Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Zheji: A po soset vaji i kandilit i qeverisë Rama?

Sipas një përralle të vjetër persiane, çdo njeri, në fatin dhe në jetën e tij, ka diku, në një shpellë të stërmadhe një kandil. Ky kandili (për ata që nuk e dinë, thirret ndryshe edhe bishtuk dhe është një enë e mbushur me vaj, nga ku zgjatet një fitil që digjet e bën dritë, për sa kohë ena ka vaj, kështu ndriçoheshin dikur njerëzit, duke përmirësuar ndriçimin e qirinjve) përfaqsonte edhe fatin njerëzor, që sipas përrallës persiane ishte një fat i paracaktuar.

Kandili i qeverisë Rama, përtej përrallës dhe metaforës persiane, nuk është i varur në ndonjë shpellë mistike, por tundet e shkundet, përpara syve të të gjithëve.

Sëpari protesta maratonë e Opozitës, dukshëm ka dhënë frutet e veta. Madje kryeministri sot ndjehet fare i pasigurtë, kërcënimi për mosfutje në zgjedhje të përgjithshme i PD, e ka ekspozuar në një dritë jo të mirë qeverinë e tij, në lidhje me standartet e Zgjedhjeve. Edhe sikur të pranojmë 1001 mëkatet e qeverisë paraardhëse Berisha, zgjedhjet e qershorit 2013, ishin perfekte dhe të paprekura, pa incidente tronditëse dhe vullneti i shqiptarëve për të votuar PS-LSI, u respektua.

Mirëpo sikur të mos mjaftonte kjo, trysnia e jashtëzakonshme që e ka emrin Vetting, tejet e paragjykuar, si një qëllim për të kapur Drejtësinë dhe jo për ta çliruar nga të korruptuarit atë, ka filluar të prodhojë dyshime të forta, kundër qeverisë Rama.

Sepse, kjo “reformë”, është shoqëruar me sulme të rënda dhe gojëprishura, kundër Drejtësisë që kemi sot, që janë një prirje për dhunim, nëpërkëmbje, shkelje dhe trembje të saj, nga ana e Qeverisë.

Dhe këtu Rama, është i krahasueshëm vetëm me Berishën, në konfliktin e keq, me ish kryeprokuroren Ina Rama, në vitet 2011.
Ky përdhunim verbal që bën periodikisht kryeministri ndaj Drejtësisë, ngjall dyshime të mëdha dhe bën të ndjeshme dhe të dukshme, frikën që vetë Rama ka, nga Drejtësia, si edhe ngutjen dhe ankthin, për ta futur atë në duart e veta. Dhe kjo gjë, është lexuar dhe po lexohet, edhe nga ndërkombëtarët, super të durueshëm ndaj kryeminsitrit.  Aq më tepër kur edhe jetojmë në një kohë që skandalet pasojnë me shpejtësi njera tjetrën. Konçesioneve në Shëndetësi, u ka dalë tashmë nami i keq.

Pasioni i rilindur kryeministror, për të sjellë karvanet e Plehrave në Shqipëri, tani shoqërohet më një zbulim rrënqethës. Periudha e vjetshme, e fushatës së turpit me emrin “Shalësi për Plehrat!” dhe “Rama për Plehrat që do të pastrojnë Shqipërinë!”, përkon me nevojën e ca kompanive italiane që të përdornin Shqipërinë si nevojtore plehrash, pasiqë Maqedonia e mbylli derën e saj. Ishin pra mijëra kontenerë që kishin dalë nga portet italiane, miliona euro biznes, që kërkonin një varrezë tjetër dhe kërkonin një atdhe të dytë.

Ndoshta kryeministri, apo vartësit e tij, që mund të kenë lakmuar ryshfetin e majmë, kishin gjetur “Zgjidhjen”, te rikthimi i Ligjit të Plehrave, për ta bërë legale, varrosjen e tyre në Shqipëri dhe thithjen e një kontrate për pastrimin e Italisë, duke ndotur Shqipërinë!

E turpshme sa më ska! Më e ndyrë se vetë Plehrat, që do të vinin. Mirëpo trysnia popullore e zbythi qeverinë. Kuvendi u trondit dhe u ndërgjegjësua. Presidenti reagoi fare bukur dhe në mënyrë patriotike, duke e kthyer mbrapsht Ligjin e krimit ambiental.

Opozita bëri “mea culpa”, duke pranuar mëkatet e saja të djeshme.
Ilir Meta, në heshtje apo përmes formulës së “konsensusit”, bëri të qartë që votat e tij në Kuvend, nuk do të ishin pro Ligjit të Plehrave.
Kryeminsitri u zbyth, duke e harruar këtë Çështje apo duke e shtyrë atë!
Por Mafia e plehrave, jo! Kontenerët e vdekjes, kishin zbarkuar ndërkohë në Shqipëri dhe ky skandal është vetëm në fillimet e veta…

Kështu dhe soset kandili i Qeverisë, me një shpejtësi maramendëse.
Prokurori i Përgjithshëm antimafia, Franco Roberti, rrëzoi me pak fjalë, mitin e rremë, të mosndotjes qeveritare me kultivimin dhe trafikimin spektakolar të drogës në Shqipëri, duke nënvizuar se ajo është shumëfishuar vitet e fundit.

Në këtë situatë, kur skandalet përqëndrohen dhe rreshtohen, Çadra e Bashës, vetëm përfiton pa lodhje, motivimin e ngritjes së saj.
Prandaj dhe Rama, nuk mund ta zgjidhë dot më ekuacionin e vështirë, as me të fortët dhe as me parallinjtë e shumtë që po majm, për një ditë të keqe.

Vaji i kandilit të qeverisë së tij po soset me shpejtësi edhe më të madhe, ndërsa Ilir Meta, dukshëm nuk ja ndan sytë këtij fenomeni.

Please follow and like us: