Mario Luzi: Ndërmendime nate
Gjumi, lum i zi –
ku timbrin e tij kredh
për zjarrin e agimit
që do ta kuqëlojë, dhe në të nesërmen
shpreson. Ngjyrat
e vazove dhe kalldrëmit
të errta janë,
e nata
në prehrin e vet i merr
dhe i ngjiz me materien.
Thirrjes – mendimi, për një cast,
e mundon, e shqetëson –
do t’i përgjigjen,
kur agimi tek xhamat do të trokasë dhe, më pas,
nën anija të vrullijë
dhe flakërojë dita –
a mos vallë ngjyrat,
si vetë ai, kanë fat të pasigurtë
apo zgjimi për to nuk është në mëdyshje,
drita nuk i mashtron,
e nuk i tradhton? Dhe ngjizen
me materien
apo
me shpirtin ngjyrat?
endet
ose gjallon
mendja e tij
në pushimin e natës që fillon
humbet
dhe rigjen pejzat
e artit, të ditës…
del
floriri me lapislazulet
nga peshtafi, vërtet,
e pasigurtë
mrekullia vonon.
A do shndërrohet plotësisht
në dritë e rrëzëllim? A do ketë ai
dashamirësi të mjaftueshme
për alkiminë aq shpirtërore?
Gjumi e mund,
fundoset,
dhe ndien
mendimin e marrë dhe shpirtin e pabesë.
Cili është ai? Gjithçka luan me gjithçka
në vallëzimin universal
(Mario Luzi, nga “Udhëtimi në tokë dhe në qiell i Simone Martinit, përktheu Klodeta Dibra)