Me politikë kundër shqiptarëve nuk mund të zgjidhet kriza në Maqedoni
Kriza politike në Maqedoni, pas refuzimit të presidentit Ivanov që t’ i jipet mandati shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, ka hyrë në nje fazë kritike. Ivanov e mori këtë vendim në mënyrë jo demokratike, e jo kushtetuese për shkak të kërkesave të partive politike shqiptare që gjuha shqipe të zyrtarizohet dhe të përdoret në të gjitha nivelet shtetërore në Republikën e Maqedonisë. Dhe jo vetëm për këtë, ai kundërshtoi edhe të drejtat tjera që u takojnë shqiptarëve me kushtetutë. Deklaratat e tij me tone urryese kundër përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore në Maqedoni nuk habisin, sepse ky edhe në raste të tjera është shprehur kundër saj dhe të drejtave të pa plotësuara të shqiptarëve. Ivanov dhe përkrahësit e tij në rrugët e Shkupit dhe brenda institucioneve, po nxisin konflikt ndëretnik dhe destabilizim politik në Maqedoni dhe në rajon. Shqiptarët po luftojnë për të drejtat e veta në vendin e tyre dhe këtë realitet duhet ta kuptojë mirë krerët e politikës maqedonase.
Në përpjekje për të shtrirë ndikimin në Ballkan, në mbështetje të presidentit Ivanov, doli edhe Kremlini zyrtar, duke akuzuar Bashkësinë Evropiane dhe politikën shqiptare në rajon për krizën e krijuar në Maqedoni. Sot pro kësaj politike u prononcua edhe kryeministri serb, Aleksander Vuqiq. Kjo nuk do koment.
Nuk mund të ketë demokraci dhe harmoni ndëretnike përderisa atje keqpërdoret kushtetuta dhe ligjet kundër shqiptarëve. Politika maqedonase për kohë të gjatë, ka qenë diskriminuese ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe këtë e dijnë të gjithë. Kjo politikë nuk mund të vazhdojë më, sepse shqiptarët në Maqedoni sot janë shtetformues dhe faktor i rëndësishëm për zhvillimin dhe inkuadrimin e këtij vendi në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO.
E deshi politika maqedonase gjuhën shqipe në parlament apo jo, kjo do të ndodhë bashkë me gjuhën e shkruar në aktet zyrtare shtetërore. Në të kundërtën bart përgjegjësi për zhvillimin e më tejmë të situatës në këtë vend multietnik, ku shqiptarët bëjnë një pjesë dërmuese të popullatës së përgjithshme.
Ivanov dhe idhtarët e tij, që nuk janë të pakët, e dinë fare mirë se nuk mund të këtë Maqedoni pa shqiptarë dhe nuk mund të ketë stabilitet dhe progres të këtij vendi me abuzimin e të drejtave të tyre.
Dhe, së fundit, shqiptarët në Maqedoni kurrë nuk kanë qenë destabilizues të shtetit, por përvuajtës të historisë në luftë për të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare.