SHBA jep alarmin/ Korrupsioni në Shqipëri në të gjitha nivelet, prokuroria ka amnistuar pushtetarët
Departamenti Amerikan i Shtetit, DASH, ka dhënë alarmin për korrupsionin e lartë në të gjitha nivelet dhe pandëshkueshmërinë e tij në vendin tonë. Në raportin e vitit 2016 për Shqipërinë mbi të drejtat e njeriut, SHBA jep alarmin se fenomeni i korrupsionit ka pasur një shtrirje të gjerë dhe se prokuroria dhe gjykatat kanë amnistuar pushtetarë të niveleve të larta, duke mos i dënuar për vepra të ndryshme korruptive, shkruan “Sot”. Po ashtu, në raport flitet edhe për ngjarjen e 21 Janarit të vitit 2011, për të cilën thuhet se pushtetarët arritën t’u shmangen ndëshkimeve që meritojnë.
“Korrupsioni mbetet shumë i përhapur në të gjitha degët e qeverisë. Në fillim të vitit kishte 75 raste korrupsioni të hapura, teksa 29 u depozituan deri në qershor. Gjatë gushtit, gjykatat dënuan 76 të akuzuar për korrupsion; 25 raste u mbyllën pa dënim. Mbetën 121 të akuzuar që presin gjykim. Në korrik, faqja e internetit e krijuar në 2015 për raportimin e korrupsionit të zyrtarëve, kishte marrë 14,752 ankesa, 94 prej të cilave u referuan për ndjekje nga autoritetet”, thuhet në raportin e Departamenti Amerikan të Shtetit. Më pas në raport theksohet se dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një problem serioz.
“Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz. Në prill, gjykata e lartë mbajti në fuqi dënimin me një dhe tre vjet burg për gardistët Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, për vrasjen e katër protestuesve në 2011. Prokurorët kanë pasur sukses në ndjekjen e korrupsionit të nivelit të ulët, duke përfshirë dhe disa gjykatës e prokurorë, por korrupsioni i nivelit të lartë mbetet i pakapshëm prej frikës së hetuesve për hakmarrje, mungesës së burimeve dhe vetë korrupsionit brenda gjyqësorit. Në shtator një gjykatë dënoi Spiro Kseran, ministër i punës në qeverinë e mëparshme, me 20 muaj burg për abuzim me postin dhe përvetësimin e 30 milionë lekë($240,000) që duhet të shkonin për komunitetin rom. Në maj autoritetet shkarkuan kryebashkiakun e Dibrës, Shukri Xhelili, pas videos ku ai kërkonte favore seksuale në këmbim të vendit të punës. Xhelili apeloi në Gjykatën Kushtetuese, por ajo mbrojti shkarkimin”, thuhet në raportin e DASH.
Pandëshkueshmëria e pushtetarëve
Një pjesë të rëndësishme, raporti i kushton faktit të pandëshkueshmërisë së pushtetarëve të niveleve të larta. Sipas DASH, problemet kryesor i të drejtëve të njeriut janë korrupsioni i përhapur kudo, veçanërisht në sistemin gjyqësor dhe shëndetësor, dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave. Të tjera probleme të të drejtave janë burgjet nën standarde dhe kushtet e burgimit, mbipopullimi i burgjeve, infrastruktura e vjetëruar dhe mungesa e trajtimit mjekësor të të burgosurve. “Pandëshkueshmëria mbetet problem. Ndjekja penale dhe dënimi i zyrtarëve që kryejë abuzime është e paqëndrueshme. Zyrtarët, politikanët dhe ata me interesa të fuqishme biznesi shpesh evitojnë ndjekjen penale. Autoritetet kanë marrë masa teknike, siç është pagesa elektronike e gjobave të trafikut, dhe përmirësimi i kontrollit të policisë, dhe janë dhënë dënime për abuzime të nivelit të ulët”, thuhet më tej në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Po ashtu, raporti nxjerr në pah edhe problematika të tjera. Sipas DASH raportohet se policia dhe rojet e burgut rrahin dhe abuzojnë me të dënuarit, si dhe në disa raste mbajnë persona të burgosur pa akuza. Presion politik dhe korrupsion i gjerë parandalojnë që gjyqësori të funksionojë me efiçencë dhe në mënyrë të pavarur. Problemi i kthimit të pronave përmendet edhe në këtë raport.
“Qeveria nuk ka bërë progres në pretendimet e kthimit të pronave të sekuestruara gjatë regjimit komunist. Autoritetet kanë shkatërruar shtëpi dhe ndërtesa pa proceset e duhura ligjore dhe pa kompensim të përshtatshëm për pronarët”, thuhet në raportin e DASH. Gjithashtu përmenden edhe masat që qeveria ka marrë në luftën anti-korrupsion, duke filluar me hartimin e reformës në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese. “Në korrik, Parlamenti aprovoi amendamentet kushtetuese për reformën e gjithanshme të drejtësisë, ku përfshihej dhe krijimi i institucioneve të reja anti-korrupsion. Këtu përfshihej një zyrë e pavarur prokurorie dhe hetimi, posaçërisht për hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Në gusht, Parlamenti aprovoi ligjin e vetingut për reduktimin e korrupsionit te gjyqtarët e prokurorët. Qeveria shtoi numrin e kamerave të trupit te policia për reduktimin e korrupsionit në oficerët e rrugës. Disa agjenci qeveritare nisën hetime të korrupsionit por dekonspirimi i informacionit, burimet e pakta dhe presioni politik i perceptuar, penguan aktivitetin e tyre. Ministria e Drejtësisë raportoi se dënimet nga gjykatat e rretheve”, thuhet më tej në raportin e DASH.