Një histori dashurie në Oksford
Ajo mendonte se kishte talent dhe i pëlqente t’i thoshin se ashtu ishte. Më së shumti, e donte punën e vet thjesht si një mjet për të rënë në sy. […] Ajo ishte një nimfë për të cilën admirimi i burrave ishte pjesa më kryesore e jetës. Ditën, sa herë që dilte në rrugë, ishte e vetëdijshme se asnjë burrë nuk i kalonte pranë pa e vështruar dhe kjo vetëdije u jepte një gjallëri të thekshme shëtitjeve të saj. […] Sa më shumë që nderimi i burrave bëhej diçka e natyrshme për të, aq më thellësisht i domosdoshëm ishte ai për lumturinë e saj. Sa më shumë e fitonte atë, aq më tepër e ruante si thesar”.
Romani “Një histori dashurie në Oksford” i Max Beerbohm është botimi më i fundit nga seria e klasikëve të Shtëpisë Botuese “Pegi”. Përkthyer nga Alina Karaulli ai është një roman gazmor, i cili falë një satire elegante e të mprehtë provokon statusin e merituar të ‘gruas së re’”. Krejtësisht joshës… plot stil dhe mprehtësi, një fantazi e hijshme e shoqëruar me një prozë të shkëlqyer dhe stil të stërholluar. Një satirë për jetën universitare, sjelljen aristokratike dhe letërsinë e Dashurisë Tragjike dhe Romantike. Culika rrëfen historinë tekanjoze dhe thellësisht qesharake të një ‘shoëgirl’-i bukuroshe që përballet rrëmbyeshëm me Oksfordin”, ka shkruar për të Michiko Kakutani në “Nju York Times”. “Histori dashurie në Oksford” ose “Culika Dobson”, një satirë mbi jetën universitare dhe më kulmori ndër romanet komike angleze, sëmbon përmes ironisë dhe kritikës dashamirëse një vend të kufizuar nga dekori, një vend ku forma është gjithmonë më e rëndësishme se përmbajtja. Culika, mbesa e një rektori, është një magjistricë dinake, me famë nga Nju Jorku deri në Shën Petërburg, një divë me tërheqje magjepsëse, një vajzë nga të atillat. Kjo femër me një bukuri të jashtëzakonshme mbërrin në Oksford, një botë burrërore akademikësh të privilegjuar dhe menjëherë shkatërron gjithë trupën studentore, duke u shndërruar në fillim në një ikonë e më pas në një mallkim për ta. Kjo satirë përfshin, ndër të tjera, edhe shprehjen e famshme “Vdekja i heq vizë çdo zotimi” dhe paraqet një imazh gërryes së shoqërisë eduardiane të Oksfordit. Megjithëse i shkruar para 100 e ca viteve, “Një histori dashurie në Oksford” është një roman thelbësisht bashkëkohor; Culika përfaqëson më së miri një fenomen të ri shqetësues: atë të talenteve mediokre, të cilëve u përkushtohet vëmendje e madhe mediatike dhe shoqërore. Në një pasthënie të studiueses Sara Lodge, shkruhet “Në tërësinë e saj, Culika është sipërfaqësore dhe mendjelehtë, por ne nuk mund ta qortojmë për ndikimin shkatërrimtar që ushtron në ambientet e Oksfordit. Kuptohet që dashuria që ajo frymëzon ka rrënjë thellësisht narcizike në institucionin që ajo trondit: është dashuria për idealin e paarritshëm, paradoksi i vetë-përmbushjes në vetëshkatërrim, që lind me romanticizmin, me Bajronin dhe Shellin dhe që gjen lartësimin e vet në qëndrimin dekadent të Uajlldit, admirimin e qartë për vetveten, kotësinë vetëshkatërruese dhe fiksimin me vdekjen”. ‘Modern Library’ e ka përfshirë në listën e 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze të shekullit XX. Edhe ‘The Guardian’ e ka përfshirë në një listë të ngjashme. Sir Henry Maximilian “Max” Beerbohm ishte një opinionist, kritik teatri, parodist dhe karikaturist anglez. Vepra e tij më e famshme, si dhe romani i tij i vetëm është “Një histori dashurie në Oksford”.