Dokumenti/ Kur dhe për çfarë nisi krisja e parë e Enver Hoxhës me Mehmet Shehun
Krisja e parë në marrëdhëniet Hoxha-Shehu, dy njerëzit më të fuqishëm të regjimit komunist, është shënuar më 11 shtator 1981. E ka memorizuar këtë vetë Hoxha në ditarin personal, ku përshkruan një takim të pazakontë me ishkryeministrin atë pasdite vjeshte, që ka mbetur mister.
“Thirra Mehmetin nga Korça, shkruan ai në shënimin e së premtes të 11 shtatorit 1981, për ta pyetur për fejesën e djalit të tij me vajzën e një familjeje me plot kriminelë lufte, të pushkatuar e të arratisur. Kjo çështje zien në të gjithë Tiranën, por unë e mora vesh indirekt. Mehmeti e kishte bërë këtë fejesë me plot dijeni. Ky është një gabim i rëndë politik nga ana e tij. Biseda me të është në dorëshkrim në kasafortën time.”
Me aq sa dëshmon Hoxha në ditar, bën të qartë përmbajtjen e çështjes, ku zbulon për herë të parë gabimin e Shehut që ka lejuar një lidhje problematike të djalit të tij, po rezervohet të artikulojë detajet e ngjarjes, të cilat i ka zbardhur në letër dhe i ka sekretuar në kasafortën personale. Askush deri më sot nuk ka mundur të depërtojë në këtë të fundit për të mësuar sadopak nga misteret e bisedës së shumëpërfolur. Regjistrimi i saj nga Hoxha, i cili shpjegon se ndodhet në kasafortën e tij, nuk është gjendur asnjëherë. I vetmi fakt që më së shumti paramendohet për takimin e 11 shtatorit ’81 ka të bëjë me bindjen e Shehut nga Hoxha për të prishur fejesën e të birit. Ka sakaq një pohim tjetër, sipas të cilit, takimi sekret i asaj pasditeje vjeshte ka shënjuar fillimin e likuidimit të Shehut dhe ngritjen e Ramiz Alisë. Sidoqoftë, qasje të tilla sado bindëse, mbeten në kufijtë e hipotezave.
Ajo që dihet është tatëpjeta e vrullshme e Mehmet Shehut pas bisedës misterioze të premten e zezë të 11 shtatorit 1981. Pështjellimet e papritura në familjen e ishkryeministrit në fillimin e vjeshtës së atij viti, në një mënyrë apo një tjetër, konturuan dimensionet e një intrige vrastare. Kronologjia e tyre fillon me lajmin e mirë që Shehu merr nga i biri, mbrëmjen e 31 gushtit, lidhur me vendimin për t’u fejuar me një vajzë të njohur në Tiranë. Ishkryeministri gëzohet që më së fundi i biri, të cilin e kishte pikë të dobët, po bënte zgjedhjen e shumëpritur, por njëherazi tronditet kur mëson biografinë e papërshtatshme të vajzës që ka zgjedhur.
Nusja që do kapërcente portën e vilës kryeministrore vinte nga radhët e volejbollisteve të Dinamos dhe ishte vajza e një profesori të njohur të Universitetit të Tiranës, që flitej se kishte llogari të hapura me regjimin. I njohur edhe zyrtarisht nga Sigurimi i Shtetit me problemet biografike të nuses, Shehu e shpalli fejesën po atë javë, pa pyetur këtë radhë as Hoxhën. Ceremonia e fejesës, por sidomos vizita e çiftit Hoxha që e uroi ndër të parët në shtëpi, i fashiti deri diku dilemat e kryeministrit për profilin politik të nuses së të birit.
Deri këtu, Hoxha nuk di asgjë për atë çfarë stononte në lidhjen e djalit të Shehut. “Vamë uruam Mehmetin dhe Fiqireten për Nelin që u fejua”, shkruan ai telegrafisht në shënimin e datës 3 shtator 1981. Vetëm pesë ditë më vonë, Hoxha ndërron befas kryekëput mendje për fejesën e porsacelebruar. Njeriu që guxoi t’i tregojë të vërtetën, siç dëshmon Hoxha në dorëshkrimet e tij, është Ramiz Alia, një nga liderët e rëndësishëm të Partisë që deri në atë kohë nuk ishte shquar ndër të tjerët për protagonizëm të lartë.
“Bisedova me shokun Ramiz, shkruan Hoxha në ditar për takimin e datës 8 shtator 1981, ai e dinte fejesën e djalit të Mehmetit me çupën e Turdiut dhe më tregoi mbi përbërjen me plot armiq të familjeve Turdiu dhe të Pipajve”. Nga ky moment kryeministri dhe familja e tij e shikojnë veten në një duel pa fund. Hoxha që i kishte besuar Shehut drejtimin e qeverisë për 27 vite me radhë, jo vetëm s’mund ta falë për rrëshqitjen në “batakun e armikut të klasës”, por vështron përtej saj. Takimi i 11 shtatorit ’81 është vetëm stacioni i parë i dyluftimit Hoxha-Shehu.
Ajo çfarë është konsumuar në bisedën e asaj pasditeje të largët midis numrit një dhe dy të regjimit, është zbardhur nga vetë Hoxha dhe është koleksionuar në dosjen konfidenciale. Gazeta “Panorama” ka siguruar dorëshkrimin e rrallë dhe e publikon sot për herë të parë. Ajo që bie në sy në përballjen e dy udhëheqësve, është përpjekja e Hoxhës që të bindë Shehun për të prishur fejesën e të birit. Po si reagon ishkryeministri për të korrigjuar gabimin dhe sa ndihet ai i penalizuar që ka bërë një martesë të palejueshme nga ana politike dhe pa pyetur Hoxhën?
Studiues e historianë të ndryshëm që janë marrë me këtë çështje pohojnë se katër orët e debatit të 11 shtatorit, kanë bindur Shehun të prishë fejesën, por dorëshkrimet e Hoxhës konfirmojnë tjetër gjë. Vendimi i kryeministrit për t’iu përgjigjur apelit së Hoxhës, është konfirmuar prej tij pas dy takimeve të tjera që kreu i regjimit ka thirrur me ngulm. Ditët në vijim do të zbardhim tekstin e plotë të dialogëve që kanë shkëmbyer Hoxha me Shehun në takimet e datave 12 dhe 13 shtator 1981…/ panorama