Propozimet e fshehta greke të bëra në korrik 2001 inkurajonin një ndarje të FYROM-it, ku shqiptarët do të merrnin vetëm një copëz të vogël në veri-perëndim, ndërsa pjesa më e madhe e vendit do të mbetej me maqedonasit sllavë, me gjasa që do të ishin vetëm një hap të vogël larg bërjes së kësaj të fundit një protektorat grek.

Ndërhyrja e NATO-s në fund të pranverës me siguri që e shpëtoi Shkupin nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare, së bashku me një eksod masiv të popullsisë sllavofone. Arbër Xhaferri, ndërmjetësi kryesor i shqiptarëve, ndiente që ujdia e Ohrit kishte një vlerë të madhe, por gjithashtu shprehu vendosmërinë që ‘kurrë më të huajt nuk do të vendosnin të ardhmen e Maqedonisë’.

Në të vërtetë, gjithsesi, udhëheqja nuk ishte e gatshme të rrezikonte të ndizte një luftë të vërtetë civile, që do të thoshte t’i jepnin fund shtetit ‘maqedonas’, dhe sipas të gjitha gjasave do të vinte një forcë pushtuese e NATO-s. Disfata e vërtetë dhe e prekshme e planeve të ushtrisë maqedonase ishte një shpagim për shumicën e shqiptarëve, e bashkuar kjo me reformat radikale institucionale dhe për të drejtat e njeriut të premtuara nga Marrëveshja e Ohrit. Praktikisht ushtria maqedonase dhe aparati i sigurimit të shtetit nuk u kthyen kurrë në ndonjë kuptim të vërtetë si forcë shtrënguese për popullatën shqiptare në perëndim të vendit, kurse ruajtja e rendit u arrit deri në njëfarë mase të jetë shumetnike. Kjo solli njëfarë autonomie për bashkësinë shqiptare në këto rajone. Përshtypja e shqiptarizimit të Maqedonisë perëndimore u ndihmua gjithashtu nga hapja e pikave të reja kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në malet Dragash, si dhe ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë në disa vende.

Sidoqoftë, Marrëveshja e Ohrit nuk ishte një sukses i parëndësishëm. Në Maqedoninë veriore situata ka qenë më e vështirë gjatë kësaj kohe, me tensione serioze politike dhe sociale të trashëguara në disa fshatra, si dhe me incidente të dhunshme të rastësishme. Disa aspekte të marrëveshjes së Ohrit janë zbatuar, si përshembull themelimi i Universitetit në Gjuhën Shqipe në Tetovë më 2003, ndërkohë që pika të tjera të marrëveshjes nuk janë përmbushur dhe probleme më të thella mbeten për t’u zgjidhur. Marrëveshja nuk ndikoi aspak mbi Kushtetutën parimisht shoviniste dhe raciste të 1991-shit, me përcaktimin e saj përjashtues për identitetin ‘maqedonas’, dhe mbetet të shihet nëse shumica sllave do të dëshirojë vërtet ta vërë në zbatim Ohrin në sferat kyçe të ushtrisë dhe aparatit të sigurimit. Me qëllim që Marrëveshja të miratohej nga  parlamenti i Shkupit, Arbër Xhaferi dhe Ali Ahmeti kanë pranuar këtë realitet kushtetues, por nuk ka ende ndonjë shenjë entuziazmi në shumicën joshqiptare për të vënë në zbatim Marrëveshjen. Një çështje tjetër kyçe është ajo e shtetësisë, ku ka me mijëra njerëz me kombësi shqiptare që jetojnë në Maqedoni pa të drejtën për të votuar apo për të marrë pjesë në jetën e rregullt politike.

Pas kryengritjes së 2001-shit dhe marrëveshjes së Ohrit, për herë të parë në historinë e tyre në rajon, shqiptarët kanë një shpresë për barazi sociale me shumicën sllave në shtet, ndërsa kultura dhe historia e tyre morën një pozitë të sigurt dhe të respektuar në arsimim. Hapësira e re ekonomike që po hapet ndërmjet Maqedonisë perëndimore, Kosovës dhe Shqipërisë është një rezultat i rënies së komunizmit, ekonomive të planifikuara dhe demokratizimit të jugut të Ballkanit. Edhe pse situata ushtarake nuk është në favor të shqiptarëve për momentin në Preshevë, kjo gjithashtu po merr pjesë në hapësirën e re me transportin ndërkufitar dhe lidhjet kulturore të përmirësuara dukshëm, si dhe me disa përmirësime në ruajtjen e rendit dhe heqjen e masave shtrënguese të strukturave jugosllave, edhe pse ka shumë për t’u bërë para sesa ata të gëzojnë lirinë e plotë. Edhe pse çështja e Kosovës është thelbi i së ardhmes së shqiptarëve në jug të Ballkanit, shfaqja e konflikteve të Preshevës dhe të Maqedonisë e ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme aritmetikën e llogaritjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me çështjen kombëtare shqiptare.

 

Përktheu dhe përgatiti botimin Xhevdet Shehu

Please follow and like us: