Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë do të ndodhë nesër në seancën e jashtëzakonshme të parlamentit?

Nga Spartak Ngjela

Pse vërtet mendoni se nesër është i bllokuar vetingu?

Sipas kushtetutës, ai nuk është i bllokuar.

Nesër vetingu si normë kushtetuese, s’është i bllokuar, dhe nuk mund të bllokohet për faktin që një pjesë e opozitës nuk do që të marrë pjesë në Kuvend.

Kushtetuta nuk bllokohet, nëse ti nuk do që të shfrytëzosh një të drejtë që të jep ajo. Kushtetuta është e bllokuar vetëm atëherë kur një organ ose një grup individësh, qoftë dhe një individ, nuk të lejon që të përfitosh ose të shfrytëzosh në favorin tënd një të drejtë që kushtetuta ta ka dhënë.

Po nesër, çdo ndodhë në Parlamentin shqiptar në lidhje me një të drejtë që ka opozita parlamentare për komisionet e vetingut?

Shumë e thjeshtë: praktikisht këtë të drejtë do ta shfrytëzojë plotësisht PDIU, por, edhe ata opozitarë të tjerë që do jenë në aulën e Parlamentit dhe që nuk janë të regjistruar në KQZ në koalicionin e maxhorancës qeverisëse.

Në një proces zgjedhor të përbërë nga dy koalicione, fiton vetëm ai që merr shumicën në zgjedhjet elektorale. PDIU është humbëse në zgjedhjet elektorale të vitit 2013, domethënë është opozitare, deri atëherë kur ajo nuk është shregjistruar nga një koalicion dhe ka bërë marrëveshje parlamentare me maxhorancën aktuale për pozicionin juridik të deputetëve të saj në Parlament.

Por, a do ketë dhe opozitarë të tjerë nesër në sallë?

Nëse do të ketë, të drejtën që iu jep kushtetuta, do ta ndajnë në mënyrë të drejtë proporcionale. Deri tani, sipas asaj që është deklaruar, këtë të drejtë kushtetuese e ka vetem PDlU.

Zotërinj, kushtetutat nuk bllokohen në mosushtrimin e vullnetit tënd për të përfituar një të drejtë, por në aktin arbitrar i cili të ka dhunuar ose të ka mohuar atë të drejtë. Parlamentarët që me vullnetin e tyre të lirë nuk duan të shfrytëzojnë një të drejtë kushtetuese, nuk kanë bllokuar kushtetutën, por kanë dhunuar të drejtën e asaj pjese të popullsisë e cila ù ka dhenë votën e përfaqësimit.

Avokati, përfaqësues ligjor, që nuk shfrytëzon të drejtat kushtetuese në favor të atij që përfaqëson ligjërisht në një gjyq, nuk ka bllokuar kushtetutën apo ligjin, por ka dhunuar apo ka tradhëtuar atë që i ka dhënë mandatin e përfaqësimit.

Kjo është fryma e të drejtës kushtetuese në një rrafsh universal perëndimër, dhe shqiptar.

Mos ngatërroni kurrë kushtetutat moderne, me dëshirat primitive të individëve primitivë.

Një e drejtë që të jep kushtetuta, nëse nuk e shfrytëzon ti, ajo transferohet, se ndryshe, shkatërrohet sistemi juridiko-politik i një shteti.

Please follow and like us: